Ekonomia

Shqipëria, më optimistja në rajon për rritjen ekonomike deri më 2019

Rritja ekonomike pritet të forcohet në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi. Të gjitha vendet e rajonit presin të përmirësojnë performancën e tyre ekonomike në periudhën 2017-2019, krahasuar me 2014-2016. Por, sipas një analize të Komisionit Europian, më optimistja shihet të jetë Shqipëria.

Duke krahasuar pritshmëritë që kanë vendet për rritjen ekonomike në tre vitet në vijim shihet se Shqipëria synon të përshpejtojë rritjen  ekonomike nga 3.8% këtë vit në 4.2% më 2019. Teksa shihet se vendet e tjera të rajonit si Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Bosnja dhe Kosova kanë qenë më të moderuara në parashikime duke qëndruar brenda intervalit 2.6-4%. Ndërsa Turqia, megjithëse ka pësuar ulje në perspektivën e rritjes sërish do të ketë nivelin më të lartë të zgjerimit të ekonomisë në rajon në tre vitet në vijim, duke mbajtur ritmet 4.6-5% në periudhën 2017-2019.

Komisioni Europian analizon se perspektiva rajonale e rritjes do të udhëhiqet nga konsumi privat dhe investimet, megjithëse me disa dallime midis vendeve.

Eksportet neto pritet të jenë faktor i rritjes së PBB-së në 2017-2019 në të gjitha vendet, por veçanërisht në Serbi e cila kohët e fundit ka zgjeruar kapacitetet e saj të eksportit falë hyrjeve të investimeve të huaja direkte (FDI) në sektorin e tregtueshëm.

Në pesë vendet e Ballkanit Perëndimor, përjashtuar Kosovën (për të cilat të dhënat janë më pak të disponueshme) PBB mesatare për frymë sipas standardit të fuqisë blerëse (PPS) ishte 27% e mesatares së 28 vendeve të BE në vitin 2004, u rrit në 33% të mesatares së BE në vitin 2009, por rritja mbeti praktikisht e njëjtë në vitin 2015 (34%).

Në Turqi, konvergjenca ishte e shpejtë midis viteve 2004 dhe 2011 (me PBB për frymë, duke u rritur nga 39% në 53% të mesatares së BE), por konvergjenca ndaloi në 2015.

Investimet pritet të kontribuojnë me 1.5 pikë përqindje në vit në PBB-në e Ballkanit Perëndimor nga viti 2017 deri në vitin 2019 (nga 0.8 në vit që ishte nga 2014 në 2016).

Konsumi privat parashikohet gjithashtu të forcohet nga rritja e punësimit dhe të ardhurave (1.9% kontribut rritës në vit nga 2017 në 2019, krahasuar me 1.2% nga 2014 në 2016).

Investimet pritet të kontribuojnë fuqishëm në rritjen e Malit të Zi gjatë periudhës 2017-2019, për shkak të ndërtimit të një autostrade të madhe, së bashku me investimet në turizëm dhe energji.

Kontributi i rritjes nga konsumi privat parashikohet të jetë më i madh në Kosovë, i mbështetur nga rritja e kreditimit, rritja e punësimit dhe rritja e qëndrueshme e remitancave.

Në Turqi, rritja pritet të rimëkëmbet ngadalë nga ngadalësimi i shpejtë në vitin 2016. Përshpejtimi i pritshëm i rritjes përballet me disa rreziqe negative. Në vende të tilla si Shqipëria dhe deri në një masë Mali i Zi, rritja e parashikuar e investimeve mbështetet në projektet e financuara nga IHD-të në vazhdim, vë në dukje Bashkimi Europian. Në të tjerat shihet si pasojë e përmirësimeve të pritura në mjedisin e biznesit (Bosnjë dhe Hercegovinë), shpenzimet kapitale të shtuara (Kosova, pjesërisht Mali i Zi), kthimi në stabilitetin politik (Turqia, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë), apo vazhdimi i një programi reformash të kohëve të fundit (Serbia).

Ekziston rreziku që zhvillimet ekonomike globale të ndikojnë në mënyrë të pafavorshme.

Në veçanti, rritja e çmimeve të naftës dhe rritja e rrezikut ndaj investitorëve të huaj mund të ndikojë në të ardhurat e disponueshme dhe rrjedhat e investimeve në rajon.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button