Ekonomia

Shqipëria, pozitive në lupën e vlerësimeve ndërkombëtare

Marrëveshja që qeveria e re nënshkroi me Fondin Monetar Ndërkombëtar, menjëherë pasi erdhi në pushtet, së bashku me angazhimin e saj për konsolidim fiskal dha një sinjal pozitiv për agjencitë vlerësuese. Në çdo raport, ata e vinin theksin në këtë marrëveshje, që shërbente si një garanci se qeveria do të tentonte të mbante angazhimet e saj.

Treguesit e përkeqësuar financiarë, borxhi i fshehur dhe mungesa e një marrëveshjeje me FMN-në kishin bërë që Standard & Poor’s të ulte vlerësimin e borxhit të Shqipërisë nga B+ në B në dhjetor të vitit 2013. Në tetor 2014, S&P mbajti vlerësimin B, me perspektivë pozitive. Në shkurt 2016, S & P e rriti sërish vlerësimin për Shqipërinë në B+ me perspektivë të qëndrueshme.
Renditja e fundit e Moody’s për Shqipërinë ishte B1, me pritshmëri të qëndrueshme.

Goditja më e rëndë për qeverinë ishte në tetor 2015, kur raporti i Bankës Botërore “Të bësh biznes 2016” e zbriti Shqipërinë në vendin e 90, me një përkeqësim prej 35 vendesh. Të gjithë treguesit shënuan përkeqësim, me përjashtim të mbrojtjes së investitorëve të pakicës, ku Shqipëria është përmirësuar me 10 vende. Rënien më të madhe e shënoi dhënia e lejeve të ndërtimit, ku Shqipëria ka zbritur me 67 vende në pozicionin e 189. Bllokimi i lejeve të ndërtimit duket se ka ndikuar në këtë përkeqësim, pasi në tre treguesit, numri i procedurave, koha (ditë) dhe kosto (% e vlerës së ndërtesës) është shënuar që nuk ka praktikë. Rezultat negativ mori dhe pagimi i taksave, me një rënie me 12 pozicione, duke zbritur në vendin e 142. Norma totale e taksave në përqindje ndaj fitimit ishte 36.5%, nga 34.8% që është mesatarja e Europës Lindore dhe Azisë dhe 41.2% që është për vendet me të ardhura të larta të OECD. Rritja e tatimfitimit nga 10 në 15% nga 1 janari 2014 rezulton të ketë shtuar barrën e taksave për bizneset. Marrja e kredisë ka zbritur me 6 pozicione; energjia me 3; regjistrimi i pasurisë me 3 vende. Edhe fillimi i një biznesi, një nga treguesit ku Shqipëria kishte pasur ecurinë më të mirë vitet e fundit është përkeqësuar me 4 pozicione, duke zbritur në vendin e 58.

Shqipëria e mori veten në renditjen e një viti më vonë, ku në tetor 2016, raporti “Të bësh biznes 2017” e ngjiti me 32 vende në të 58-in, duke rikuperuar thjesht humbjen e një viti më parë. Pavarësisht përmirësimit, ajo ka renditjen më të përkeqësuar në raport me vendet e tjera të rajonit, duke lënë pas vetëm Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën. Në krahasim me rajonin, Shqipëria ka dy tregues që i ka më keq se gjithë shtetet e tjera, regjistrimin e pasurisë, në pozicionin e 106 (më negativi pas nesh është Bosnja në vendin e 99) dhe sidomos zgjidhjen e aftësisë paguese, në vendin e 163 (më i keqi pas nesh është Kroacia në vendin e 54). Në treguesin e pagimit të taksave, Shqipëria është e parafundit në rajon, në vendin e 97, duke lënë pas Bosnjën në vendin e 133.

Po sipas treguesve të Bankës Botërore, Shqipëria është një ndër vendet me barrën fiskale më të lartë në rajon, së bashku me Serbinë. Bizneset shqiptare paguajnë 36.5% të fitimeve si taksa, ndërsa në Serbi, ky tregues është pak më i lartë në 39.7%. Më i ulët ky tregues është në Maqedoni, me vetëm 13% të fitimeve të bizneseve që shkon për të paguar taksa, e ndjekur nga Kosova që e ka këtë tregues 15.2%, Mali i Zi 22.2% dhe Bosnja 22.6%.

Shqipëria dhe Serbia kanë nivelin total të taksës, në përqindje ndaj fitimit, më të lartë sesa mesatarja e Europës Qendrore e Azisë, që është 33.8% dhe janë në nivele të krahasueshme me vendet e zhvilluara të OECD-së, që e kanë këtë tregues në 40.9%.

Sipas tabelave krahasuese të përpunuara nga raporti “Doing Business 2017” i Bankës Botërore, Shqipëria, së bashku me Serbinë kanë nivelin më të lartë të taksave në rajon, në TVSH, kontributet e sigurimeve, që paguhen nga punëdhënësi dhe tatimin mbi korporatat.

Shqipëria dhe Serbia kanë nivelin më të lartë të TVSH-së, në 20%. Në Maqedoni, niveli më i lartë i TVSH-së është 18%, ndërkohë që vendi ka dhe një TVSH të reduktuar prej 5% për produkte ushqimore, produkte mjekësore, makineri bujqësore, publikime, shitja e parë e ndërtesave dhe apartamenteve si dhe transporti dhe akomodimi. Mali i Zi e ka TVSH-në 19%, Bosnja 17% dhe Kosova në nivelin më të ulët prej 16%. Vetëm muajin e fundit, në një përpjekje krejt të veçuar e të palidhur me një reformë sektoriale, që tingëllon më shumë si një manovër elektorale se sa një vijimësi e reformës fiskale, Qeveria shqiptare ka vendosur të ulë TVSH-në për akomodimin në 6%, në linjë me vendet e rajonit.

Ndërsa përpara vitit 2008, i gjithë rajoni u fut në një garë të ethshme se kush i ulte sa më shumë taksat dhe zbatonte taksë të sheshtë në nivelin e afër 10%, me përshkallëzimin e krizës ekonomike, rezulton se pas krizës ekonomike vetëm Serbia dhe Shqipëria e rritën taksën mbi korporatat në 15%. Shtetet e tjera vazhduan të ruajnë norma të ulëta të tatimit që paguajnë sipërmarrjet. Mali i Zi ka aktualisht nivelin më të ulët të kësaj takse në rajon, në 9%, ndërsa Maqedonia, Kosova dhe Bosnja e kanë atë në 10%.

Shqipëria, së bashku me Serbinë, renditen ndër vendet që kanë nivelin më të lartë të kontributeve të sigurimeve shoqërore të paguara nga punëdhënësi në 15% dhe 17.9% përkatësisht. Megjithatë, Serbia po tregohet më agresive se Shqipëria në tërheqjen e investimeve të huaja, duke i “joshur” të huajt me subvencione direkte për punonjësit. Maqedonia e ka të gjithë barrën të transferuar te punëmarrësi, në nivelin e 27%. Kjo është një nga arsyet kryesore që Maqedonia rezulton me normën më të ulët të taksës ndaj përqindjes së fitimit të bizneseve (12.9%). Edhe Mali i Zi ndjek të njëjtën logjikë, ku kontributet e paguara nga punëdhënësi janë vetëm 5% dhe ato të punëmarrësit 24%. Edhe në Bosnjë, punëdhënësi paguan 10.5% dhe punëmarrësi 31%. Nivelin më të ulët të kontributeve e ka Kosova me 5% punëdhënësi dhe po aq punëmarrësi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button