Home / Bota / SHBA, BE, sanksione të reja ndaj Rusisë

SHBA, BE, sanksione të reja ndaj Rusisë

europaE premte, 12 shtator, 2014

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë vendosur një paketë sanksionesh të reja ekonomike kundër Rusisë si rezultat i veprimeve të saj në Ukrainë.

Sanksionet e reja të Bashkimit Evropian hynë në fuqi sot dhe kanë në shenjestër firma të sektorit energjetik rus, përfshirë Rosneft – kompania më e madhe ruse e naftës, Gazprom Neft – dega që merret me naftën brenda Gazpromit dhe Transneft – operatori rus i tubacioneve. Po ashtu sanksionet vënë në shenjestër edhe firma të mëdha të mbrojtjes, duke mos i lejuar këto kompani të sigurojnë investitorë apo kredi në tregun e BE-së.

Sanksionet vënë në shenjestër edhe individë, përfshirë udhëheqës të separatistëve pro-rusë si dhe biznesmenë dhe politikanë të njohur rusë, ndër të cilët Sergei Chemezov, një bashkëpunëtor i afërt i Presidentit Vladimir Putin, i cili kryeson firmën e armëve dhe teknologjisë Rostec, si dhe politikanin ultra-nacionalist Vladimir Zhirinovski.

Edhe sanksionet e reja amerikane godasin kompani të energjisë dhe mbrojtjes ruse si dhe banka ruse, përfshirë për herë të parë masat kundër Sberbank, banka më e madhe e Rusisë.

Presidenti Putin tha se sanksionet e reja minojnë procesin e paqes në Ukrainën lindore, por shtoi se përgjigja e Moskës do të përqëndrohej tek mbrojtja e prodhuesve rusë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.