Ekonomia

Konfindustria: Reciprocitet për call center, të merren masa ndaj eksporteve italiane në Shqipëri

Konfindustria, në një deklaratë zyrtare, i kërkon ekzekutivit të ndërmarrë me vendosmeri dhe sa më shpejt të gjitha veprimet e munguara të të gjitha llojeve, të parashikuara në legjislacionin ndërkombetar, ndaj eksporteve të prodhimeve dhe shërbimeve “Made in Italy” në tregun tonë, si masë balancuese reciproke ndaj ndalimit së fundmi të importeve shqiptare të shërbimit të sektorit të industrisë Call Center në Itali.

Ndalimi “de facto’ me nismen e qeverise italiane te importit të sherbimeve Call Center nga vende të treta përfshi Shqipërinë është në kundërshtim të plotë me parimet e tregtisë së lirë, rregullave të Organizatës Botërore të Tregtise/OBT dhe marreveshjeve të integrimit të Shqiperise me BE. Në thelb, kufizimi i vendosur me nismën e qeverise së Italisë për importet shqiptare të shërbimit Call Center është i njëjtë sikur qeveria e Shqipërisë të detyronte ndërmjet penaliteteve të ndryshme importuesit vendore të ndalonin dhe/ose kufizonin hyrjen e prodhimeve dhe shërbimeve me certifikate të origjinës italiane në tregun shqiptar. Si masë ndëshkuese reciproke mund të konsiderohet deri edhe vendosja e taksave speciale shtese për importet e prodhimeve dhe shërbimeve italiane ne tregun shqiptar.

Industria e sherbimeve të ashtuquajtura Call Center në Shqipëri punëson me kontrata te rregullta mbi 25 mije individë, që rrezikojnë seriozisht të humbasin vendin e punës nga masat e fundit shtrënguese të qeverise italiane. Qeveria e Italisë nëpërmjet kërcënimit te gjobave të renda, ka kushtëzuar marrëveshjet e tipit kartel të kompanive kryesore italiane për ndalimin e importeve të shërbimit të marketingut “call center” nga vende të treta jashtë BE, ku Shqipëria është ndër më të prekurat, përfundon njoftimi zyrtar i Konfindustria.

“Lufta” e Italisë ndaj call center në Shqipëri

Në Itali, në datën 1 prill, hyri në fuqi ligji “Për delokalizimin” e call center. I miratuar në dhjetor të vitit të kaluar, ligjit iu la një periudhë tranzitore për të hyrë në fuqi me qëllim që kompanitë të njiheshin me rregullat e reja, zbatimin e standardeve, raportimin e numrit të punonjësve, adresave të selive, mbrojtjes së të dhënave etj.

Përveç ligjit, në maj erdhi goditja finale për call center. 13 kompani të mëdha firmosën një protokoll mirëkuptimi me kryeministrin italian Paolo Gentiloni dhe ministrin e zhvillimit ekonomik Carlo Calenda.

Kjo marrëveshje parashikon që “95% e aktiviteteve që kryhen direkt të kalojnë në Itali brenda gjashtë muajve nga nënshkrimi dhe në kontratat e të reja, të paktën 80% e vëllimeve outsourcing të kryhen në territorin italian”, raporton Il Sole 24 ore.

Janë 13 kompani që janë angazhuar në këtë marrëveshje. Këto subjekte përbëjnë 65% të sektorit përsa i përket xhiros: Eni, Enel, Sky, Mediaset, Tim, Vodafone, Wind Tre, Fastweb, Intesa SanPaolo, Unicredit, Poste Italiane, Ntv, Trenitalia. Kjo marrëveshje vjen pasi qeveria italian emori disa masa në ligjin e buxhetit për të vështirësuar delokalizimin e shërbimit call center dhe që hynë në fuqi në 1 prill.

Kohëzgjatja e protokollit është 18 muaj dhe pas një viti do të ketë verifikim.

Ndër pikat kyçe të protokollit të call center që është firmosur sot nënvizohet fakti se do të kufizohet delokalizimi i këtyre kompanive, sipas kushtit që : 80% e aktivitetit të realizohet në Itali.

Që në muajin dhjetor, kur parlamenti Italian kaloi në ligjin për buxhetin edhe masat shtrënguese, që synonin frenimin e delokalizimit të call center në vendet jashtë BE-së, kompanitë në Shqipëri i kanë marrë masat. Operatorët më të mëdhenj kanë regjistruar tashmë kompani edhe në Rumani, që duke qenë brenda BE-së nuk i nënshtrohet kufizimeve të masave shtrënguese.

Mbyllja e kompanive të vogla call center në Shqipëri ka filluar, të tjerë raportojnë vështirësi dhe në përgjithësi operatorët e tregut presin që deri në fund të vitit të bëhet më e qartë situata. Të tjerë kanë filluar të diversifikohen drejt shërbimeve të tjera, si web marketing apo dhe forex. Po synohet dhe tregu gjerman, por gjithsesi numri i të rinjve shqiptarë që dinë gjermanisht është shumë më i ulët se ai atyre që flasin italisht.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button