Home / Kosova / Kosovë, nis seanca për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë

Kosovë, nis seanca për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë

Në Kuvendin e Kosovës ka filluar seanca ku pika e vetme e rendit të ditës është shqyrtimi i mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës, të propozuar nga grupet parlamentare opozitare Nisma për Kosovën, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lëvizja “Vetëvendosje”, mbështetur nga 42 deputetë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës do të votohet mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës. Për mocionin e mosbesimit nevojiten 61 vota prej 120 deputetëtve të Kuvendit të Kosovës, kurse sipas mediave kosovare partia në koalicionin qeverisës Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do të jetë pro mocionit të mosbesimit të Qeverisë.

Ndryshe, partia opozitare Nisma për Kosovën duke filluar nga muaji prill kishte ndërmarrë një iniciativë për mbledhjen e nënshkrimeve të nevojshme për thirrjen e një seance për çështjen e mocionit të mosbesimit. Këtë iniciativë e kanë përkrahur edhe partitë tjera opozitare, AAK-ja dhe Lëvizja “Vetëvendosje, si dhe disa deputetë të pozitës.

“Demarkacioni mund të procedohet sot”

Ndërkaq sot, nëse mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë nuk merr votat e nevojshme, atëherë pritet që Qeveria t’ia procedojë Kuvendit të Kosovës shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimim e marrëveshjes për kufirin shtetëror ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Ky procedim parashihej të bëhej në mbledhjen e Qeverisë ditën e hënë, por Zyra e Kryeministrit kishte bërë të ditur se ajo ishte shtyrë për të mërkurën, sot, pas votimit të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës.

Në anën tjetër, në rast të procedimit të kësaj marrëveshjeje, pritet që partia opozitare Lëvizja Vetëvendosje ta kundërshtojë atë me protesta si brenda ashtu edhe jashtë Kuvendit të Kosovës.

Ndryshe, ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, është nënshkruar më 26 gusht të vitit 2015 në Vjenë ndërmjet dy shteteve dhe është miratuar nga pala malazeze, mirëpo ende nuk është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.

Deputetët opozitarë kishin kundërshtuar dhunshëm, me gaz lotsjellës dhe me protesta këtë marrëveshje, sipas të cilëve me këtë Kosova do të humbasë mbi 8 mijë hektarë tokë.

Ndërsa kundër saj ishin edhe disa deputetë të koalicionit qeverisës dhe deputetët e Listës Serbe dhe kjo ka rezultuar në mosarritjen e votave të nevojshme për miratimin e marrëveshjes, e cila kërkon 80 vota. Marrëveshja ishte parashtruar në Kuvend në datën 1 shtator të vitit 2016, por ishte tërhequr nga rendi i ditës nga Qeveria e Kosovës.

Leave a Reply

%d bloggers like this: