Home / Arte / Teater / Nga Shekspiri te Viktor Eftemiu

Nga Shekspiri te Viktor Eftemiu

Teatri Eksperimental “Kujtim Spahivogli” prezanton repertorin e 2014-2016

Teatri eksperimenta (2)Teatri Eksperimental “Kujtim Spahivogli” ka prezantuar dje repertorin për sezonin 2014-2016, si dhe bordin artistik të këtij institucioni. Një repertor ku ndërthuret dramaturgjia klasike me atë bashkëkohore, pritet ta bëjë këtë institucion dinamik për publikun. Shekspiri do të vijë në skenën e këtij teatri përmes dy pjesëve të tij më të mira, si “Makbethi” dhe “Hamleti”. Anton Çehovi do të vijë me pjesën e njohur “Tri motrat”, Brecht me “Arturo UI”, Ray Cooney me “Shiko kush erdhi”, Anthony Neilson me “Gënjeshtër për gënjeshtër”, Eric Emmanuel Schmitt me “Tradhtia e Ainshtajnit”, Giambattista Basile me “Mbretëritë magjike”, Hans Christian Andersen me “Gjëja më e pabesueshme në botë”, Thomas Crane me “Uji që vallëzon, molla që këndon dhe zogu që flet”, Giovanni Straparola me “Derrkuci mbret”, Lafcadion Hearn me “Burimi që të rinon”, Giambattista Basile me “Mbretëritë magjike”, Andre Lang me “Një dhëndër për miushen”, Earl Mac Rauch me muzikalin “New York New York”, Irene Mecchi, Jonathan Roberts, Linda Woolverton me muzikalin “Mbreti luan”. Teatri eksperimenta (1)Nuk do të mungojë as dramaturgjia shqipe. Viktor Eftemiu do të vijë me pjesën “Njeriu që pa vdekjen me sy”, ndërsa Andon Zako Çajupi me komedinë “Pas vdekjes”. Në bordin artistik të këtij institucioni janë: Alida Cenaj, prof. Elida Rapti, Ilirjana Dema, Geraldina Prodani, Ledia Mirakaj, Rina Cela Grasset dhe Laureta Halilaj. “Bordi artistik ka përzgjedhur pjesët dramaturgjike për këto dy vite dhe regjisorët do të sjellin pranë Teatrit Kombëtar Eksperimental ‘Kujtim Spahivogli’ konceptet e tyre regjisoriale për veprat e mësipërme. Vendimin për regjisorin e shfaqjes do ta marrë titullari i institucionit dhe drejtori i zhvillimit. Këta dy të fundit përcaktojnë edhe kalendarin e shfaqjeve”, është shprehur drejtori i teatrit “Kiço Londo”. Gjatë këtyre viteve do të jetë dhe Festivali i Aventurës me veprat “Njeriu që pa vdekjen me sy” dhe “Pas vdekjes” me pesë regjisorë të ndryshëm, pesë trupa të ndryshme, pesë kostumografi dhe pesë skenografi të ndryshme. Shfaqjet do të jepen në gjashtë rajone të ndryshme të Shqipërisë për t’u takuar një ditë të vetme në Tiranë gjatë festivalit ku do të përzgjidhen, shfaqja më e mirë, regjisori më i mirë, skenografi më i mirë, aktori dhe aktorja më e mirë. Nëse shfaqja fituese vlerësohet se i përmbush kriteret e nevojshme nga BA i TKEKS, atëherë ajo do të bëhet pjesë e repertorit të vitit në vijim. Zhvillimi i Teatrit të Oratorisë Publike është një tjetër iniciativë e këtij teatri. Figura të njohura të fushave të ndryshme, profesionistë shqiptarë apo të huaj, në sallën e teatrit do të mbajnë ligjërata për të krijuar kështu kulturën e oratorisë publike. Në kuadër të zhvillimit të dramës bashkëkohore shqipe, në muajin janar 2015, TKEKS do të hapi konkursin për pesë sinopse, nga të cilët do të përzgjidhet më i miri. Më pas autori do të merret në rezidencë nga TKEKS, ku për një periudhë 3-4 mujore së bashku me regjisorin dhe kastin e aktorëve të propozuar nga TKEKS do të zhvillojë pjesën dramaturgjike për të arritur në produktin final. “Kjo është një formë që për herë të parë praktikohet në vendin tonë por që ka një praktikë shumë të njohur dhe rezultateve mbarëbotërore”, tha Londo.

Leave a Reply

Your email address will not be published.