IntervistaOpinion

Intervista me Vassilis Vassilikos: Nga orgjia e pushtetit, tek Greqia e Trojkës

Kolonelët humbën pushtetin për shkak të amerikanëve? “Kjo është e qartë. Papadopoulos ishte një lloj agjenti i CIA-s. Në ato muaj po afrohej Lufta e Gjashtë Ditëve dhe SHBA donin një dorë të lirë mbi bazat ajrore në Kretë. Ajo ishte një botë krejt tjetër. Tensioni midis dy blloqeve ishte i lartë. Bashkimi Sovjetik nuk duhej të kishte qasje në pellgun e Mesdheut, i cili në atë kohë ishte qendra e botës, ashtu siç do të bëhej më pas Lindja e Mesme. Në vitin 1974, me hapjen e Kanalit të Suezit, rëndësia e Greqisë ra, dhe gabimet e kolonelëve çuan në fundin e diktaturës”

Pesëdhjetë vjet më parë, në orën dy të mëngjesit të datës 21 prill 1967, kolonelët Georgios Papadhopulos, Nikolaos Makarezos dhe Ioannis Ladas, shpallën grushtin e shtetit. U ish lënë rrugë e lirë ushtarakëve të grupit të dytë, të mësuar të lëviznin në hije. Që në mbrëmje, tanket kishin zënë bulevardet e gjerë, të projektuar për qytetin e shekullit të nëntëmbëdhjetë. Trupat e zgjedhura kishin marrë kontrollin e qendrave të komunikimit dhe Parlamentit. Parashutistët ishin bërë gati të zbrisnin në Ministrinë e Mbrojtjes. Kishte muaj që,  me pëlqimin e mbretit Konstantin II, ishte duke përgatitur një puç ushtarak. Por pavendosmëria e oficerëve të lartë dhe afrimi i zgjedhjeve të planifikuara për muajin maj, shtyu ushtarakët e niveleve më të ulët që të merrnin frenat. Filluan kështu shtatë vitet e diktaturës obskurantiste, të njohur në histori si “diktatura e kolonelëve”.

Vassilis Vassilikos, nga Greqia e veriut (lindur në Thasos, rritur në Selanik) nuk kishte mbushur ende 33 vjeç, dhe nuk ishte ende shkrimtari i njohur për romanin që mori emrin nga gërma e fundit e alfabetit, “Z”, të cilit më pas iu shtuan edhe fjalët “Orgjia e pushtetit”. I përkthyer në gjithë botën dhe përcjellë në kinema me regji të Kosta-Gravas, libri do të bëhej manifest i luftës greke për liri.

Megjithatë, ai u shkruajt përpara grushtit të shtetit. Ngjarjet nga të cilat frymëzohej kishin ndodhur në vitin 1963, bënin fjalë për vrasjen në duart e ekstremistëve të krahut të djathtë të Grigoris Lambrakis. Vassilikos kishte ditur të shihte larg. Ashtu si shumë të tjerë të brezit të tij, që në agimin e 21 prillit ishin të gatshëm të largoheshin nga vendi. “Unë tashmë isha jashtë vendit”, thotë ai sot, në moshën 82 vjeç, në banesën e tij në Athinën e Colonusit, ku Sofokliu krijoi dhe bëri të vdesë Edipin. “Unë isha në tren, për të qenë më i saktë. Po udhëtoja nga Suedia në Venecia, ku do të merrja një anije për t’u kthyer në Greqi. Më erdhën lajme të përziera. Ndryshova programin. Shkova në Romë, ku kisha shumë miq dhe prita të shoh se si do të zhvillohej situata. Kur u bë e qartë unë isha në Itali, më pas u zhvendosa në Paris. Deri kur miku tim Italo Calvino më ftoi për t’u kthyer në Romë. Kam kaluar vite të jashtëzakonshme në Itali”.

Kur u bë e qartë, thoni ju. Çfarë ishte e qartë në këtë pikë?

“Që lufta civile nuk kish marrë fund asnjëherë dhe e djathta ekstreme ishte në pushtet. Një diktaturë e famshme në botë për ndalimet fanatike, si minifunde dhe flokë të gjatë. Por që bërë shumë të tjera. Ashtu si të gjitha diktaturat, xhanëm. Mes torturave dhe vrasjeve. Për ata që ikën dhe ata që kaluan ata vite jashtë vendit, ishte shumë e vështirë. Krijohej ndjesia se nuk po ndaje vuajtjen e grekëve të shtypur. Sigurisht që ne ishim më të dobishëm jashtë. Libri dhe filmi i Costa-Gravas patën peshën e tyre, edhe pse diktatura ka për shkak se amerikanët nuk e donin”.

Pra kolonelët humbën pushtetin për shkak të amerikanëve?

“Kjo është e qartë. Papadopoulos ishte një lloj agjenti i CIA-s. Në ato muaj po afrohej Lufta e Gjashtë Ditëve dhe SHBA donin një dorë të lirë mbi bazat ajrore në Kretë. Ajo ishte një botë krejt tjetër. Tensioni midis dy blloqeve ishte i lartë. Bashkimi Sovjetik nuk duhej të kishte qasje në pellgun e Mesdheut, i cili në atë kohë ishte qendra e botës, ashtu siç do të bëhej më pas Lindja e Mesme. Në vitin 1974, me hapjen e Kanalit të Suezit, rëndësia e Greqisë ra, dhe gabimet e kolonelëve çuan në fundin e diktaturës”.

Diktaturë që gazetarët italianë shpejt e ndoqën me vëmendje të madhe?

“Sigurisht. Ekzistonte frika nga veprime të ngjashme. Projekti i grushtit të shtetit nga De Lorenzo do të bëhej i njohur për publikun në sajë të gazetarisë investiguese italiane. Dhe në ato ditë të pasigurisë, ishin gazetarët e mëdhenj italianë të parët që rrëfyen grushtin e shtetit. Mbaj mend veprën e Furio Colombos. Ai kishte filmuar situatën. Ishte një nga dëshmitarët e parë. Duke u larguar nga Athina, kishte frikë se do e kontrollonin dhe do i sekuestronin filmat. Ai pa një grua amerikane që mbante një valixhe të madhe. Iu ofrua për ta ndihmuar dhe në këmbim i dha çantën e tij. Diçka që do të ishte e paimagjinueshme sot. Megjithatë, kur policia hapi bagazhin që tërhiqte Colombo, befasia ishte e madhe. Veshje grash dhe çdo gjë që mund të mbajë një amerikane e pasur. Agjentët qeshën. Colombo kaloi. Ai e tregonte këtë histori me krenari të madhe”.

Italia dhe Franca. Ju bashkëpunuat aktivisht me të majtën europiane?

“Më shumë me atë italiane, në fakt. Italia, të cilën e dua pafundësisht, ishte një fener për të gjithë ne. Ishte rritur në Itali, në sajë të Gramscit, atij komunisti të pavarur nga Moska, ai që e kemi quajtur eurokomunizëm. Nuk ishte vetëm Berlinguer. Dhe intelektualët që u takova dhe me të cilët u bëra mik i kishin idetë e qarta. Nanni Balestrini, Umberto Eco, Michelangelo Antonioni, Francesco Rosi. Kam kaluar vite të mrekullueshëm në Itali. Botimi i librit nga Feltrinelli më kishte hapur një botë. Sot pothuajse e harruar”.

Arrestimi dhe torturimi i Alekos Panagulis ende kujtohet në sajë të librit të Oriana Fallacit. Ju ishit ndër të parët që publikuat Panagulisin jashtë vendit?

“Kisha hapur një shtëpi të vogël botuese pothuajse personale, të quajtur “Tetë e gjysmë”, në nder të Fellinit dhe filmit të tij të mrekullueshëm. Botova poezitë e Panagulisit. Pasolini ishte vendimtar. Kur Panagulis u lirua dhe shkoi në Itali për herë të parë, u takuam personalisht. Kuptuam se kishim bërë një punë të madhe për Greqinë nga Italia. Ishte e rëndësishme për të shmangur ndjenjat e fajit, kundrejt atyre që ende ishin në burg”.

A ishte i vështirë kthimi në Greqi?

“Jo, mbizotëroi entuziazmi për lirinë. Unë pastaj vazhdova të jetoj pak në Greqi e pak jashtë. Kam qenë ambasador në UNESCO, pas viteve kur drejtova televizionin publik, ndërsa Andreas Papandreu ishte në pushtet. Kjo ishte një epokë në të cilën njerëzit e kulturës kishin funksion  dhe role, që sot as nuk mund të imagjinohen”.

Sot, çdo gjë është e humbur, thoni ju?

“E majta nuk ekziston më. Kultura është në kushte shumë të këqija, në nivelin e njohjes sociale. Shikoni, kriza greke është një krizë evropiane, në të cilën vendi ynë ka funksionin e të dobëtit të mësuar me dominimin e të huajve, edhe pse krenar nga natyra. Tragjedia filloi me Mastrihtin në vitin 1992, kur u bë gabimi i madh që u synua një bashkim jo vetëm ekonomik, por edhe kulturor. Pa një transformim që fokusohet në historinë e madhe kulturore evropiane, nuk ka asnjë shpresë për të kultivuar”. / “IlVenerdi”/

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button