Home / Ekonomia / Ministri Cani: Reformim në sistemin e taksimit të pasurisë

Ministri Cani: Reformim në sistemin e taksimit të pasurisë

Eshtë zhvilluar dje në Tirane, tryeza e përbashkët me temë “Reforma territoriale dhe decentralizimi fiskal”.

caniIshin të pranishëm Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, Ministri i Çështjeve Vendore, Bledi Çuçi, kreu i komisionit të posaçëm të reformës territoriale, Bashkim Fino dhe përfaqësues të USAID-it, kryetarëv të Shoqatave të Bashkive e Komunave, eksperte, etj. Ministri i Financave Shkëlqim Cani ka paraqitur modelin fiskal që do të ndiqet pas zgjedhjeve vendore të 2015-s, kur vendi, nga 385 njësi, reduktohet në 61 Bashki. Nga ky reduktim përfitohen 6 miliardë lekë, që ministri Shkëlqim Cani ua premtoi pushtetit të ri vendor, se do t’iu mbetet atyre për investime, ndërsa do t’iu shtohen edhe të ardhura të tjera nga reforma e taksave, që pritet të prekë edhe ato kombëtare në favor të rritjes së të ardhurave të vendorëve.
“Ndarja administrative e re, tha ministri Cani, si thelbi i reformës së qeverisjes vendore erdhi si produkt i kontributit të të gjithë segmenteve të shoqërisë shqiptare. Në këtë kontribut përfshihet edhe faktori i jashtëm, nëpërmjet institucioneve dhe qeverive të ndryshme që mbështesin vendin tonë. Ky vit, në të cilin reforma më e fundit ndodhi, është finalizim i disa reformave fragmentare në këto 22 vitet e fundit, si një konkluzion i bazuar mbi efektivitetin ekonomik dhe financiar të vendit dhe në përgjigje të ndryshimeve demografike dhe sociale. Nga konsultimet publike dhe studimet e bëra në lidhje me buxhetin e pushtetit vendor, shpenzimet administrative krijonin një erozion në këtë buxhet prej më shumë se 50%.
Fragmentarizimi i njësive të qeverisjes vendore ka shumë vite që tregon se kostoja në ofrimin e shërbimeve bazë për qytetarët i kushton shtrenjtë buxhetit, ndërsa cilësia që përfitojnë qytetarët është e dobët, me mungesa dhe me kosto në rritje edhe prej korrupsionit (pagesa shpenzimesh për 373 kryetarë te njësive vendore, mbi 4,000 këshilltarë vendorë dhe rreth 20,000 nëpunës vendorë). Gjithshka që flet për pushtetin vendor na tregoi të gjithëve se një nga problemet kryesore për zgjidhje prej reformës territoriale është pikërisht ushtrimi de fakto, nga njësitë e qeverisjes vendore, të autonomisë fiskale dhe financiare që Kushtetuta dhe ligji jua njeh si të drejtë.
Pra, ulja e njësive nuk është qëllimi i kësaj reforme, por modeli i zgjedhur nga qeveria për të rritur vëmendjen në zgjidhjen e problemit historik të qeverisjes vendore, ai i decentralizimit fiskal dhe menaxhimit të financave publike. Kështu, pushteti qëndror mundëson efektivitet të shfrytëzimit të fondeve nga kompaktësimi i pushtetit vendor, nëpërmjet mirëmenaxhimit të shpenzimeve (kursehen rreth 6 miliardë leke ose 60 milion dollarë), por edhe me anë të rritjes së kapaciteteve të administrimit fiskal, duke shkuar në përputhjen e funksioneve të qeverisjes vendore me financat e tyre. Ministria e Financave po ndërmerr veprimet e nevojshme në fushën e buxhetit, si dhe në kuadër fiskal, që të sigurohet funksionimi kushtetues i njësive të qeverisjes vendore aktuale nëpërmjet buxhetit të vitit 2015.

Aktualisht, kemi filluar projektin e reformimit të sistemit të taksimit të pasurisë në vend, duke startuar me krijimin e të ashtuquajturës Kadastër Fiskale, e cila do të konsistojë në evidentimin e cdo pasurie në vend, sipas vlerës së tregut. Kjo do t’i hapë rrugë taksimit të pasurisë sipas vlerës së tregut. E filluam punën lidhur me taksën e pasurisë sepse është taksa më e keqadministruar ndër vite në vend, duke sjellë një minus vjetor rreth 0.55% të PPB ose rreth 7.6 miliardë lekë në vit, nga mos mbledhja e saj. Së shpejti do të propozojmë si pjesë e Paketës Fiskale për vitin 2015 ndoshta, ndryshimin e formulës së ndarjes së rentës minerale. Në bazë të ligjit të taksave kombëtare, 25% e të ardhurave nga renta minerale i jepet bashkive dhe komunave. Përpos kësaj në ligjin e buxhetit të shtetit është kufizuar marrja e kësaj rente nga bashkitë dhe komunat, duke e lidhur me shumën e transfertës së pakushtëzuar. Do të propozojmë ndryshimet e duhura në të dy ligjet. Synojmë që të fillojmë inkurajimin e fuqizimit financiar de facto të pushtetit vendor. Ky është një shans, që ne të rilindim financat e pushtetit vendor mbi rrënojat e modelit të vjetër, duke i bërë gjërat ndryshe. Ne mësojmë nga gabimet e të kaluarës, duke synuar të krijojmë një sistem fiskal dhe financiar për pushtetin vendor të fortë, të pavarur, duke u siguruar se kjo do të jetë më e mira e mundshme”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.