Bota

BE, masa kundër shteteve që s’pranuan emigrantë

Komisioni Europian do të procedojë për shkelje kontrate Hungarinë, Republikën Çeke dhe Poloninë, 3 vende që kanë refuzuar të strehojnë refugjatë.

Në vitin 2015, blloku vendosi të pranonte rreth 160 mijë të ardhur, të cilët do të shpërndaheshin në vendet anëtare bazuar në një sistem kuotash. Por, detyrimi ligjor u përball me rezistencën e disa shteteve të Europës Qendrore dhe Lindore.

Hungaria dhe Polonia nuk kanë pranuar asnjë refugjat, ndërsa Republika Çeke lejoi vitin e kaluar vetëm 12 të tillë, e këtë muaj bëri të ditur se do të largohet përfundimisht nga marrëveshja, duke përmendur arsyet e sigurisë.

Komisioneri i Çështjeve të Brendshme dhe Emigracionit, Dimitris Avramopoulos akuzoi Budapestin, Varshavën dhe Pragën për nëpërkëmbje të solidaritetit europian.

“E them me keqardhje se, pavarësisht thirrjeve tona, të trija këto vende nuk e kanë aplikuar detyrimin ligjor. Për këtë arsye, Komisioni Europian vendosi të nisë procedurat ndaj shkeljeve të kryera prej tyre. Shpërndarja mund të funksionojë vetëm nëse të gjithë në BE marrin përsipër përgjegjësinë e tyre. Nuk ka përjashtime. Europa nuk do të thotë vetëm të përfitosh parà, ose të garantosh sigurinë. Bëhet fjalë edhe për solidaritet dhe përgjegjësi politike”, tha Dimitris Avramopoulos, Komisioner europian i Emigracionit.

Kryeministri çek, Bohuslav Sobotka e ka kundërshtuar menjëherë lëvizjen e komisionit, duke i cilësuar kuotat si jofunksionale e që ulin besimin e qytetarëve në aftësitë e BE-së. Edhe qeveria hungareze ka bërë të njohur kundërshtimin ndaj këtij vendimi. Budapesti, sipas ministrit të Jashtëm Peter Szijjarto e konsideron si “presion ndaj tij” nisjen e procesit për shkelje të kontratës.

Sipas të dhënave të fundit të Komisionit, nga 160 mijë azilkërkues, vetëm 20.869 janë shpërndarë në vendet e bllokut. Një pjesë e madhe e emigrantëve nga Afrika qëndrojnë në kampet e ishullit të Lampeduzës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button