Europa

Koment: Një mur i ri i Hadrianit pas rënies së murit të Berlinit?

Ajo që ishte e paimagjinueshme për një kohë të gjatë, është e mundur: Skocia mund të bëhet një shtet i pavarur. Por Evropës nuk ka nevojë për kufij të rinj, mendon Christoph Hasselbach.

Muri i Hadrianit

Dikush synon të ndërtojë një mur. Natyrisht në kuptim figurativ. Udhëheqësi i nacionalistëve skocezë, Alex Salmond, natyrisht që nuk do të ndërtojë murin e vjetër të Hadrianit ndërmjet Skocisë dhe Anglisë dhe ta bëjë kufirin të padepërtueshëm, por dëshiron një shtet të vetin dhe ai sigurisht do të kishte një kufi të vërtetë shtetëror me Anglinë. Pavarësisht se sa i kalueshëm do të ishte ky kufi, ai do të ndante mendërisht dhe praktikisht edhe në jetën e përditshme, atë çka kanë e lidhur për më shumë se 300 vjet.

Dhe Skocia mund të ishte vetëm fillimi. Sikur skocezët të fitonin shtetin e tyre, atëherë përse Spanja duhet t’i mohojë katalanëve dhe baskëve pavarësinë? Përse Flandra të mos shkëputej ng a Belgjika, një rast shumë i vështirë ky, sepse Flandra është pjesa me popullsi më të madhe dhe ekonominë më të fortë, Valonia e vetme nuk mund të mbijetojë. Çfarë do të ndodhte me Valoninë? Dhe kështu mund të vazhdosh të spekulosh: A do t’u binte ndonjëherë ndër mend bavarezëve, që ta merrnin fjalë për fjalë kuptimin e Freistaat, shtet i lirë, apo të taksës për përdorimin e rrugëve për prusianët? Liri për Tirolin e jugut, për Bretanjën?

Në fakt fjala është për para

Christoph Hasselbach
Christoph Hasselbach

 

Pretendimi i shtypjes ka qenë i justifikuar në shumë prej këtyre zonave para disa dekadash, apo shekujsh, por jo më sot. Edhe kulturën skoceze Londra nuk e pengon sot më. Ata kanë madje prej kohësh parlamentin e tyre. Një pavarësi të ngjashme ka tashmë edhe Katalonja. Kompentencat e vendimmarrjes rajonale mund të zgjerohen edhe më tej, siç pranoi kryeministri David Cameron, edhe pse me vonesë. Por sot në BE nuk ekziston më nevoja për një shtet të pavarur, që ta mbrosh veten si komunitet brenda një kombi të përbashkët.

Nga ana tjetër kriza financiare ka treguar se kur gjendja vështirësohet, kuadrin e referencës e krijon një herë shteti komb, jo BE. Nga ndihma britanike, meqë ra fjala, ka përfituar edhe Banka Mbretërore e Skocisë. Mbetet çështja e parave, të cilat rrjedhin me sa duket në mënyrë të paarsyeshme nga Skocia në drejtim të Londrës. Dhe ky duket se është faktori vendimtar në Skoci, ashtu si dhe në Katalonjë, apo në Flander: Një rajon relativisht i begatë dëshiron të mbajë për vete pasurinë e tij, në vend që ta lërë t’u shpërndahet nga një qendër të gjithëve. Por a mund të ngresh mbi këtë bazë pretendimin për shtetin tend?

Shumë pyetje të hapura

Argumenti ekonomik nuk mbahet gjithsesi në këmbë të forta. Sepse nëse Skocia do të shkëputej nga pjesa tjetër e Mbretërisë së Bashkuar, të dyja do të dobësoheshin. Dyfish shërbime diplomatike, dyfish forca të armatosura, dy herë administrata në të gjitha nivelet kushtojnë më shumë, se në qoftë ato i bën vetëm një herë si deri tani. Dhe pavarësia do të sillte me vete një numër të madh çështjesh të hapura, për të cilat nuk ka akoma përgjigje.

A mund ta mbash shtetësinë britanike, nëse banon në Skoci? Si t’i ndash sipërmarrjet e përbashkëta, si për shembull borxhin kombëtar? Cilën monedhë do të kishte shteti i ri? (Salmond dëshiron të mbajë stërlinën, Londra e përjashton një mundësi të tillë.) A do të ishte në gjendje një Skoci e pavarur, t’i bashkohet pa një pa dy NATO-s dhe BE-së? (Presidenti i deritanishëm i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso ka thënë se Skocia duhet pastaj të kalojë nëpër një proces normal pranimi dhe një nga shtetet anëtare, për shembull, Britania e Madhe, apo Spanja, do të mund t’ia pengonte kandidaturën me anë të vetos.)

Një treg i vogël i brendshëm

Edhe në qoftë se dikush me vullnet të mirë do të zgjidhte të gjitha çështjet e veçanta: Pasiguria e rëndon tashmë sterlinën dhe të gjithë ekonominë Britaninë e Madhe. Me një “po” për pavarësinë do të kishte një periudhë tranzicioni disamujore, ose disavjeçare, që do të sillte me vete turbullira të mëdha. Përse e gjitha kjo? Të kthehemi edhe një herë në BE: Një avantaz, që Bashkimi Evropian e ka edhe sipas vlerësimit të euroskeptikëve britanikë (anglezë, skocezë, valizë) është tregu i brendshëm, liria për individët, kompanitë dhe kapitalin për të lëvizur lirshëm në BE, jashtë kufijve të shteteve.

Shumë më mirë se tregu i brendshëm evropian funksionojnë tregjet e vogla kombëtare vendase, për shembull ai britanik midis Skocisë dhe pjesës tjetër të Mbretërisë së Bashkuar. Që ta pengosh këtë liri me një kufi të ri, do të ishte një hap prapa në partikularizëm. Evropa nuk ka nevojë për kufij të rinj. Të dashur skocezë, muri i Hadrianit është gati 2000 vjeçar dhe është pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Është e mjaftueshme, nëse ai mbetet një atraksion turistik.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button