Home / roze / Rikthehen “Piratët e Karaibeve”

Rikthehen “Piratët e Karaibeve”

Parku gjigant i “Disneyland”-it në Paris shtroi të dielën tapetin e kuq për filmin e ri të sagës “Piratët e Karaibeve”.

Me qindra adhurues u vunë në radhë për të ndjekur shfaqjen e së njëjtës tematikë, mbajtur përpara kështjelles ikonë të bukuroshes së fjetur, e u përpoqën të shikonin nga afër yjet e mbërritur: Johnny Depp, Orlando Bloom dhe Javier Bardem.

Kjo ishte një surprizë për shumicën e vizitorëve, që nuk ishin lajmëruar për vizitën e aktorëve të famshëm të “Hollywood”-it.

Në filmin e ri, Bardem vihet në rolin e kapitenit Salazar, personazhi negativ i mbushur plot mllëf.

“Më është dashur të fokusohem tek urrejtja. Besoj se personazhi negativ është i mbushur me një urrejtje të thellë, e cila krijon gjithashtu dhimbje, si emocionale, edhe fizike. E gjithë kjo ka të bëjë me transferimin e asaj urrejtjeje në gjuhën e trupit të kapitenit, mënyrës sesi ndërvepron ai me personazhet e tjerë”, tha Javier Bardem, aktor.

Përveç Orlando Bloom dhe Geoffrey Rush, piratëve u bashkohen në aventurën e radhës edhe dy fytyra të reja: Kaya Scodelario dhe Brenton Thwaites.

“Aktorët e tjerë janë kaq të familjarizuar me njëri-tjetrin, sa në fillim isha goxha nervoze, por na pritën që të dyve krahëhapur, e na bënë të ndiheshim pjesë e grupit të piratëve”, tha Kaya Scodelario, aktore.

“Piratët e Karaibeve: Të vdekurit nuk tregojnë përralla” do të shfaqet në kinematë europiane më 24 maj, ndërsa në ato amerikane dy ditë më vonë.

Leave a Reply

%d bloggers like this: