Muzike

Saimir Pirgu në Operan Mbretërore

saimirTenori shqiptar me famë botërore, Saimir Pirgu, rikthehet në Operan Mbretërore të Londrës, ku bashkë me Ermonela Jahon, një dekadë më parë, të dy këta artistë shqiptarë debutuan në këtë shtëpi operistike prestigjioze.

Pirgu filloi mbrëmë serinë e performancave të tij, në rolin kryesor të Dukës së Mantovas, në Operan “Rigoleto” të Xhuzepe Verdit. Duke folur për Top-Channel, në Londër, nga ambientet e kësaj Opere, Saimir Pirgu dha edhe një detaj interesant në planet e tij të ardhshme, në “Royal Opera House”.

“Tashmë jam duke interpretuar Rigoleton në rolin e Dukës së Mantovas, një rol që unë e kam kënduar pothuajse në gjithë botën tashmë dhe jam, si të them, i shtëpisë në rolin tim. Gjithashtu do të vij përsëri në muajt Mars dhe Maj, për një premierë botërore të operës King Roger, e kompozitorit polak Shimanovski, dhe që pritet me shumë interes nga kritika dhe nga audienca, si londineze, ashtu edhe ajo botërore, sepse shfaqja bëhet për herë të parë”, u shpreh Saimir Pirgu.

Përveç të qenit “ambasador pa titull” i Shqipërisë në botë, tenori shqiptar Saimir Pirgu, që nga 2013, është edhe ambasador i “Doën Syndrom Albania”, një fondacion që ndihmon fëmijët e prekur nga ky sindrom. Tenori shqiptar do të japë tetë shfaqje në Operan Mbretërore të Londrës, në “Covent Garden”, deri në mes të Tetorit.

Z. Pirgu kam përshtypjen se ju dhe Ermonela jeni “pushtuesit” e parë shqiptarë të Operas Mbretërore në Londër dhe s’keni ndërmend ta lëshoni këtë kështjellë…?

“Unë jam tepër i kënaqur që kjo gjë ndodh, e kemi bërë me radhë tani, njëherë Ermonela, njëherë unë, dhe i zëmë vendin njëri-tjetrit”, u shpreh tenori Pirgu.

 Megjithatë, ju jeni “ambasador par excellence” i Shqipërisë në fushën e artit, apo jo?

“Është një nder që unë jam kudo, në çdo vend ku performoj. Në njëfarë mënyre, me aktivitetin tim prezantoj edhe vendin tim. Kjo është kënaqësi dhe jam shumë i kënaqur, që edhe artistë të tjerë shqiptarë japin kontributin e tyre kudo që janë”, shtoi më tej Pirgu.

I vlerësuar si nga publiku, ashtu edhe kritika, Saimir Pirgu, tenori i famshëm shqiptar, konsiderohet për nga profili artistik, si një nga këngëtarët më të njohur në botën e lirikës botërore.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button