Opinion

Fullani iku, tani është koha të mendojmë për bankën

gjonNga Gjon Ndreja

Tashmë pas shumë përpjekjesh dhe hamendësimesh, ikja e Fullanit dhe e shpurës së tij po formalizohet. Kuvendi i Shqipërisë e ka vënë në axhendë procedurën e shkarkimit të guvernatorit dhe inspektorit të përgjithshëm. Takimi i Kryeministrit Rama me Presidentin e Republikës, si dhe deklarata e tij për profilin e ri të guvernatorit, duket sikur me të drejtë po e orientojnë opinionin publik dhe strukturat përgjegjëse drejt të ardhmes së këtij institucioni.

Pa dyshim zgjedhja e guvernatorit dhe strukturave të tjera drejtuese dhe organizative është e rëndësishme, por po kaq i rëndësishëm është edhe përmirësimi i kuadrit ligjor të këtij institucioni, në mënyrë që të mos prodhohet, të parandalohet dhe kur nuk është e mundur, të zbulohen ngjarjet e padëshiruara që drejtohen kundër imazhit dhe pasurisë publike. Ka shumë gjëra për të ndryshuar në të ardhmen, në këtë institucion që nga misioni dhe përgjegjësitë e tij dhe të strukturave përbërëse, e deri te profili moral dhe profesional i drejtuesve, integriteti i punonjësve etj. Por në këtë shkrim po përpiqem të jap disa mendime rreth përmirësimeve strukturore në lidhje me organizimin dhe drejtimin e bankës.

Jo imunitet të pakufizuar ndaj mandatit

Përvoja e ligjit aktual, ku guvernatori mund të shkarkohet vetëm nga “Zoti”, besoj se duhet korrigjuar. Edhe pse ndodhi ai skandal, përmasat e të cilit nuk janë identifikuar akoma plotësisht, guvernatori nuk dha dorëheqjen dhe as Këshilli Mbikëqyrës nuk e propozoi atë për shkarkim. Nga ana tjetër, Kryeministri dhe asnjë institucion tjetër nuk kishin asnjë tagër për të propozuar pezullimin e tij, për shkak se ligji i kishte përcaktuar në mënyrë taksative rastet kur ata mund ta bënin këtë. Edhe pse të gjitha krahët e politikës e dënuan këtë akt si të rëndë, përfaqësuesit e tyre në Kuvend nuk kishin asnjë të drejtë të ndërhynin. Guvernatori do të ishte edhe sot në detyrë sikur prokurori Troci të mos kishte vendosur arrestimin e tij. Qëndrimi me kokëfortësi në detyrë i guvernatorit ishte i mbrojtur tërësisht nga ligji dhe shkarkimi i tij mund të bëhej vetëm duke ndryshuar ligjin, por kjo nuk do të ishte një zgjidhje e mirë. Ndërkohë, pakënaqësia e qytetarëve po rritej përditë e më shumë dhe krahas kësaj besimi i publikut ndaj këtij institucioni u cenua dukshëm. Falë mungesës së tregjeve financiare në vendin tonë, dëmet ishin minimale, megjithëse kjo mendohet se ka ndikuar dukshëm edhe besimin e investitorëve të huaj. Ligjvënësit nuk kanë parashikuar ndonjë mekanizëm shtesë për shkarkimin e guvernatorit dhe të Këshillit Mbikëqyrës, duke menduar se kjo mund të zgjidhej me dorëheqje, por fatkeqësisht ky institucion është pak i njohur në vendin tonë.

Një instrument “rezervë” për një rast si ky që është tipik shqiptar duhet parashikuar, duke ruajtur pa dyshim pavarësinë funksionale të Bankës së Shqipërisë, e cila është një nga kolonat bazë të këtij institucioni dhe në asnjë rast nuk duhet cenuar. E drejta e një shumice të cilësuar parlamentare prej tre të katërtash, për raste të tilla mund dhe duhet t’i rezervohet Parlamentit për shkarkimin para kohe të guvernatorit dhe Këshillit Mbikëqyrës dhe kjo besoj se nuk do të linte shteg për politizime dhe cenim të pavarësisë së bankës. Ndërkohë, ligjvënësit mund të mendojnë për instrumente të tjera të ngjashme, ashtu si edhe një shkallëzim i mandateve të Këshillit Mbikëqyrës dhe alternim i tyre duket se është i nevojshëm.

