Ekonomia

Financat mbajnë frenat për investimet, nuk realizojnë as planin e 4-mujorit

Investimet kapitale kanë qenë padyshim pika më e dobët e qeverisjes, ku përveç uljes së fondeve, si rrjedhojë e politikave shtrënguese fiskale, realizimi i planit ka hasur dobësi të theksuara, pa vënë në diskutim eficencën e investimeve.

Edhe ky vit ka vijuar në të njëjtat shina, edhe pse në sfond janë zgjedhjet e përgjithshme. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, plani i investimeve kapitale për 4-mujorin rezultoi 8% më i ulët se programi. Muaji prill shfaqi shumë dobësi me një mosrealizim nga plani me 22%.

Investimet janë mjeti i kryesor i qeverisë për të stimuluar rritjen ekonomike. Përvoja ka treguar se investimet në rrugë ndikojnë drejtpërsëdrejti rritjen ekonomike. Sidomos në vitet zgjedhore, për shkak të ndjeshmërisë që kanë rrugët te votuesit, investimet në këtë sektor kanë kapërcyer gjithmonë parashikimet, por këtë vit jo vetëm qe tejkalim nuk ka po nuk po shpenzohen as fondet në dispozicion.

Sipas të dhënave zyrtare, shpenzimet për investimet kapitale arritën 14.4 miliardë lekë nga 15.7 miliardë lekë që ishin planifikuar me një mosrealizim prej 8%. Investimet anemike u shndërruan në një fenomen të viteve të fundit, ku sipas të dhënave të Ministrisë së Transportit, vitin e kaluar janë ndërtuar vetëm 29 kilometra rrugë.

Sipas të dhënave të detajuara nga Ministria e Financave në tremujorin e parë janë financuar rreth 10 miliardë lekë të shpërndara në afërsisht 400 zëra dhe projekte, ku dominon përgjithësisht financimi me vlera të vogla.

Projekti më i financuar këtë vit është një zë shpronësimesh, prej 1,3 miliardë lekësh ose rreth 10 milionë euro që është përdorur si kompensim për ndërtimin e infrastrukturës energjetike. I dyti në radhë për sa i përket financimit vjen projekti i rrugës, Qukës – Qafë Plloqë, që ka marrë nga buxheti i shtetit për tre muajt e parë një financim prej 941 milion lekësh ose 6.8 milionë euro.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button