Home / Bota / May nuk dorëhiqet, skenarët e formimit të qeverisë së re

May nuk dorëhiqet, skenarët e formimit të qeverisë së re

Ashtu si ish-kryeministri Cameron, edhe kryeministrja May kërkoi votim publik pa ia kërkuar askush, për të përjetuar një bumerang spektakolar për karrierën e tyre politike.

Në kushtet kur pas zgjedhjeve asnjë parti politike nuk ka shumicën për krijimin e qeverisë, pa koalicion me partnerët e tjerë të vegjël, mbetet të shihet se si do të operojnë konservatorët, të cilët me deputetë nga Irlanda e Veriut mund të krijojnë në teori një qeveri. Ciladoqoftë rruga për të krijuar shumicën, ku të drejtën për të formuar qeverinë e kanë konservatorët e kryeministres si partia më e madhe në Parlament, çdo qeveri e dalë dukshëm nuk do ketë atë mandat që shtyu kryeministren të thërrasë zgjedhjet e parakohshme.

Çdo qeveri e re britanike do të jetë shumë e dobët në negociatat e ardhshme për Brexit me Bashkimin Evropian, të cilat pritet të fillojnë pas 11 ditësh. Teorikisht, edhe laburistët mund të jenë partia që mund të kërkojnë krijimin e kabinetit të ri në koalicion me aleatë të tjerë në Parlament.

Nëse një opsion i tillë do të realizohet, kjo mbetet të shihet. Gjithsesi, çdo qeveri këtej e tutje do të duhet të mendohet mirë dhe pritet të kalojë nëpër vështirësi akoma më të mëdha sesa në Parlamentin e kaluar për të aprovuar çdo marrëveshje të Londrës me Brukselin për Brexit që mbetet e një rëndësie të jashtëzakonshme për të ardhmen politike dhe ekonomike të ishullit.

Ashtu si me rezultatin e referendumit për Brexit, edhe me këto zgjedhje të parakohshme, votuesit britanikë duket se po e shndërrojnë në sport kombëtar, paparashikueshmërinë elektorale.

Leave a Reply

Your email address will not be published.