Guvernatori, jo kryetar i Këshillit Mbikëqyrës

Ligji aktual parashikon që guvernatori automatikisht është edhe kryetar i Këshillit Mbikëqyrës dhe zv.guvernatori, zv.kryetar i Këshillit Mbikëqyrës. Ky është një pozicion shumë i fortë i ekzekutivit mbi bordin dhe pothuajse e dominon atë. Ndërkohë, funksionet e bordit janë themelore për veprimtarinë e bankës, pasi ai ka përgjegjësinë për politikën monetare, rezervat, rezervat e detyrueshme të bankave të nivelit dytë që depozitohen në Bankën e Shqipërisë. Këshilli gjithashtu vendos dhe përcakton regjimin dhe politikën e këmbimeve valutore dhe huat për qeverinë, si dhe licencimin e bankave të nivelit të dytë. Në këto rrethana, unifikimi i pozicionit të guvernatorit dhe zëvendësguvernatorit me pozicionin e kryetarit dhe të zëvendëskryetarit të Këshillit Mbikëqyrës u siguron këtyre një farë dominance mbi këshillin si organ vendimmarrës. Nga ana tjetër, hartimi dhe miratimi i politikave monetare dhe i çështjeve thelbësore të vendimmarrjes së Këshillit Mbikëqyrës, duket sikur është në një konflikt interesi me pozicionin e guvernatorit dhe zëvendësit tij si kryetar dhe zv/kryetar. Modeli ynë i unifikimit të pozicionit të guvernatorit me atë të kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës është pothuajse unikal dhe nuk është i aplikueshëm aktualisht në vendet e tjera, përveç Kosovës, e cila duket se e ka adaptuar prej nesh.

Eksperienca e bankave qendrore të vendeve të tjera e ka zgjidhur këtë çështje me praninë e guvernatorit si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës dhe jo si kryetar, ndërkohë që kryetari mund të jetë me rotacion një herë në 1.5 vjet (përjashtuar guvernatorin), i cili nuk ka ndonjë rol të veçantë, përveçse të organizojë dhe moderojë mbledhjet e këshillit.

Nga ana tjetër, eksperiencat e përparuara të vendeve të Europës, krahas bordit apo Këshillit Mbikëqyrës, evidentojnë edhe modelin e bordit ekzekutiv. Ky bord drejtohet nga guvernatori dhe përbëhet nga zv.guvernatori dhe drejtorët e tjerë të departamenteve. Bordi është përgjegjës për implementimin e politikave dhe vendimeve të marra nga Këshilli Mbikëqyrës, si dhe menaxhimin e gjithë veprimtarisë së Bankës Qendrore. Ai shërben si instrument për vendimmarrje efektive menaxheriale dhe i raporton Këshillit Mbikëqyrës. Këshilla të veçantë për politikën monetare apo stabilitetin financiar mund të organizohen dhe mbështesin punën e bordit ekzekutiv dhe vendimmarrjet e tij.

Pavarësia e auditimit të brendshëm duhet sanksionuar

Siç tashmë është bërë e ditur edhe nga shpjegimet e dhëna në Komisionin e Ekonomisë, pavarësia e auditimit të brendshëm ka qenë e cenuar, si në pikëpamje të burimeve, ashtu edhe të funksionalitetit të saj. Ligji aktual paradoksalisht nuk e sanksionon pavarësinë e auditimit të brendshëm dhe duket se gjithë shpresën për realizimin e këtij komponenti të rëndësishëm ia ka lënë faktit që inspektori i përgjithshëm që drejton departamentin e auditimit, zgjidhet nga Kuvendi i Shqipërisë. Sigurisht që mënyra e zgjedhjes është një element i rëndësishëm i pavarësisë organizative, por nëse duam një pavarësi të plotë të kësaj strukture, duhet të garantojmë pavarësinë funksionale të saj. Kjo e fundit konsiston në të drejtën e strukturës së auditimit të brendshëm për planifikimin, ekzaminimin dhe raportimin e auditimit jashtë çdo autoriteti të ekzekutivit. Pikërisht ky element nuk është sanksionuar në ligj dhe për pasojë pavarësia e auditimit të brendshëm ka qenë e cenuar. Aktualisht, inspektori i përgjithshëm i raporton Këshillit Mbikëqyrës, ku kryetar dhe zv.kryetar të tij janë guvernatori dhe zv.guvernatori, të cilët janë përgjegjësit kryesorë për implementimin e politikave dhe menaxhimin e veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë. Por pikërisht këto çështje janë subjekt i vlerësimit nga auditimi i brendshëm.

Përmirësimet ligjore duhet të sanksionojnë pavarësinë e auditimit të brendshëm në planifikim, ekzaminim, si dhe të përcaktojnë se raportet e auditimit i dërgohen Këshillit Mbikëqyrës dhe paralelisht guvernatorit. Nga ana tjetër, dispozitat duhet të përcaktojnë detyrimin e këtyre të fundit për të shqyrtuar brenda një afati të përshtatshëm raportet e auditimit dhe zbatimin e rekomandimeve. Komisionit të Ekonomisë duhet gjithashtu t’i dërgohen raportet e auditimit të brendshëm ose përmbledhje të tyre në mënyrë periodike.

Për të mbështetur veprimtarinë e auditimit të brendshëm, Këshilli Mbikëqyrës mund dhe duhet të krijojë një komitet të auditimit të brendshëm me ekspertë dhe personalitete të fushës së auditimit dhe bankave, i cili do të mbështesë veprimtarinë e inspektorit të përgjithshëm dhe departamentit të auditit të brendshëm. Krijimi i komiteteve të auditimit të brendshëm është një përvojë që ka gjetur zbatim kohët e fundit në shumë ndërmarrje dhe korporata biznesi, por edhe në disa prej bankave qendrore në Europë dhe është mbështetur nga Bashkimi Europian.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button