Home / Ekonomia / Sipërmarrjet e reja, mbështetje financiare 25 milionë lekë

Sipërmarrjet e reja, mbështetje financiare 25 milionë lekë

Këtë ka vendosur qeveria në mbledhjen e para dy diteve: Krijimin e Fondit në Mbështetje të Sipërmarrjeve të Reja “Start-up”, për një periudhë zbatimi 4 vjet, me vlerë të përgjithshme 25 000 000 (njëzet e pesë milionë) lekë.

graFondi i krijuar të fillojë në vitin 2014 dhe të zbatohet në këtë shtrirje kohore me vlerat e mëposhtme: Për vitin 2014, me vlerë fondi gjithsej 2.000.000 lekë; për vitin 2015, me vlerë fondi gjithsej 4.000.000 lekë; për vitin 2016, me vlerë fondi gjithsej 10.000.000 lekë dhe për vitin 2017, me vlerë fondi gjithsej 9.000.000 lekë. Sipërmarrje e re ose “Start-up” do të konsiderohet një kompani e sapokrijuar dhe në kërkim të tregjeve. Fondi në Mbështetje të Sipërmarrjeve të Reja, i krijuar në zbatim të këtij vendimi, do të financohet nga buxheti i shtetit dhe mund të ketë si burime financimi edhe fonde nga donatorë të ndryshëm apo institucione financiare ndërkombëtare. Përfitimi nga fonde të akorduara nga donatorët apo institucionet financiare ndërkombëtare, për këto sipërmarrje, nuk përbën pengesë për përfitim edhe nga ky fond.
Fondi ka për qëllim dhënien e ndihmës financiare në mbështetje të sipërmarrjeve të reja, ndërmarrje mikro dhe të vogla, që zhvillojnë veprimtarinë e tyre në: sektorët prodhues dhe të shërbimit; sektorin e industrisë së lehtë; sektorin e turizmit; fushën e kërkimit dhe të zhvillimit; procesin e agropërpunimit; fushën e disenjimit, modelimit, artizanatit. Gëzojnë të drejtën e përfitimit nga ky fond ato sipërmarrje të reja, të cilat e ushtrojnë veprimtarinë në sektorët e sipërpërmendur dhe janë të regjistruara pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, për një periudhë nga 1 deri në 2 vjet. Fondi mbulon 70% të kostove të pranuara dhe të miratuara nga Komisioni Vlerësues, në varësi të projektit konkurrues, por jo më shumë se 300.000 lekë. Në kostot e pranuara, sipas pikës 5, të këtij vendimi, përfshihen kostot për: investime në pajisje dhe teknologji për nxitjen e prodhimit/shërbimit; marketing të produktit dhe promovim; kualifikim dhe trajnim për rritjen e aftësive sipërmarrëse; krijim faqeje interneti e publikime materialesh promovuese; pjesëmarrje në panair ose ekspozitë brenda apo jashtë shtetit, si vizitor apo ekspozues. Sipërmarrjet e reja, për të përfituar nga fondi i përmendur, duhet të plotësojnë kushtet e mëposhtme: Të jenë ndërmarrje të klasifikuara si mikro ose të vogla, sipas ligjit nr.8957, datë 17.10.2002, “Për ndërmarrjet e vogla e të mesme”, të ndryshuar. Të kenë selinë ose vendin kryesor të prodhimit brenda territorit të vendit.Të kenë një plan biznesi ose një projekt dhe të jenë të afta për zbatimin e duhur dhe në kohë të aktiviteteve të propozuara. Të krijojnë minimalisht 1-3 vende të reja pune brenda 12 muajve nga momenti i përfitimit të fondit. Të jenë në gjendje të financojnë 50% të të gjitha kostove të projektit në fazën e aplikimit.
Pagesa e fondit të përfituar të bëhet 50% në fillim të projektit dhe 50% në fund të përfundimit të projektit, kundrejt faturës/faturave e cila/të cilat vërteton/vërtetojnë shpenzimet e kryera. Fondi i përfituar nuk mund të jepet më tepër se një herë për të njëjtën sipërmarrje. Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) është përgjegjëse për menaxhimin e Fondit në Mbështetje të Sipërmarrjeve të Reja dhe ngritjen e Komisionit Vlerësues sipas procedurave dhe kritereve që përcaktohen në rregulloren e funksionimit të këtij fondi, e cila miratohet me urdhër të ministrit përgjegjës për ekonominë. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përfshihen në buxhetin e ministrisë përgjegjëse për ekonominë, e cila krijon një zë të veçantë për këtë qëllim, për llogari të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA). Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) për zbatimin e këtij vendimi.

Leave a Reply

%d bloggers like this: