Politika

Data e zgjedhjeve, Bylykbashi: Mund të zhvillohen edhe pas 9 shtatorit

Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi ka reaguar në lidhje me mundësite për ndryshimin e datës së zgjedhjeve.

Me anë të një postimi në “Facebook” deputeti Bylykbashi thotë se Kushtetuta parashikon që zgjedhjet zhvillohen në periudhën zgjedhore që i paraprin fundit të mandatit, pra që i paraprin 9 shtatorit 2017.

Sipas tij Kushtetuta përcakton se periudha zgjedhore përcaktohet nga Kodi Zgjedhor, dhe “e vetmja gjë qe detyron Kushtetuta është që data e zgjedhjeve të caktohet para fundit të mandatit”.

Ai sqaron se data 18 qershor e dekretuar nga Presidenti Nishani për zgjedhjet parlamentare është thjesht ligjore dhe jo kushtetuese.

Postimi i plotë

 

“Shpjegim i thjeshtuar për Kryeministrin dhe ndonjë analist për datën e zgjedhjeve.

Dëgjova mbrëmë një analist që fliste me “kompetencë” se Kushtetuta nuk lejon ndryshimin e datës se zgjedhjeve dhe binte dakord me Kryeministrin që e refuzonte ndryshimin e datës dhe me vinte për të qeshur, sepse bashkë me një koleg i kemi shkruar këto dispozita të Kushtetutës në 2008. Le ta mbyllim një herë e mirë këtë argument qesharak.

Kushtetuta nuk cakton asnjë datë për zhvillimin e zgjedhjeve. Kushtetuta përcakton rregullin që llogarit vetëm fundin e mandatit i cili është data 9 shtator 2017 (Kushtetuta neni 65, pika 1).

Kushtetuta përcakton se zgjedhjet zhvillohen në periudhën zgjedhore që i paraprin fundit të mandatit, pra që i paraprin 9 shtatorit. Kushtetuta përcakton se periudha zgjedhore përcaktohet nga Kodi Zgjedhor. (Kushtetuta neni 65, pika 2). Pra e vetmja gjë që detyron Kushtetuta është që data e zgjedhjeve të caktohet para fundit të mandatit. Pikë!

Periudhat zgjedhore në Kodin Zgjedhor (pra në ligj dhe jo në Kushtetutë) janë dy: e pranverës 15 mars – 30 qershor dhe e vjeshtës 15 shtator – 30 nëntor. Presidenti mund të caktonte datën në një nga dy të dielat e fundit të periudhës zgjedhore që i paraprin 9 shtatorit (Kodi Zgjedhor nenet 8 dhe 9), pra ose 18 ose 25 korrik 2017. Presidenti zgjodhi daten 18 qershor. Pra data është thjesht ligjore dhe jo kushtetuese. Nëse Kodi do caktonte një periudhë tjetër para 9 shtatorit, data do ishte një tjetër dhe jo 18 qershori.

Nëse Parlamenti vendos që për këto zgjedhje apo gjithmonë, periudha e zgjedhjeve të jetë një periudhë tjetër, mund ta ndryshojë Kodin tani me vetëm 84 vota dhe pa ndryshuar Kushtetutën. Dhe Parlamenti mund të caktojë çdo të dielë deri me 3 shtator (sepse 3 shtatori është e diela e fundit para datës 9 shtator) si datë të zgjedhjeve, vetëm duke ndryshuar ligjin pa patur nevojë të ndryshojë Kushtetutën.

A mund të zhvillohen zgjedhjet pas datës 9 shtator? Po! Mjafton një dispozitë tranzitore e thjeshtë në Kushtetutë që është shumë më pak e shëmtuar se ai aneksi i tmerrshëm që u miratua për reformën në drejtësi që nuk e ka asnjë Kushtetutë e botës.

Kur deshi Rama të shtynte zgjedhjet me sebepin e certifikatave, në 2007 Kodi u ndryshua për të shtyrë datën e zgjedhjeve. Zgjedhjet ishin dekretuar për datën 20 janar 2007, më date 13 janar u ndryshua ligji që detyronte presidentin të dekretonte një datë të re jo me vonë se 20 shkurt 2007. Presidenti i dekretoi për datën 18 shkurt 2007. Nëse nuk e mbani mend, shihni këtë foto. Ndërsa Kryeministri dhe analisti të lexojnë nenet më sipër dhe Kodin Zgjedhor”, shkruan Bylykbashi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button