Home / Bota / Michael Flynn në qendër të hetimit mbi përfshirjen e Rusisë në zgjedhje

Michael Flynn në qendër të hetimit mbi përfshirjen e Rusisë në zgjedhje

Gjenerali në pension Michael Flynn, një mbështetës politik i fortë i zgjedhjes së Donald Trumpit president dhe këshilltari i tij i parë për sigurinë kombëtare për 24 ditë, tashmë është e sigurt se është në qendër të një hetimi nga një prokuror i ri i posaçëm, mbi lidhjet e njerëzve të fushatës së Trump me zyrtarë rusë.

59-vjeçari Flynn ka qenë me kohë në qendër të polemikave gjatë 4 muajve të parë të presidencës së Trump. Tashmë ai do të përballet me një shqyrtim të kujdesshëm pas emërimit të prokurorit të posaçëm Robert Mueller, ish-drejtor i Byrosë Federale të Hetimeve.

Në vitin 2015, kur Trump filloi garën presidenciale, zoti Flynn u pagua më shumë se 30,000 dollarë për të marrë pjesë në disa aktivitete në Moskë. Në njërën prej tyre ai u shfaq i ulur pranë presidentit rus Vladimir Putin gjatë një feste të rrjetit televiziv “RT” të kontrolluar nga Kremlini.

Presidenti Trump e shkarkoi Flynn në muajin shkurt pasi përgjimet rutinë ndaj zyrtarëve të huaj treguan se ai kishte gënjyer nënpresidentin Mike Pence rreth kontakteve të tij me ambasadorin e Rusisë në Uashington, gjatë javëve përpara se Trump të merrte zyrtarisht detyrën.

Flynn u mbajt në punë për 18 ditë pasi prokurorja e përgjithshme në detyrë Sally Yates paralajmëroi Shtëpinë e Bardhë se ai mund të ishte subjekt shantazhi nga rusët, pasi kishte çorientuar nënpresidentin Pence.

Një ditë pasi presidenti Trump shkarkoi zotin Flynn, bashkëpunëtorë të ish shefit të FBI-së James Comey, i shkarkuar nga Trump javën e kaluar, thonë se presidenti i kërkoi Comey në një takim në Shtëpisë së Bardhë të heqë dorë nga hetimi ndaj zotit Flynn. Brenda një periudhe të shkurtër Comey bëri një përshkrim të gjatë të bisedës së tij me presidentin.

Shtëpia e Bardhë thotë atë çfarë Comey kujton nga bashkëbisedimi gjatë asaj periudhe, nuk janë të sakta. Ndërkohë, disa ekspertë ligjorë thonë se nëse kjo është e vërtetë, përpjekjet e Trump për t’i dhënë fund hetimeve mbi Flynn mund të interpretohen si pengesë për drejtësinë, një veprim që nxit procesin për shkarkimin e presidentit.

Shkarkimi i Comey dhe raportet mbi përpjekjet e Trump për të ndalur hetimin e Flynn i çuan ligjvënësit: demokratët dhe disa republikanë të kërkojnë emërimin e një prokurori të posaçëm lidhur me hetimet për përfshirjen e Rusisë në zgjedhje. Mueller do të luajë një rol të pavarur nga ai i kanaleve normale të autoritetit të Departamentit të Drejtësisë.

Ndërkohë, agjencia e lajmeve “Reuters” raportoi se Flynn dhe ndihmës të tjerë të zotit Trump ishin në kontakte me zyrtarët rusë, si dhe të tjerë persona me lidhje me Kremlinin, në të paktën 18 biseda telefonike dhe emaile, në shtatë muajt e fundit të fushatës presidenciale, përpara votimit në 8 nëntor.

Zoti Flynn drejtoi Agjencinë e Zbulimit të Mbrojtjes për dy vjet nën ish presidentin Barak Obama, derisa u shkarkua në vitin 2014 për menaxhim kaotik të agjencisë.

Më vonë, zoti Flynn u shfaq si kritik i fortë i mënyrës se si ish presidenti Obama trajtoi çështjet e sigurisë kombëtare, duke mbështetur në të njëjtën kohë kandidimin e zoti Trump për president.

Leave a Reply

%d bloggers like this: