Home / Arte / Libri / Kamy, shkrimtari që i donte aq shumë gratë

Kamy, shkrimtari që i donte aq shumë gratë

Luan Rama

Kur Alfred Kamy (Camus) redaktonte librin e tij të fundit, Le Premier Homme, (Njeriu i Parë, i botuar veçse para disa vitesh), i cili mbeti i papërfunduar, në fletoret e tij ai kishte shkruar: “J’ai quatres femmes à la fois et mène donc une vie vide”, («Dashuroj katër gra njëherësh dhe bëjnjë jetë boshe»)…

Katër gra kishin lënë gjurmë te ai edhe pse ai kishte njohur dhe dashuruar në kohë të shkurtra dhe shumë gra të tjera: Francine Faure (gruaja e tij, e cila që tentoi të vriste veten duke u hedhur nga ndërtesa) ; Maria Casares, apo «Unikalja», siç e quante ai, me të cilën kaloi aventurën më të bukur teatrale parisiane dhe dashurinë e madhe ; aktorja tjetër Caterine Sellers që e zgjodhi për rolin e pjesës teatrale Requiem pour une nonne në vitin 1956 dhe Mi (Mette Ivers), piktorja e re daneze të cilën e takoi në fund të jetës, në vitin 1957, pa folur për dashuritë kalimtare.

Ai nuk e përmend gruan e tij të parë, Simone Hié, një femër estravagante që pëlqente morfinën dhe heroinën dhe që e pinte cigaren si një Greta Garbo. Dashuria e tyre ishte e shkurtër edhe pse u martuan në një ditë qershori të vitit 1934, atëherë kur ai vuante nga turbekulozi dhe donte të gëzonte jetën, duke menduar se do të vdiste i ri. Madje asaj i dedikoi dhe një libër, Libri i Melusine-s, por ajo e tradhëtoi me një mjek dhe kështu ata u ndanë.

Në udhën e tij ai do pikëtakonte plot gra të tjera, siç ishte Christiane Galindo, të cilën e dashuroi në vitin 1937, një brune e bukur që kishte dëshirë të shtypte në makinën e shkrimit dorëshkrimet e tij. Olivier Todd, biografi i tij, shkrun se «ai kishte një mënyrë që i zhvishte gratë përmes shikimit». Një kritik tjetër, ka shkruar se «ai ishte besnik në ide dhe i pabesë me gratë». Tek libri Miti i Sizifit, duke shkruar për Don Zhuanin, ai shkruan gjithashtu se «çdo njeri i shëndetshëm kërkon të shumfishohet. Po kështu dhe Don Zhuani.

Ai i do gratë me të njëjtin vrull, duke iu përkushtuar atyre”. Francine ishte nëna e dy binjakëve të tij dhe vetë familja e tij, e cila mbetej thellësisht e dashuruar pas tij; “F. a le gout de l’absolu” (Francine ka shijen e absolutes”, shkruante ai. Ajo ia njeh aventurat, dashuritë me gratë e tjera. Në deliret e saj kur e çojnë në një spital psikiatrik, ajo përmendte shpesh emrin e Maria Casares, rivales së saj, vajzës së emigrantit politik spanjoll, ish ministrit të Kulturës së Republikës së mundur spanjolle ngag jenerali Franco.

Të gjitha të dashurat e tij kanë një individualitet të fortë dhe një talent. Francine ishte një pianiste e shkëlqyer dhe matematiciene. Ajo ishte virtuoze në pjesët e Bahut. Casares ishte ylli i teatrit francez. Dhe Sellers shkëlqeu në skenën e teatrit parisian. Mi vizatonte me një talent të jashtëzakonshëm… E megjithatë, Kamy ishte me ato gjithnjë i sinqertë, i hapët, edhe kur Maria Casares do t’i shkruante të vërtetën, në mënyrën e tij: ”Të kam tradhëtuar, asnjëherë nuk të kam tradhëtuar”… Po, ai dashuronte disa njëkohësisht dhe nuk i tradhëtonte shpirtërisht.

E çuditshme, por e vërtetë. Madje dhe ditët e fundit të jetës së tij, ai jetonte me dashuritë e tij, me imazhet e të dashurave të tij të gjithëkohshme, me letrat që u dërgonte, apo takimet e fshehta. Më 29 dhjetor, ai i shkruante të dashurës së tij në Danimarkë, Mi, e cila pas pak ditësh do të merrte avionin për në Paris: «Kjo ndarje e tmerrshme, na bëri të paktën të kuptojmë nevojën e përhershme për njëri-tjetrin… Të pres e dashura ime, e zjarrta ime, vogëlushja ime e shtrenjtë».

Një ditë më vonë ai i shkruante fjalë të ëmbla të dashurës së mëparshme Catherine Sellers dhe po atë ditë, pasdite, i shkruante të dashurës së tij të vjetër Maria Casares: «Të dërgoj një mal me urime të dashura që jeta të bulëzojë tek ty, duke të dhënë atë imazh që e dua prej kaq shumë vitesh. Të dërgoj gjithë diejtë e zemrës. Të puth dhe të shtrëngoj pas vetes gjer të martën e ardhshme kur do të takohemi, për të rifilluar përsëri»… Por më 31 dhjetor, përsëri i shkruan të dashurës tjetër Sellers: «Kjo është letra ime e fundit e dashur…»

Vallë do të ishte e fundit? A do t’i takonte më ai të dashurat e tij. A do të përgjërohej më ajo zemër, që gjithë jetën ishte drithëruar nga emocioni i takimit femëror, nga një dehje e pazakontë që e bënte të jetonte, që i jepte ndjesinë e lumturisë? Po ato, ato që vuanin për të, secila në mënyrën e tyre? Njëra, Francine, që hidhej nga ballkoni i shtëpisë që t’i jepte fund dhimbjes së saj, tjetra Casares, që e vetme priste me netë, me ditë, me vetminë e madhe të trupit të saj dhe të botës që të kthehej i dashuri i saj i vtëm?…

A nuk i shkruante ajo në ato letra pafund… “Të pres, unë thjesht të dua, je apo s’je pranë meje, pasi ti je gjithnjë tek unë. Dashuria ime tek unë është si uria, si dielli. Vetëm fakti që ti jeton, më bën plotësisht të lumtur. Çdo çast tjetër që do të vijë do më jetë i ëmbël, pasi ai gjendet gjithnjë në udhën time që vjen drejt teje…”

Leave a Reply

%d bloggers like this: