Kosova

Mimoza Kusari prish koalicionin me PDK-në, shkarkon tre drejtorë dhe nënkryetarin e Gjakovës

Kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ka përjashtuar PDK-në nga koalicioni në këtë Komunë. E para e Gjakovës ka konfirmuar për Gazetën Express shkarkimin e këtyre drejtorëve dhe arsyet e këtij vendimi.  Tre drejtorë të komunës së Gjakovës që vinin nga PDK-ja dhe nënkryetari i Komunës, Ramadan Hoti, që po ashtu i takon të njëjtës parti, janë shkarkuar të mërkurën me vendim të kryetares së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila.

Drejtorët e shkarkuar janë drejtori për Punë Inspektuese, Gani Veseli, drejtoi i Shërbimeve Publike, Shkumbin Kastrati dhe drejtoresha e Arsimit, Dijana Qarkaxhija.

Lajmin e ka konfirmuar vetë e para e Komunës, Mimoza Kusari-Lila.  “Pakënaqësia me performancën e PDK-së në nivel lokal është e tmerrshme”, tha Kusari-Lila, derisa shton se për një vendim të tillë ka menduar edhe para zgjedhjeve të 11 qershorit.  “E kam lan që ky vendim të merret pas zgjedhjeve qendrore. Tash zgjedhjet kanë përfunduar dhe e kam informu me letër zyrtarisht zotin Hajdar Beqa për ndërprerje të bashkëpunimit dhe koalicionit në nivel lokal”, tha e para e gjakovarëve.

Kurse kryetari i  degës së PDK-së në Gjakovë, Hajdar Beqa, nuk është prononcuar.  Nga ana tjetër, nënkryetari i shkarkuar i Komunës së Gjakovës, Ramadan Hoti, i ka thënë Gazetës Express se nuk është në dijeni të këtij vendimi.

Kusari-Lila në zgjedhjet e 11 qershorit, duke garuar në listën e koalicionit LDK-AKR, sipas rezultateve preliminare nuk ka dalë kënaqshëm me vota në qytetin që ajo drejton. Madje, ky koalicion në Gjakovë ka rezultuar si forca e tretë politike, duke humbur pothuajse gjysmën e votuesve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button