Home / Kosova / Kosova përgatitet për sanksione ndaj Rusisë

Kosova përgatitet për sanksione ndaj Rusisë

Kosova shumë shpejt pritet që t’i vejë sanksione Rusisë, duke ndjekur hapin e Bashkimit Evropian.

prishtinaMinistria e Punëve të Jashtme tashmë ka koordinuar dhe analizuar mundësinë që t’i vejë sanksione Rusisë. Edhe profesor të marrëdhënieve ndërkombëtare kanë theksuar se Kosova, ndonëse me kapacitete të limituara që i ka, duhet të ndjek politikat e Bashkimit Evropian dhe t’i vejë sanksione Rusisë. Madje, sipas tyre, do të ishte fatale çfarëdo veprimi tjetër që nuk do të ishte në përputhje me politikat e BE-së dhe SHBA-së.
Për mundësinë e vënies së sanksioneve ndaj Rusisë, përmes telefonit e ka konfirmuar për KosovaPress, Bashmir Xhemaj, këshilltar i Ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj. “Ne si Ministri e Punëve të Jashtme kemi koordinuar dhe analizuar mundësinë vendosjes së sanksioneve kundër Rusisë, një veprim tashmë i ndërmarr nga partnerët tanë SHBA dhe BE. Në bashkëpunim edhe me institucionet tjera relevante në Kosovë kemi ndërmarr të gjitha masat e përgatitjes së pakos ligjore dhe i mbetet Qeverisë të marr vendim për të hyrë në fuqi”, tha Xhemaj.
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti, thotë se veprimet e fundit të BE-së kanë qenë krejtësisht të pritshme, në kuptimin se edhe BE-ja nuk kishte alternativë përveç se të impononte sanksione pas vendimit të SHBA-ve që ta sanksiononin Rusinë. Sipas tij, në këtë drejtim nuk sheh shumë hapësirë tjetër edhe për kundër mundësive shumë të limituara të Kosovës, pasi që Kosova është shtet i vogël dhe nuk afektohet nga ajo masë apo ajo natyrë e sanksioneve që i imponohen Rusisë.“Në këtë drejtim Kosova në kuptimin e mundësive materiale është jashtëzakonisht e limituar sepse është në radhë të parë shtet i vogël, në radhë të dytë nuk ka kapacitete të tilla, por edhe në se ka, i ka të limituara. Megjithatë, në kuptimin strategjik, Kosova nuk guxon të bëjë gabime që do të konsideroheshin fatale nëse do të shmangej nga linja politike e BE-së dhe SHBA-ve, dhe në këtë drejtim jam shumë i bindur se Kosova duhet të ndjek politikën e njëjtë me BE-në dhe SHBA-në. Çfarëdo vendimi që ka lidhje me këto sanksione do duhej të ishte njëqind për qind të përputhshme me vendimet e BE-së dhe SHBA-ve”, tha Hoti.
Në mesin e këtyre masave që BE-ja i ka vënë Rusisë, është ndalimi i lëvizjes së lirë të njerëzve, përkatësisht të autoriteteve kryesore ruse, ndalja e kredive që bankat evropiane do t’iu jepnin kompanive nga Rusia dhe eventualisht ndalimi i importeve të prodhimeve të tyre që si partner e shohin BE-në. Megjithatë, edhe pse BE-ja tashmë ka vënë sanksione ndaj Rusisë, pretendenti për t’iu bashkuar familjes së madhe evropiane Serbia, nuk ka shprehur gatishmëri që t’i aplikoj sanksionet për Rusinë. Profesori Hoti për këtë thotë se Kosova si shtet i pavarur duhet të veproj pa u ndikuar nga shtetet tjera të Ballkanit, qoftë edhe nga Serbia sepse politikat e dy shteteve janë krejtësisht ndryshe.
“Si vend sovran, ne jemi autoriteti përfundimtar që merr vendime për funksionalitetin e vendit. Në këtë drejtim, pa asnjë dilemë duhet ta zbatonim vendimin e BE-së për sanksione në ato pika ku ne tangohemi ose prekemi. Mbi këtë bazë mund të ndalojmë importin e prodhimeve ruse, në radhë të dytë të ndalonim hyrjen e atyre autoriteteve që janë në listën e BE-së dhe SHBA-së për të hyrë në territorin e Kosovës. Çfarëdo tentimi tjetër nga Serbia për thyerje të këtyre sanksioneve do duhej të ishte në vëmendje të autoriteteve të Kosovës dhe është Kosova që do duhej ta ndalonte”, theksoi Hoti. Ai shtoi se Serbët nuk ngurrojnë ta thonë edhe publikisht që përkundër dëshirës së tyre që të jenë pjesë e BE-së, e kanë jashtëzakonisht vështirë ndaljen ose eventualisht shkëputjen nga tradita që i lidh me Rusinë.

Leave a Reply

%d bloggers like this: