Home / Arte / Shqipëria e viteve ’50, në një foto-ekspozitë në Pragë

Shqipëria e viteve ’50, në një foto-ekspozitë në Pragë

Studentët e degës së shqipes në katedrën e gjuhëve të Ballkanit, pranë Universitetit të Karlit në Pragë, organizuan hapjen e një ekspozite me fotografi me pamje të Shqipërisë së viteve ’50 të shekullit të kaluar.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur gjatë gjithë muajit maj 2017 në Galerinë Vyton.

Studentët e degës së shqipes, Robert Dobra dhe Matej Krepinsky, gjatë punës së tyre kërkimore për zhvillimin e marrëdhënieve mes Republikës Çeke dhe Shqipërisë, zbuluan në arkivat e Universitetit të Karlit një numër fotografish bardhë e zi nga Shqipëria e viteve ’50 të shekullit të kaluar, mbi bazën e të cilave organizuan këtë ekspozitë me foto në gjendje fizike shumë të mirë.

Në ceremoninë e hapjes mori pjesë dhe këshilltari i ambasadës, Lulzim Çota. Gjithashtu merrnin pjesë, violinçelisti i njohur i Teatrit Kombëtar të Pragës, Bledar Zajmi, pedagogë e studentë të degës së shqipes pranë Universitetit të Karlit në Pragë, si prof. Hana Tomkova, përkthyesja e veprave të Kadaresë, shefja e katedrës së gjuhëve të Ballkanit Orkida Borshi, Premysl Vins dhe Giovanna Nanci, pedagogë në degën e shqipes.

Ishin të pranishëm gjithashtu edhe shumë shqiptarë që jetojnë e punojnë në Republikën Çeke si dhe qytetarë çekë, simpatizantë të kulturës dhe historisë së Shqipërisë.

Ceremonia e hapjes u shoqërua me një koncert të shkurtër muzikor me këngë nga trevat shqiptare në Shqipëri e Kosovë, të kënduara nga Merjola Skëndaj, shoqëruar në pjano nga pianisti Egli Prifti.

Foto-ekspozita reflekton punën që bën në vazhdimësi dega e shqipes në Universitetin e Karlit, në bashkëpunim me ambasadën, për promovimin e kulturës dhe traditës shqiptare në Republikën Çeke, përmes ekspozitave, koncerteve muzikore, mbrëmjeve letrare, përkthimeve të autorëve shqiptarë, ditës së kultures shqiptare etj.

Leave a Reply

%d bloggers like this: