Kosova

Kosovë, 9 të akuzuar për terrorizëm. Ishin nën urdhrat e Muhaxherit

Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 9 personave për terrorizëm. Sipas aktakuzës, 3 prej të pandehurve, me qëllim që të frikësojnë popullsinë, të destabilizojnë shtetet e Ballkanit e të krijojnë Shtetin Islamik, i janë përgjigjur thirrjes së pjesëtarit të organizatës terroriste ISIS, Lavdrim Muhaxheri, për akte terroriste.

Prokuroria Speciale e Kosovës njofton se, përmes kontakteve të rregullta mes tyre, me anë të internetit e konkretisht aplikacionit “Telegram”, njërit prej tyre i është bërë thirrje që ta kryejë sulmin terrorist kundër lojtarëve dhe tifozëve nga Izraeli, të cilët duhej të vinin në Shqipëri, në qytetin e Shkodrës, për të zhvilluar ndeshjen e futbollit mes Shqipërisë dhe Izraelit, më 12 nëntor 2016.

Dy të pandehur, gjatë muajit tetor 2016, sipas kërkesës së Lavdrim Muhaxherit, i cili nga Prokuroria konsiderohet si një ndër të pandehurit e me të cilin kanë pasur kontakte të vazhdueshme përmes “Telegramit”, kanë përgatitur sulme terroriste në Kosovë, atentatet kundër ndërkombëtarëve ose zyrtarëve të institucioneve të sigurisë.

Një prej tyre interesohej për blerjen e armëve automatike, që do t’ia dërgonte Lavdrim Muhaxherit, përmes njerëzve të tij ende të paidentifikuar, në këmbim të shumës 1.500 euro.

Plot 283.1 gramë eksploziv i improvizuar “triacetone triperoxide” (TAPT) i është gjetur njërit prej tyre në bodrumin e shtëpisë së tij. Po ashtu, Prokuroria ka gjetur prova për prodhim materialesh plasëse në shtëpi. Një prej të pandehurve, sipas Prokurorisë ka qene në Siri në vitin 2013.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button