Ekonomia

Shqipëri-Kinë: Nënshkruhet marrëveshje bashkëpunimi, 3 milion USD grant për vendin tonë

U nënshkrua dje, në mjediset e Ministrisë së zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Marrëveshja e “Bashkëpunimit Ekonomik e Teknik” ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Popullore të Kinës. Marrëveshja u firmos nga Ministrja Milva Ekonomi dhe ambasadorja e Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, Znj. Jiang Yu.

Marrëveshja parashikon akordimin nga Qeveria Kineze të një ndihmë me vlerë 20 milion Yuan Kinez (RMB) (3 milione dollarë) për dhurimin e pajisjeve për Teatrin Kombëtar dhe të Baletit, Ansamblin Popullor, si dhe për projekte të tjera që do të bihet dakord mes palëve në vazhdim. Kjo marrëveshje pason marrëveshjen e grantit të nënshkruar nga Ministria e Kulturës më 9 maj, ku qeveria kineze akordon 10 mln RMB për rehabilitimin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor, duke bërë të mundur sjelljen në parametrat e duhur të këtij institucioni të rëndësishëm kulturor.

Ministrja Ekonomi tha se, pas takimeve dhe vizitave të niveleve të larta, lidhjet ekonomike mes vendeve janë intensifikuar. Ministrja Ekonomi shprehu mirënjohjen për kontributin e gjerë të Qeverisë së Republikës Popullore të Kinës në financimin me fonde grant të projekteve në sektorë të ndryshëm të ekonomisë si dhe për asistencën teknike të ofruar për ngritjen e kapaciteteve për stafet teknike dhe funksionarët e administratës shqiptare. Ajo tha se shumë shpejt brenda muajve të parë të gjashtëmujorit të dytë do të ketë një takim të Komisionit të Përbashkët Shqipëri-Kinë “Për bashkëpunimin ekonomik”.

Ndërsa, ambasadorja e Kinës tha se niveli i bashkëpunimit tashmë është në një nivel më të lartë, duke shprehur angazhimin për forcimin e komunikimeve dhe koordinimin mes dy qeverive dhe sipërmarrjeve të dy vendeve. “Të diskutojmë me njëri-tjetrin rrugën e re të bashkëpunimeve, në mënyrë që bashkëpunimet të jenë konkrete në praktikë dhe me rezultate të prekshme”, tha ajo.

Ndërkohë, marrëdhëniet tregtare me Kinën kanë njohur një trend rritës vitet e fundit. Volumi Tregtar me Kinën në vitin 2016 në krahasim me vitin 2015 paraqitet me një rritje në masën 11.23%, si rezultat i rritjes së eksporteve në masën 15% dhe importeve në masën 10.76%.

Sipas të dhënave të regjistrit tregtar, numri i ndërmarrjeve kineze apo të përbashkëta në Shqipëri është 115. Sa i takon stokut të investimeve direkte në vitin 2016 (tre mujori i IV) vlera e tyre ishte 8 mil euro me një rritje prej gati 4 herë në krahasim me vitin 2015 (tre muj e III), ku Zhvillimi i marrëdhënieve shqiptare-kineze po përballet me një të ardhme më të gjerë. Shqipëria vlerëson gjithashtu Nismën e Bashkëpunimit “Kinë-Vendet e Evropës Qendrore e Lindore” dhe është e angazhuar për zbatimin e  saj. Bashkëpunimi ekonomik mes Kinës dhe Shqipërisë mund të zgjerohet më shumë edhe në kuadër të projektit “Një Brez – një Rrugë”, pasi vendi ynë ka interes të përfshihet në mënyrë aktive në këtë iniciativë. Rruga e Mëndafshit e shekullit të 21 ka një pikënisje në Kinë dhe duhet të ketë një përfundim, ajo është Shqipëria në Adriatik.   Në kuadër të thellimit të bashkëpunimit ekonomik me Kinën, pritet të zhvillohet këtë vit Sesioni i 9-të të Komisionit të Përbashkët Shqipëri-Kinë “Për bashkëpunimin ekonomik”.

Prononcimi për mediat i Ministres Ekonomi dhe Ambasadores Yu:

Ministrja Ekonomi: “Sot nënshkruam një marrëveshje bashkëpunimi me Republikën Popullore të Kinës. Marrëveshja e nënshkruar mes meje dhe ambasadores së Republikës Popullore të Kinës, znj. Jiang Yu ka të bëjë me bashkëpunimin midis dy vendeve tona, bashkëpunim i cili ka nisur prej kohësh, sepse Shqipëria në këto vite ka vënë re jo vetëm zhvillimin e rëndësishëm ekonomik që ka marrë Republika Popullore e Kinës, por dhe interesin që Republika Popullore e Kinës ka ndaj vendit tonë. Nga ana tjetër, ka vënë re edhe dëshirën e madhe që ky vend mik ka për të na ofruar të na ofruar ndihmë për të zhvilluar disa sektorë. Besoj se jeni informuar se pak ditë më parë është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për një grant që qeveria e Republikës Popullore të Kinës i jep Shqipërisë në fushën e kulturës, për të mundësuar rikonstruksionin e Teatrit të Operës dhe Baletit. Sot vijmë në një grant të dytë, i cili përveçse vazhdon këtë lloj mbështetje, në përmirësimin e Teatrit të Operës dhe Baletit, krijon një mundësi tjetër për të parë projekte të cilat ndihmojnë sipërmarrjen apo të tjera aktivitete të rëndësishme në vendin tonë. Padyshim që këto janë shenja të një bashkëpunimi të rëndësishëm, i cili do të vazhdojë edhe në të ardhmen dhe do të intensifikojë shkëmbimet tregtare-ekonomike, si dhe ato të bashkëpunimit ekonomik në fusha që janë me prioritet për dy vendet tanë. Ndërkohë që, takimi i radhës mes delegacioneve të palëve në fushën e bashkëpunimit ekonomik dhe të shkëmbimeve tregtare do të ndodhë së shpejti. Ne presim që gjashtëmujori i dytë i këtij viti të fillojë me një takim të këtij Komiteti”.

Ambasadorja e Republikës Popullore të Kinës:

“Pala shqiptare dhe kineze e shndërroi bashkëpunimin ekonomiko–teknik në fushën e kulturës. Është në përputhje jo vetëm me realitetin e zhvillimit të vendit, por edhe me frymën e iniciativës që ndjek një rrugë. Siç kanë thënë edhe ministret gjatë vizitës së zv/kryeministrit këtu është ngritur Komisioni Ekonomiko-Tregtar në rang më të lartë. Unë personalisht shpresoj të bashkëpunoj ngushtë me ministren që të dyja palët të konkretizojmë bashkërisht rezultate të reja të arritura midis dy liderëve tanë edhe në bashkërendimin e komisionit ekonomiko–tregtar në rangun ministror, të forcojmë bashkërisht komunikimet dhe koordinimet ndër dy qeverive dhe ndërmarrjeve mes dy vendeve tona. Të diskutojmë me njëri-tjetrin rrugën e re të bashkëpunimeve, në mënyrë që ato të jene praktike dhe të rezultojnë me fryte konkrete.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button