Ekonomia

Shqiptarët, ndër popujt që punojnë më shumë orë në vit në botë

Shqiptarët punojnë rreth 2230 orë në një vit, më shumë se të gjitha vendet e Bashkimit Europian dhe shumë më lartë se mesatarja e orëve të vendeve të OECD-së.

Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) ka publikuar statistikat e reja mbi Tregun e Punës në 12 qershor, në të cilën ka përllogaritur orët në punë sipas shteteve. Mesatarja e orëve vjetore të punës të vendeve të OECD-së është 1765 orë, raporton Monitor.

Numrin më të ulët të orëve të punës në vit e ka Gjermania.

Gjermanët punojnë vetëm 1371 orë dhe ndiqen nga holandezët, të cilët punojnë 1419. “Më pak orë punojnë dhe norvegjezët me 1424, francezët 1482 orë, zviceranët 1590 orë. Por këto janë dhe shtetet me produktivitetin më të lartë në BE, pasi vijojnë të kenë të ardhura më lart mesatares së Bashkimit Europian.

Në Shqipëri, sipas të dhënave të INSTAT, shqiptarët punojnë rreth 2230 orë në vit. Pas shqiptarëve, populli “më punëtor” në Europë duket se janë grekët, të cilat sipas të dhënave të përpunuara nga OECD punojnë rreth 2042 orë në vit. Në botë, shqiptarët rezultojnë të punojnë me kohëzgjatje të ngjashme me meksikanët, koreanët, kostarikanët.

Të dhënat e mëparshme nga Komisioni Europian kanë treguar se edhe shtetet e tjera të Ballkanit punojnë me orë të zgjatura, ndërsa rekordin në Europë e mban Turqia, me gati 2500 orë në vit.

Në Shqipëri është shumë më e lartë dhe përqindja e punonjësve që punojnë më shumë se 40 orë pune, që teorikisht është dhe kohëzgjatja mesatare e parashikuar në Kodin e Punës.

Sipas raportit të INSTAT mbi Tregun e Punës 2016, 47.8% e punonjësve punojnë nga 40-48 orë dhe 17.9% e kanë ditën e punës më të gjatë se 49 orë.

Për mesataren e Bashkimit Europian, kjo përqindje është shumë më e ulët. Të dhënat e Komisionit Europian tregojnë se përqindja e meshkujve europianë, që punojnë më shumë se 40 orë është 31% dhe ajo e femrave shumë më e ulët, vetëm 15%.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button