Home / Rajoni / Maqedonia / Xhaferi tregon planin nëse nuk vepron Ivanov

Xhaferi tregon planin nëse nuk vepron Ivanov

Pas 20 majit, çdo gjë do të varet nga vullneti i shumicës parlamentare. Në një takim me gazetarë në Shkup, kreu i ri i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi e bëri të qartë se po ta refuzojë presidenti Gjorgje Ivanov dhënien e mandatit qeverisës brenda ditëve të parashikuara në afatet kushtetuese, mazhoranca ka çdo të drejtë ta krijojë vetë Ekzekutivin.

“Padyshim, unë do të preferoja alternativën që Ivanovi të dorëzojë mandatin, ashtu siç e dikton dokumenti themeltar i vendit”, ishte komenti i tij.

“Mundësia tjetër, pra mosdorëzimi i mandatit, do të përbente shkelje të nenit 1, paragrafi 90 i Kushtetutës së Maqedonisë”. Në mënyrë që të largojë çdo pengesë të mundshme, Xhaferi i ka dërguar kreut të shtetit dy letra zyrtare.

Me atë të nisur në 10 maj, 19 maji konsiderohet si dita e fundit në dispozicion të Ivanovit për dhënien e mandatit. “Deri atëherë, me kompetencat e mia si kryetar parlamenti, nuk mund të nis asnjë procedurë”, sqaroi ai.

“Nëse kryeministri depoziton një draft-program dhe një draft-propozim mbi qeverinë e re në ditën e 11-të, atëherë, unë do të jem i detyruar të parashikoj mbledhjen e një seance parlamentare brenda dy javësh nga ai moment”, vazhdon Xhaferi.

I pyetur mbi protestat gjatë kësaj periudhe kohe, kryeparlamentari u shpreh se kjo është një e drejtë e qytetarëve, por këmbënguli që incidenti i dhunshëm i 27 prillit të mos përsëritet më.

Lideri socialdemokrat, ZoranZaev njoftoi se javën që vjen do t’i dorëzojë kreut të shtetit garancitë e kërkuara për ruajtjen e karakterit unitar të shtetit, në mënyrë që të zhbllokohet mandati i formimit të qeverisë. Vetë presidenti Ivanov vazhdon të heshtë…

Leave a Reply

%d bloggers like this: