Ekonomia

Valë dorëheqjesh në BSH, ikën shefi i personelit

Gjoni komandon sekretarin e Këshillit Mbikëqyrës, Elvis Çibuku, te Departamenti i Burimeve Njerëzore

Të komanduarit – Deri tani janë komanduar katër drejtorë: Në Departamentin e Emisionit, të Sigurisë, të Burimeve Njerëzore dhe në degën e BSH-së Elbasan

Sekretari – Sekretari i Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së komandohet përkohësisht edhe në Departamentin e Burimeve Njerëzore

Nga Zamir Alushi

eliNjë numër dorëheqjesh janë dorëzuar në Departamentin e Burimeve Njerëzore të Bankës së Shqipërisë (BSH), ndërkohë që vetë drejtori i burimeve është larguar para dy ditësh. Dorëheqjet kanë lidhje me hetimet që po kryhen në këtë institucion për vjedhjen e 713 milionë lekëve në Departamentin e Emisionit, pasi, sipas burimeve nga prokuroria, një pjesë e të larguarve janë në listë për t’u pyetur.

Dy të komanduarit

Në kushtet e emergjencës, guvernatorja në detyrë e BSH-së, Elisabeta Gjoni, ka bërë zëvendësimin e përkohshëm duke komanduar në këtë detyrë sekretarin e Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së, Elvis Çibuku. Çibuku do të vazhdojë të kryejë edhe këtë detyrë, deri në zgjedhjen e një sekretari të ri, pas rikompozimit të Këshillit Mbikëqyrës dhe të organeve drejtuese. Ndërkaq, ka ndryshuar edhe drejtori i degës së Bankës së Shqipërisë në Elbasan, ku në krye është emëruar Thoma Rula. Emërimi i Çibukut, pra vendosja e personit kyç të bordit drejtues, do të krijojë një kontroll të drejtpërdrejtë mes lëvizjeve apo shkarkimeve dhe këshillit. Sekretari i Këshillit Mbikëqyrës emërohet nga këshilli prej personelit drejtues të BSH-së. Sipas ligjit, sekretari nuk është anëtar i Këshillit Mbikëqyrës. Në dallim nga institucionet e tjera, punonjësit e bankës nuk janë pjesë e statusit të nëpunësit civil, por emërohen dhe shkarkohen në bazë të një rregulloreje të miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës, i cili parashikon edhe mënyrën e konkurrimit apo lëvizjes në detyrë në këtë administratë.

Drejtorët e thesarit dhe sigurisë

Pas konkluzioneve të grupeve të punës të ngritura me urdhrin e administratorit, me objekt konstatimin e parregullsive në funksionimin e arkës për veprim dhe arkës stok në Departamentin e Emisionit, grupit të punës për konstatimin nëse ka pasur rrjedhje të informacionit sekret shtetëror, dhe komisioneve të inventarizimit të vlerave monetare në Bankën e Shqipërisë, drejtuesit e BSH-së, pak ditë pas arrestimeve të bëra nga prokuroria, u gjendën para nevojës për zëvendësime në Departamentin e Emisionit, si dhe në Departamentin e Sigurimit e të Mbrojtjes. Kështu, pas largimit nga detyra të drejtorit të Departamentit të Emisionit, Dorian Çollaku (i arrestuar), në datë 1 gusht 2014, në këtë detyrë është komanduar Stefan Sevo, i cili është drejtues me përvojë në Bankën e Shqipërisë. Përgjegjësi i arkës për veprim, arkës stok dhe të gjithë punonjësit e tjerë të këtyre njësive, të cilët kishin në ngarkim vlerat monetare, si dhe kontrollori mbikëqyrës, janë larguar nga puna në datën 31 korrik 2014, dhe pozicionet e tyre të punës sot mbahen nga punonjës të tjerë. Me zëvendësimet e kryera në gjithë zinxhirin drejtues në Departamentin e Emisionit, në këtë departament ka vazhduar normalisht veprimtaria për furnizimin me sasinë e nevojshme të parasë fizike në tregun ndërbankar, dhe lehtësimin e shërbimeve nëpër sportele bankare. Në Departamentin e Sigurimit dhe të Mbrojtjes janë zëvendësuar dy operatorë monitorues, për të cilët është konstatuar se kanë shkelur rëndë detyrimet rregullative për ruajtjen dhe miradministrimin e vlerave monetare dhe materiale. Është komanduar gjithashtu drejtori i ri i Departamentit të Sigurimit dhe të Mbrojtjes, Ilir Mollaymeri. Ky departament kryen funksionin e ruajtjes fizikë të të gjitha objekteve të BSH-së, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Ruajtjes së Objekteve në Policinë e Shtetit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button