Europa

Francë, Macron emëron kryeministrin e ri Edouard Philippe

Presidenti Emmanuel Macron ka zgjedhur kryebashkiakun konservator të Le Havre, Edouard Philippe, në postin e kryeministrit të Francës. 46-vjeçari nuk vjen nga radhët e partisë së qendrës të presidentit, por nga republikanët e qendrës së djathtë.

Përzgjedhja e tij shihet si një përpjekje për të përfshirë figura kyçe nga të dyja krahët e politikës franceze, e djathta dhe e majta. Njoftimi i kryeministrit vjen si pjesë e ditës së parë tejet të ngarkuar të punës së presidentit, teksa po sot pritet që Macron të udhëtojë drejt Gjermanisë për t’u takuar me Kancelaren Angela Merkel.

Emërimi i kryeministrit të ri vjen pak orë pas spekulimeve në shtypin francez. I konsideruari si favorit për këtë post, Edouard Philippe, që deri më sot mbante postin e kryebashkiakut të qytetit verior portual Le Havre, ka qenë një person i afërt me Alain Juppe, i cili ishte i dyti në garën për nominimin presidencial mes republikanëve në nëntor të vitit 2016.

Duke folur pas emërimit të tij, Juppe e lavdëroi kryeministrin e ri si një person me “talent të madh”.

Macron përballet në vijim me sfidën e zgjedhjeve parlamentare të muajit të ardhshëm dhe do t’i duhet edhe mbështetja e qendrës së djathtë për të avancuar planin e tij të reformave ekonomike.

Macron, 39-vjeçari që dikur ishte bankier dhe ministër Ekonomie, u betua të dielën në një ceremoni të zhvilluar në Pallatin “Elysee”.

Partia e tij e re, “La Republique en Marche”, njoftoi javën e kaluar listën prej 428 kandidatësh për deputetë për zgjedhjet e qershorit, me gjysmën e listës që rezultojnë femra. Vetëm 5% e kësaj liste janë deputetë të legjislaturës në largim të Francës, që të gjithë nga e majta socialiste.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button