Kronika

Kodheli e Gjici në Kukës: Na jepni edhe një shans, të çojmë përpara reformat e nisura

Mimi Kodheli, e cila kryeson listën e Partisë Socialiste për qarkun e Kukësit në zgjedhjet e 18 qershorit, e shoqëruar nga kandidati për deputet, Safet Gjici zhvilloi takime elektorale me banorët e fshatrave Bardhoc dhe Shtiqën.

Gjatë takimit në Bardhoc, Kodheli vuri në dukje se kjo zonë është lënë pas dore për vite me radhë, madje dhe nga ata që janë nga këto treva dhe se do mbështesnin zhvillimin e tyre.

“Por, kjo mbështetje ishte thjesht klanore, abuzive dhe jo ajo që të gjithë kishin nevojë”, u shpreh Kodheli.

Për sa i përket ndërtimit të rrugës së Kombit ajo theksoi se për ta ndërtuar këtë vepër u mor një kredi me interesa nga më të lartat, ndërkohë që rruga, pa projekt fillestar, ka mbetur pa mbikalim. Ajo dhe kandidati Gjici premtuan ndërtimin e mbikalimit për banorët e kësaj zone. Në vijim të fjalës së saj Kodheli i kërkoi elektoratit që t’i japi edhe një shans qeverisë “Rama” për të çuar deri në fund reformat e nisura.

Duke u ndalur tek bojkoti i zgjedhjeve nga PD-ja, Kodheli renditi disa nga arsyet se përse kreu aktual i opozitës nuk duhet të qeverisë vendin.

“Një herë ka pasur gisht në Rrugën e Kombit dhe i ka mbi kurriz nja 250 milionë euro. Ka qenë pese ditë ministër i Jashtëm dhe ia fali çerekun e detit komshinjve, ka qenë 10 ditë ministër i Brendshëm dhe i ka vrarë katër burra me duar në xhepa në shesh. Zoti e ndihmoftë këtë djalin deri në fund të karrierës së vet politike, por ky nuk e meriton ta drejtojë Shqipërinë as sot as nesër”, u shpreh Kodheli.

Ndërsa kandidati për deputet në këtë qark, Safet Gjici u shpreh se kësaj radhe kërkojmë vota në shumicë që ‘ti përkthejmë në investime në shumicë, të sistemojmë rrugët, kanalizimet, të bëjmë shkolla të reja.

Ai tha, se së bashku me ministren Kodheli, do të bëjë atë që nuk është bërë për 25 vite në qarkun Kukësit.

Më tej Gjici vuri ne dukje se gjatë mandatit të parë qeveria ‘Rama’ ka investuar 42 milionë euro në këtë qark. Ndërsa në takimin me banorët e fshatit Shtiqën, Kodheli u shpreh se nëse qeveria e kaluar do të kishte vazhduar edhe dy tre muaj, Shqipëria, në aspektin financiar, do të shembej si një kështjellë rëre, më keq se në vitin 1997.

“Në Ministrinë e Mbrojtjes gjeta 16 milionë euro borxhe për fatura të papaguara që nga viti 2008, ndërkohë 16 milionë euro është investimi për një vit për gjithë Ushtrinë”, deklaroi ajo.
Në përfundim të takimit, Kodheli i premtoi banorëve të këtij fshati se një nga problemet që do të zgjidhet është edhe ai i tapive të tokave. Dhe për këtë kjo mazhorancë ka dhënë prova se e zgjidh me ndershmëri dhe me drejtësi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button