Home / Intervista / Gjiknuri: Diskutime intensive me konsorciumin Power China për projekte energjitike

Gjiknuri: Diskutime intensive me konsorciumin Power China për projekte energjitike

damian-gjiknuriMinistri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, deklaroi në një intervistë për Radion e Jashtme të Kinës, CRI Shqip, se ka zhvilluar diskutime shumë intensive me konsorciumin Power China Corporation lidhur me projekte të rëndësishme në sektorin e energjisë elektrike.
Z. ministër, keni pasur ndonjë rezultat në drejtim të punës suaj gjatë kësaj vizite?

Po, kemi pasur kontakte intensive. Që ditën e parë kemi pasur kontakte me një konsorcium shumë të rëndësishëm si Power China Corporation, kompania kryesore e energjisë elektrike e Kinës. Patëm një diskutim shumë intensiv me ta lidhur me disa projekte me interes të përbashkët në fushën e prodhimit të energjisë elektrike, siç është hidrocentrali i Skavicës, duke rënë dakord për disa hapa të mëtejshëm se si mund ta zhvillojmë këtë projekt, si dhe për një projekt të mundshëm në sektorin e shpërndarjes së energjisë elektrike, sidomos për të luftuar fenomenin e vjedhjes së energjisë elektrike, nëpërmjet teknologjive dhe aplikacioneve që janë përdorur në vende që kanë pasur situata të ngjashme. Jemi në një rrugë të mbarë, jemi duke diskutuar dhe presim që ekipet e specialistëve kinezë të vijnë në Shqipëri dhe të hulumtojnë nga afër çka do të bëjmë në lidhje me zgjidhjet teknike të propozuara dhe më pas të shikojmë zgjidhjet ligjore dhe financiare të këtyre projekteve.

Ky bashkëpunim ndërmjet palës kineze dhe palës shqiptare fokusohet më shumë në projektet e reja apo keni pasur ndonjë për zgjerimin e projekteve të kaluara?

Bëhet fjalë për projekte tërësisht të reja. Është e vërtetë që infrastruktura kryesore elektroenergjetike në Shqipëri është ndërtuar edhe me mbështetjen e shtetit kinez të asaj kohe, por këtë herë bëhet fjalë për projekte të reja, siç është hidrocentrali i Skavicës, si dhe investime të reja në sektorin e shpërndarjes, që kane të bëjë me sistemin teknologjik smart metering dhe me projekte të tjera që do ta përmirësojnë shumë administrimin e sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike në Shqipëri.

Cilat janë fushat më me përparësi të përcaktuara nga Ministria e Energjisë dhe e Industrisë e Shqipërisë?

Energjetika është një fushë e rëndësishme, e jo vetëm energjia elektrike, por edhe burime të tjera të energjisë, siç janë hidrokarburet, nafta, minierat. Ne kemi investime serioze edhe nga Kina në industrinë e minierave. Kompania më e madhe kineze në industrinë e bakrit është e pranishme tani në Shqipëri dhe zotëron pjesën më të madhe të bakrit shqiptar e po investon në këtë drejtim. Bashkë me kolegun tim, ministrin e Ekonomisë, kemi diskutuar edhe për ndërtimin e një parku industrial, duke marrë shembuj të mirë nga Kina dhe kompanitë kineze janë shprehur të gatshme për ndërtimin e një parku të tillë. Po ashtu edhe porti i Shëngjinit është një element shumë i rëndësishëm i axhendës sonë ekonomike. Pra, Shqipëria, me burimet që ka, qoftë burimet ujore, qoftë burimet hidrokarbure, qoftë burimet minerare, mund të zhvillojë zinxhirin e shtuar të industrive të tjera të lidhura me to, siç është industria përpunuese për minierat, industria e përpunimit të naftës, apo edhe petrokimia. Kështu që mendojmë se ka një perspektivë të mirë, por patjetër këto do të kërkojnë kohë, investime dhe politika të caktuara, gjë që qeveria jonë po i ndjek me përparësi. Shpresojmë që në vitet në vijim rezultatet të jenë edhe më të prekshme për qytetarët shqiptarë, por edhe për bashkëpunimin mes dy vendeve tona.

Leave a Reply

Your email address will not be published.