Ekonomia

Negociata të vështira me FMN, Cani: Në tetor, kësti i tretë

Bisedimet / Javën tjetër pritet paraqitja e konkluzioneve. Buxheti i rishikuar 2014, sipas rekomandimit të FMN-së

FMN – Misioni i FMN-së vizitoi Tiranën nga 26 gusht deri më 9 shtator 2014, për shqyrtimin e dytë nën marrëveshjen fondi i zgjeruar

FMN & CaniFondi Monetar Ndërkombëtar mund të deklarojë konkluzionet e negociatave me qeverinë shqiptare javën tjetër, ndërsa kësti i tretë do të jepet në tetor. Këtë e bëri të ditur dje Ministria e Financave. Kreu i Financave, Shkëlqim Cani, sqaroi se bordi ekzekutiv i FMN-së mblidhet në muajin tetor për të vendosur për këstin e tretë të kredisë. Skeduli i programit të disbursimit të kredisë parashikonte datën 15 shtator si kohën për disbursimin e transhit të tretë të huas prej 23.55 milionë SDR, rreth 26 milionë euro (dy të tjerat janë marrë tashmë nga qeveria shqiptare). Ndërsa FMN-ja, në një komunikatë të shkurtër, njoftoi para dy ditësh, se “misioni do të kthehet për të përfunduar punën e tij në një datë të mëvonshme”. Lidhur me diskutimet me FMN-në, sipas ministrit, është rënë dakord në parim edhe për projektbuxhetin e vitit 2015. “Me FMN-në kemi rënë dakord që të vijojmë kurbën rënëse të borxhit publik duke nisur nga viti 2015″, deklaroi ministri Cani. Ai informoi gjithashtu se do të rishikohet buxheti i këtij viti. Ndërkaq, ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ka pranuar në takimin informal me gazetarët se, negociatat me Fondin Monetar Ndërkombëtar ishin të vështira, jo vetëm nga mungesa e konkluzioneve të fondit mbi Bankën e Shqipërisë. Elemente të tjera që kanë vështirësuar negociatat ka qenë mosrënia dakord për investimet, taksat për vitin e ardhshëm dhe reformën në sektorin energjetik. Kur rritja e çmimit të energjisë pothuajse është e konfirmuar nga qeveria, nuk përjashtohet edhe mundësia e rritjes së disa taksave. Cani tha se, Ministria e Financave ka gati tashmë buxhetin e rishikuar për vitin 2014. Javën e ardhshme buxheti i rishikuar do të diskutohet në qeveri dhe pritet të dërgohet në Parlament me procedurë të përshpejtuar”, njoftoi Cani. Sipas ministrit, të ardhurat e siguruara do të rishpërndahen në investime. Lidhur me buxhetin e vitit të ardhshëm, ministri bëri të ditur se nuk planifikohet ulje e të ardhurave, por mundësisht rritje investimesh.

Cani: Bankat janë stabël

Pas Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë dhe zv/kryeministrit Niko Peleshi, sot ka qenë ministri i Financave që ka konfirmuar se “stabiliteti financiar nuk është cenuar nga një individ”. Pa ju referuar me emër guvernatorit Fullanit të arrestuar një javë më parë dhe që të hënën do të paraqitet në Apel për rishikimin e masës, ministri i Financave ka kërkuar të qartësojë publikun mbi stabilitetin e sektorit financiar përfshirë dhe sistemin bankar. Një ditë më parë ishte zv/kryeministri Peleshi që u shpreh se situata është në normalitet, duke konfirmuar edhe deklaratën e fundit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button