Opinion

Bye-bye Jozefinë!… Dhe ja se si bëhesh deputet në Britaninë e Madhe

Nga Mustafa Nano

Këto ditë, teksa shtypi është marrë me listat e kandidatëve për deputetë, unë u vura të rrëmoja në bibliotekën time për të gjetur një libër të britanikut Gyles Brandreth, gazetar e shkrimtar. Dhe ish-deputet. Libri i tij, në fakt,…

Këto ditë, teksa shtypi është marrë me listat e kandidatëve për deputetë, unë u vura të rrëmoja në bibliotekën time për të gjetur një libër të britanikut Gyles Brandreth, gazetar e shkrimtar. Dhe ish-deputet. Libri i tij, në fakt, është një ditar, ku përshkruhet jeta e tij politike, nga momenti që i shkoi në mendje të bëhej deputet deri në momentin që e mbylli karrierën e tij politike. Gjithë-gjithë ishin gjashtë vjet (1991-1997). U ngjit e ra, si të thuash, tok me John Majorin, që atëmot ishte kryetar i partisë konservatore. Pasoi Margaret Thatcherin. Dhe u pasua nga Tony Blairi. Por ngjitja e rënia e Brandrethit nuk ishin të lidhura me ndonjë vullnet apo tekë, apo qejf apo fund të kryetarit të partisë. Për këtë e kam këtë shkrim.

Jeta politike e Brandrethit më intereson për t’ju treguar se si mund të bëheshe deputet në Britaninë e Madhe në fillim të viteve ‘90 (në thelb është e njëjta gjë edhe sot; dhe është njësoj, si për konservatorët, edhe për laburistët). Gyles Brandrethit ia dha në kokë për t’u bërë deputet. Ai ishte një gazetar me prirje e bindje konservatore. Ai mendonte se, si konservator, mund të ishte i dobishëm në jetën parlamentare. Prandaj, duhej tentuar. Dhe bëri një aplikim, ku shprehte dëshirën për të kandiduar në distriktin elektoral të Chesterit. Këtë aplikim, të shoqëruar me disa rekomandime të rëndësishme, ia dërgoi degës lokale të partisë konservatore. Pas nja një muaji, i vjen një përgjigje: “Ju duhet të paraqiteni për një intervistë, ku do t’ju bëhen pyetje dhe ku juve do t’ju duhet të mbani për dhjetë minuta një fjalim pa letër, mbi një argument të caktuar që do ta zgjidhni ju vetë”. Kur u paraqit atje, i bënë disa pyetje. Edhe pyetjen: Ç’do të thotë për ty të jesh konservator? Ndërsa ai vetë shpjegoi për dhjetë minuta pse donte të bëhej deputet. “Që i vogël kam ëndërruar të përfaqësoj Chesterin në Parlament”, -tha midis të tjerash.Pas ca kohësh, të njëjtin grup kandidatësh e ftuan në një veprimtari tjetër. Këtë herë tok me gratë a burrat e tyre. Donin që të krijonin një ide edhe mbi familjet e kandidatëve. Dhe Brandrethi u kënaq me performancën e së shoqes. “What a woman, what a wife”, ia bënte, teksa e shihte që po linte shije të mirë tek të gjithë. Të nesërmen, ishte radha e një provimi të dytë. Përballë një jurie të përbërë nga 14 vetë, të ulur rreth në një vijë në trajtë patkoi, Brandrethi shpjegoi mirë e bindshëm kredot e tij politike: “Parimet e idetë janë gjëja më e rëndësishme për mua; unë jam konservator sepse besoj te liria, individualiteti, te shanset e barabarta, e te natyra kuturisëse e njeriut; unë jam i sigurt se këto parime e bëjnë shoqërinë më të shëndetshme, më të lumtur, më të hapur; vetëm kështu shoqëria shton begatinë dhe e përdor atë për të krijuar një cilësi më të mirë jete për të gjithë” etj. etj.

