Ekonomia

“The Economist” për Shqipërinë: Defiçiti buxhetor, tre vite për ta vënë nën kontroll

Zhvillimeve politike, ekonomike, integrimit europian te Shqiperise, perfshi edhe operacionin anti-kanabis ne Lazarat kater muajt e fundit, agjensia prestigjoze britanike e kerkimeve dhe analizave “The Economist Intelligence Unit” i ben nje analize te detajuar. Raporti i siguruar nga Top-Channel eshte publikuar me 9 shtator dhe qe ne fillim kalon ne skaner arsyet bindese per BE-ne qe çuan ne marrjen e statusit te vendit kandidat.Tirana_001

Integrimi

Vendimi pozitiv per statusin, The Economist Intelligence Unit thote se u arrit pasi Shqiperia ndermori dy hapa te rendesishem drejt ketij suksesi. Së pari, policia ndërhyri në “kryeqytetin” e kanabisit, Lazarat, për të demostruar kështu vendosmërinë e zbatimit të ligjit dhe së dyti arriti të zgjidhë konfliktin me kompaninë CEZ. Duke parë këto zhvillime, thekson raporti, ministrat e jashtëm të BE-së i thanë PO statusit të vendit kandidat në 24 qershor. “The Economist Intelligence Unit” me qendër në Londër beson se me një përshpejtim të reformave Shqipëria do ta ketë të mundur të nisë negociatat për zgjerim në fund të vitit 2015. Kjo është e arritshme, thekson raporti, pasi qeveria ka një mandat të qartë dhe ngjashmëria e politikave me aleatin qeverisës duhet të mundësojë zbatimin e reformave politike dhe administrative të kërkuara nga BE-ja.

Drejtësia

“Reforma në drejtësi e vështirë, ka ende ndikim opozita në emërimet në drejtësi”. Agjensia britanike e kërkimeve dhe analizave vlerëson se të qënurit e Shqipërisë vend kandidat për në BE është një arritje e madhe, por shënon vetëm një hap përpara në rrugëtimin e gjatë për t’u bërë vend anëtar. Duke analizuar kërkesat e BE-së e në mënyrë të posaçme ato që lidhen me drejtësinë, raporti thotë se “Shqipërisë i është kërkuar të ndërtojë një regjistër me hetimet dhe çështjet e ndjekura nga Prokuroria ndaj të dyshuarve për përfshirje në korrupsion”. Kjo do të jetë një detyrë e vështirë pasi pavarësia e gjykatave është e limituar. Ndikim kanë edhe sherret politike mes PS-së në pushtet dhe PD-së në opozitë, por jo vetëm këto, pasi presidenti Bujar Nishani, nënvizon raporti, është një ish-figurë e lartë e PD-së. Sipas raportit, kjo do të thotë se opozita ka një kontroll të kosiderueshëm në emërimet në drejtësi. Dhe vetëm atëherë kur të arrihet progres në këtë drejtim do të çelen negociatat për antarësim.

Kosova

“Politika zyrtare po i reziston elementeve nacionaliste”. Raporti i kushton vëmendje edhe marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë për të cilat thotë se ato vijojnë të forcohen. Autoritetet shqiptare në përgjithësi e kanë distancuar veten e tyre nga nacionalistët të cilët bëjnë thirrje për “Shqipërinë e Madhe”. Koalicioni socialist qeverisës vlerëson raporti i “The Economist”, ka të ngjarë të jetë më shumë i vetëkontrolluar në këtë drejtim krahasuar me qeverisjen e shkuar të qendrës së djathtë.

Ekonomia

“U trashëgua situatë e rënduar, pritet rritje modeste, por e qëndrueshme”. Për “The Economist Intelligence Unit” të dhënat e fundit tregojnë se aktiviteti ekonomik në Shqipëri po rimëkëmbet pas një përkeqësimi të fortë në vitin 2013. Përgjatë një kapitulli të posaçëm ku analizon ecurinë e ekonomisë, ekspertët e “The Economist” vërejnë se qeveria e majtë trashëgoi një situatë ekonomike të rënduar kur erdhi në pushtet, me ngadalësim të fortë të prodhimit dhe rrëshqitje serioze fiskale. Qeveria e mëparshme vëren raporti, kishte argumentuar se vendi nuk kishte nevojë për marrëveshje të re me Fondin Monetar Ndërkombëtar pas përfundimit të programit në vitin 2009. Po siç vijon ai, borxhi publik u rrit me ritme të shpejta dhe qeveria e re, e cila u angazhua në një strategji për ta vënë nën kontroll atë, është treguar më fleksibël duke përfituar nga një kredi 457 milionë dollarë prej FMN-së. Për “The Economist”, marrëveshja me FMN-në është e nevojshme për shkak të situatës së vështirë në Eurozonë, e cila ul pritshmëritë për rritje të shpejtë të eksporteve apo dërgesave të emigrantëve.
Sipas raportit, kjo bën që për të vënë nën kontroll deficitin do të duhen me gjasa tre vjet. Raporti vëren se ekonomia shqiptare u godit fort vitin e kaluar për shkak të krizës europiane, por edhe pasigurive politike dhe rrotacionit të zgjatur politik. Kjo bëri që rritja ekonomike të prekte nivelet minimale, por sipas analizës së “The Economist”, të dhënat paraprake të këtij viti sugjerojnë për rimëkëmbje graduale të ekonomisë. Për këtë vit “The Economist” parashikon që rritja e prodhimit të jetë në nivele modeste rreth 2%, ndërsa vitin tjetër sipas saj, ajo do të përshpejtohet në 3%. Por, siç vëren raporti, ky parashikim ka një rrezik që buron nga ecuria ekonomike e Eurozonës, e cila nëse do të jetë poshtë pritshmërive mund të godasë ringritjen e ekonomisë shqiptare.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button