Kosova

Policia me plan operativ për zgjedhjet e 11 qershorit

Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës u mbajt një takim lidhur me angazhimin e Policisë së Kosovës në implementimin e planit policor për “Zgjedhjet e parakohshme parlamentare 11 qershor 2017”.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Shpend Maxhuni i njoftoi të pranishmit lidhur me planifikimet, vlerësimet dhe angazhimet e Policisë së Kosovës në ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, si një proces mjaft i rëndësishëm për vendin.

Maxhuni ndër të tjera tha se krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve, është primare për Policinë e Kosovës.

Maxhuni kërkoi nga eprorët e lartë policorë që të gjitha detyrat dhe plani policor për ditën e zgjedhjeve të realizohet me profesionalizim dhe me përkushtim të lartë.

Njëkohësisht nga të pranishmit u diskutua edhe rreth inicimit dhe procedimit të çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrjes së të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet e vendit që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj.

Në takimin e ftuar nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni morën pjesë Valdete Daka, kryetare e KQZ-së, Laura Pula nga Prokuroria e Shtetit, Jan Braathu shef i misionit të OSBE-së, përfaqësues të lartë nga KFOR-i, EULEX-i dhe Misionit Evropian për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë.

Po ashtu pjesë e këtij takimi të rëndësishëm ishin zëvendësdrejtorët e PK-së, drejtorët e departamenteve si dhe të gjithë drejtorët e drejtorive rajonale të Policisë së Kosovës të angazhuar me plan.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button