Kalojnë ca ditë dhe Brandrethit i vjen një letër tjetër, ku e njoftonin se ai “ishte një nga tre kandidatët finalistë”. Po në atë letër i thuhej se që të tre do duhej të takoheshin me anëtarët e këshillit ekzekutiv të Partisë Konservatore. Në një ditë të caktuar, secili prej këtyre të treve do duhej të fliste për pesëmbëdhjetë minuta mbi të njëjtin argument: Si kishin menduar ata ta organizonin fushatën elektorale në Chester. Me të mbaruar prezantimin, do bëheshin pyetje të ndryshme nga anëtarët e këshillit. Në fund do votohej nga po këta anëtarë. Nëse njëri prej tre konkurrentëve merrte mbi 50% të votave, ai do duhej të prezantohej përpara një forumi tjetër, që quhej General Meeting, ku kandidaturës së tij do t’i vihej vula. Nëse asnjëri prej kandidatëve nuk merrte mbi 50% të votave të këshillit, atëherë do kalonin për më tutje dy kandidatët që kishin marrë numrin më të madh të votave. Në këtë Meeting të fundit, kandidati ose kandidatët (nëse do kalonin dy syresh) do mbanin sërish një fjalë, e do t’iu përgjigjeshin pyetjeve të tjera. Në fund do të votohej dhe aty për aty do të shpallej kandidati i vetëm i partisë për distriktin elektoral të Chesterit.

Kështu pra është zgjedhur kandidat Gyes Brandrethi. Këtij i është dashur të kalojë disa situata (provime), në të cilat ai ka demonstruar se kush është, nga vjen, a është në gjendje të shprehë mendimet e veta përpara të tjerëve, çfarë formimi ka, çfarë mendon ai për botën apo për Britaninë e Madhe, cilat janë kredot e tij politike, pse kërkon të kandidojë, si mendon që të fitojë etj. etj. Ai nuk iu fut kësaj pune, ngaqë kishte ndonjë mik që i kish dhënë garanci të plota apo ngaqë kish ca kontakte që do ta ndihmonin. Nuk përjashtohet që ai apo dikush tjetër të shfrytëzojë ndonjë kontakt me ndonjë të pushtetshëm, por ky kontakt nuk mund t’i vlejë për asgjë, nëse ai vetë nuk vlen hiç. Sepse së pari, asnjë mik nuk është aq i çmendur sa të marrë përsipër të bëjë deputet një hiç dhe së dyti, procedurat nuk janë në dorë të një njeriu të vetëm. Atë të dy apo të tre vetëve. As në dorë të kryetarit të partisë, i cili është krejt jashtë kësaj loje. Gyles Brandrethi, meqë ra fjala, e takoi John Majorin për herë të parë gjatë fushatës elektorale, kur kryetari shkoi të bënte një takim me zgjedhësit në Chester. Iu duket përrallë? Ok, vijoni atëherë të jetoni me idenë se edhe në Angli gënjejnë, janë hipokritë, mashtrojnë. Është e njëjta logjikë që i bën ca të tjerë të thonë, për të legjitimuar të gjitha prapësitë që ndodhin në Shqipëri, se kudo ka korrupsion, se kudo sistemi i drejtësisë nuk jep drejtësi, se kudo politikanët e kanë mendjen për të vjedhur (veçse vjedhin me lezet dhe me masë!!!), se edhe në Britaninë e Madhe janë kryetarët e partisë që kanë në dorë të zgjedhin se cili do jetë kandidat për deputet etj. etj.

Ah po, mund të thuhet se kjo procedurë britanike nuk ndodh në vende të tjera. Ka shumë vende demokratike, pra ku kandidatët për deputetë zgjidhen edhe mbi bazën e njohjes, kontakteve, miqve të rëndësishëm, por as kjo nuk mund të shërbejë si një alibi për askënd. Në Shqipëri ndodh diçka që nuk ka pikën e kuptimit: Kandidatët për deputetë i zgjedh kryetari i partisë. Është po kryetari që vendos se dikush nuk duhet të jetë më deputet (bye-bye Jozefinë!). Pa asnjë kriter logjik, ideologjik, politik, kulturor. Pa u konsultuar me askënd tjetër. Thjesht sepse ashtu ia thotë truri.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button