Opinion

Arroganca që trimëroi opozitën !

Nga ARBEN MANAJ

Arroganca dhe frika e lëshimit të karriges janë dy ingredientët më të mëdhenj të rrënimit të një deleguari të pushtetit, jo mëkatar.

Kjo duket se po ndodh me kryeministrin Rama, i cili pavarësisht nga drejtësia dhe bindja e çështjes që ai mbron, apo pazakonshmëria dhe padrejtësia, nëse nuk është tërësisht e atillë, e kauzës që po trumbeton opozita, dukshëm ka ndikuar në vendim-marrjet e tij të vonuara politike, për kapërcimin e krizës demokratike shqiptare.

Faktikisht, ai do duhet të zbres nga qielli e të mos flas si prej andej, dhe as të mos bjerë nëntokë e përtokë, e ta shikoj botën e diellshme prej andej.

Rama duket se po drejton me autopilot vendin dhe do duhet urgjentisht të vërë në funksion mëndjen politike, pasi atë qartazi, po ja errëson pushteti dhe fiksimi i frikshëm pas tij.

Një fiksim totalisht i panevojshëm dhe tërësisht i dëmshëm, i cili po e rrokullis nëpër vendimarrje të gabuar ose në vonesa që e nxjerrin atë në sytë e shqiptarëve votues, mbi të gjitha, një njeri të dobët dhe i paaftë, për te qënë burrë shteti i mirëfilltë, e më shumë si një udhëheqës tipik ballkanik, që zakonisht dhe tipikisht, nuk i lënë transgresionet të jenë brënda parametrave demokratik evropian.

Vendim-marrja e tij për çështjen e Kavajës, pavarësisht nga qëllimi i mirë dhe vendimi i duhur, e ka dëmtuar atë, për shkak të vonesës së shpalljes se tij, sesa realisht marrjes së tij në kohë, e cila nuk besoj se ka qënë e minutës së fundit.

Ajo përveç se e portretizoi atë si frikacak dhe i cenueshëm ndaj presionit, nga ana tjetër një arrogancë e tillë, me shume sesa miopia politike, kryeministrin “hipster” të shqiptarëve me rekuizitë të pazakontë për homologët e tij në kontinent, por edhe më gjerë, e shfaqur jo vetem në Kavajë, pra, ky qëndrim arrogant, për të mos parë të vërtetën në sy, që në esencë lidhet me karrigen e kryeministrit, në fund të ditës, po i prish punë atij dhe PS, edhe në një aspekt paksa më afatgjatë, në ambicien e tij për një mandat të dytë të qëndrueshëm.

Rama do duhet ta dijë dhe jam thellë-thellë i bindur se në subkoshiencën e tij është i vetëdijshëm, se si rodhën ngjarjet, përshkak të bllofit që aplikoi, ai e di se zgjedhjet shqiptare, nuk mund të zhvilloheshin as në Kavajë dhe as më 18 qershor.

Zgjedhjet mund të zhvillohen për atë qëndrim regresiv dhe për ato arsye të stërthëna për moshyrjen e opozitës në zgjedhje, vetëm me një qeveri teknike pa Ramën në krye të saj, por me njeriun e Ramës në drejtim, ose  tekembrama,  me sforco maksiamale, edhe me të, në kolltukun e Kryeministrit. Por këtë shans, Rama, cdo ditë po e minon.

Çdo tentativë për t’i ngjarë Berishës, kur në atë botë, opozita ishte me gur në dorë ndaj tij, dhe ai i përgjigjej me plumba, duke e përligjur vrasjet me çadra me helm e gomarllëqe të kësaj natyre, siç po bën Rama, për të justifikuar tërheqjen nga Kavaja me skenar destabilizues, që s’besoj se ja ka ushqyer Visho Ajazi, po ja ulin staturën dhe ndoshta, po i japin atij koloritin që ai vetë ngërthen në personalitetin e tij politik.

Ai do duhet ta dijë, edhe kur thotë se do shkoj në zgjedhje pa opozitën më 18 qershor, pa e besuar as vetë dhe duke bërë bllofin e rradhës, se kjo taktikë mund ta nxjerr atë akoma më keq pas 13 majit, ose më pas, pavarësisht se cfarë skenari apo karte akoma më qesharake sesa ajo e Kavajës, mund të nxjerë për të justifikuar shtyrjen e zgjedhjeve.

Sesa të harxhojë energji të tilla për gjëra që nuk çojnë ujë në skenarët e tij, por as ato të opozitës, duke e ngritur praktikisht nga vari politik dhe elektoral kundërshtarët e tij nç çader, do ishte më e udhës, që kolegjialisht të vendosnin politikisht për një qeveri teknike.

Kjo qeveri, më mirë herët sesa me vonë, do e çonte vendin në zgjedhje, që për momentin, ai duket se i fiton lehtësisht dhe me aleatët, të cilët mos habitet që edhe mund të mos jenë të atillë nesër, nëse gjërat shkojnë drejt konfrontimit fizik.

Në një rast të këtillë fatkeq për Shqipërinë, nuk do habitesha nëse Meta përmes Petrit Vasilit, do t’ia bënte Ramës, një çfarëdo dite Maji, “1 Prill” të ri, për hir të paqes sociale dhe vellos presidenciale, që i hodhi mbi shpatulla, aleatit të tij të lëkundur të koalicionit, pushteti i socialistëve të Ramës së Rilindjes.

Bulevardi në 13 Maj, është më i dinjitetshëm për protestën e LGBT-istëve të vërtetë sesa ata të politikës dhe Kavajës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button