Ekonomia

KE: Shqipëria nuk e ka të qartë se si do zhvillojë bujqësinë, industrinë dhe turizmin

Shqipëria ka shumë vite që raporton një program vjetor reformash në Komisionin Europian, por ekspertët e KE ende nuk janë qartësuar se si Shqipëria ka ndërmend të zhvillojë ekonominë reale dhe sektorët kryesor të saj, bujqësinë, industrinë dhe shërbimet.

Bujqësia e copëzuar dhe pa investime

KE vë në dukje se, toka bujqësorë në Shqipëri është e copëzuar në ferma të vogla dhe nivelet e bashkëpunimit ndërmjet fermerëve janë shumë të ulëta. Mungon regjistri gjithëpërfshirës i tokës dhe sektori vuan nga niveli shumë i ulët i investimeve një domosdoshmëri për zhvillimin e tij.

Autoritetet shqiptare në raport i kanë njohur këto sfida, por shihet se mungojnë vlerësimet edhe në rrafshin teorik për problematika të tilla si çështjet fitosanitare dhe veterinare. Duke pasur parasysh kontributin e rëndësishëm në ekonomi të bujqësisë, në PBB dhe në punësim, konsolidimi  i tokës dhe defragmentimi i fermave bujqësore mbetet një prioritet i madh, i cili lejon zhvillimin e sektorit rekomandon Komisioni Europian.

Më tej Komisioni vuri në dukje se në të njëjtën kohë, përpjekjet duhet të bëhen për të sqaruar të drejtat pronësore dhe për të zhvilluar një kadastër të plotë të tokës.

Industria me studime të paplota

Në përgjithësi, sektori industrial është i dobët dhe eksportet janë të përqendruara në disa grupe produktesh me vlerë të shtuar të ulët kryesisht në përpunim.

Megjithatë, Komisioni Europian vë në dukje se analiza e qeverisë shqiptare për zhvillimin e industrisë fokusohet vetëm në përpunimin e materialeve që tani nuk përpunohen në vend.

Veprimet përgatitore të qeverise shqiptare në sektorin e Industrisë janë vetëm disa studime fizibiliteti, pa një objektiv të qartë se si do të zhvillohet konkurrenca. Gjithashtu studimet për zhvillimet e sektorit të industrisë nuk vlerësojnë rreziqet dhe pasiguritë që vijnë nga ambienti ekonomik i brendshëm dhe huaj, vlerëson KE.

Zhvillimi i sektorit të shërbimeve

Sektori i shërbimeve kontribuon me 70% të vlerës së shtuar bruto dhe ka potencial zhvillimi të mëtejshëm. Sektori i turizmit në veçanti ka potencial të rëndësishëm zhvillimi, por pengohet nga numri i sfidave të lidhura me mungesën e aftësive të profesionale, qasja e ulët në shërbimet e turizmit dhe mungesa e një oferte të qëndrueshme të turizmit kulturor dhe natyror, vëren Komisioni Europian.

KE vë në dukje se Shqipëria ka theksuar sfidat në sektorin e Turizmit, por kultura e ulët e shërbimit, pronësia e paqartë e tokës po e pengojnë zhvillimin e sektorit.

Komisioni këshillon se Shqipëria duhet të marrë masa për të mbajtur popullaritetin në rritje të vazhdueshme si një destinacion turistik.

 

Klima e biznesit, nuk është vetëm reformë në QKR

Reformat që qeveria shqiptare ka marrë në Qendrën Kombëtare te Biznesit nuk janë të mjaftueshme për Komisionin Europian për të përmirësuar klimën e biznesit. Qartësia e pamjaftueshme e pronësisë së tokës, zbatimi i dobët i kontratave, qasja e dobët në financa dhe a ekonomia e madhe informale janë dobësitë kryesore të mjedisit të biznesit, sipas KE.

BE bën thirrje se duhet një riorganizim i konsiderueshëm i rregullave të biznesit, duke përfshirë vlerësime më të mira të ndikimit të ligjeve dhe konsultime më të mira me aktorëve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button