Kronika

Ikën nga ALUIZNI, Lame: Basha e kërkoi me shpresë për vota

Kreu i ALUIZNI-t Artan Lame, komenton marrëveshjen e arritur mes kryeministrit Edi Rama dhe kreun e Partisë Demokratike, duke thënë se Basha e kërkoi institucionin e drejtuar prej tij me shpresë se mos e ndihmojë për vota në zgjedhje. Lame thotë se me punën e bërë, Partia Socialiste do të fitojë zemrat e 100 mijë familjeve që përfunduan procesin e legalizimit të pronës së tyre.

Postim i Artan Lames në Facebook

Nuk është palla, or bir! – Në këtë klimë mosbesimi të ndërsjellë, kryetari Basha i opozitës, me të drejtë të vet kërkoi që ta merrte nën kontroll ALUIZNI-n, se mos e ndihmon të fitojë vota. Nga an’ e tija Kryeministri Rama pa u menduar dy herë ja dha këtë kontroll. E kjo punë, më sjell ndër mënd një histori prej qëmoti.

Barleti mes të tjerash shkruan për një ndodhi që s’di sa është e vërtetë, por edhe pa gjë zor të jetë. Sulltan Mehmetit, pasi u mund e u mund nga Skënderbeu ynë, i shkon një llaf që ish hapur, sipas të cilit Gjergji paskësh një pallë të madhe larë me flori, e cila bënkësh kërdi mbi kokat e turqve.

Atëherë Sulltani çon një dërgatë që ja kërkon pallën Gjergjit me çdo çmim. Gjergji nuk ua bën dy fjalën dhe e dorëzon pallën në dorë të dërgatës, por duke ju thënë: “I thoni zotit tuaj që nuk është palla, por krahu që e mban, ai që ka bërë kërdi mbi kokat tuaja”.

Edhe në këtë punën tonë, nuk ishte palla, ligje a përdorim fushate, që na bëri që të fitojmë zemrat e mbi 100.000 familjeve që përfunduan procesin çerek-shekullor të legalizimit të pronës së tyre. Ishte krahu, puna e përkushtimi i qindra djemve e vajzave që shkuan shtëpi më shtëpi cep më cep të Republikës, që na i dha këtë rezultat.

Do të rrojmë e do të shikojmë që, edhe në këto zgjedhje, kështu do jetë.

-Në marrëveshjen e arritur mes Ramës dhe Bashës, opozita do të marrë postin e zv.Kryeministrit, ministrit të Brendshëm, ministrit të Arsimit, ministrit të Shëndetësisë, ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ministrit të Financave, ministrit të Drejtësisë, si dhe disa drejtori të rëndësishme.

Bazuar në marrëveshje opozita detyrohet të votojë në Parlament, organet e vettingut. Opozita ka marrë edhe kreun e KQZ, ndërsa edhe Avokati i Popullit, do të jetë propozim i opozitës, si dhe drejtimin e ALUIZNI.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button