Bota

Organizata D-8, fuqi ekonomike me vëllim 3,7 trilionë dollarë

Shtetet e D-8-tës, tërheqin vëmendjen si shtete kryesuese në rajonet e botës islame. Turqia dhe Indonezia bëjnë pjesë edhe në mesin e G20-tës, ku gjenden ekonomitë më të mëdha në botë.

Organizata për Bashkëpunim Ekonomik e Tetë Shteteve në Zhvillim (D-8), e cila u themelua si sot para 20 viteve me iniciativë të liderit të ndjerë turk Necmettin Erbakan, aktualisht ka arritur një fuqi ekonomike në vlerë prej 3,7 trilionë dollarësh.

Organizata D-8 për Bashkëpunim Ekonomik u themelua më 15 qershor të vitit 1997 dhe kishte për qëllim zhvillimin e bashkëpunimit dhe pasurimin e marrëdhënieve ekonomike dhe sociale mes Turqisë, Iranit, Pakistanit, Bangladeshit, Malajzisë, Indonezisë, Egjiptit dhe Nigerisë.

Shtetet e D-8-tës, që u mblodhën në mikpritje të Turqisë, tërheqin vëmendjen si shtete kryesuese në rajonet e botës islame. Turqia dhe Indonezia bëjnë pjesë edhe në mesin e G20-tës, ku gjenden ekonomitë më të mëdha në botë.

Në deklaratën e themelimit të organizatës, si fusha të bashkëpunimit radhiten tregtia, industria, komunikimi, informacioni, financat, bankat, privatizimi, zhvillimi rural, shkenca, teknologjia, lufta kundër varfërisë, zhvillimi i resurseve njerëzore, bujqësia, energjetika, mjedisi, shëndetësia, turizmi, kultura dhe sporti.

Sipas të dhënave të publikuara nga Organizata D-8, në vitin 2015 shtetet anëtare të saj kanë arritur popullsi prej mbi një miliard banorësh dhe ekonomi që arrin vlerën prej 3,7 trilionë dollarësh. Në të njëjtën periudhë, vëllimi i eksportit të këtyre shteteve ka arritur vlerën prej 693 miliardë dollarësh. Vëllimi tregtar në fjalë përbën rreth katër për qind të tregtisë globale me vlerë prej 16,4 trilionë dollarë.

Ndërkaq, prodhimi bruto i brendshëm te shtetet anëtare, i cili kur u themelua organizata ishte mesatarisht 2.207 dollarë, në vitin 2016 arriti në 4.645 dollarë.

Në drejtim të qëllimeve, organizata deri më sot ka organizuar tetë samite, 37 mbledhje të komisionit dhe 16 mbledhje të këshillit, ndërkohë Samiti i Nëntë i Kryetarëve, që paraqet organin më të lartë vendimmarrës, do të mbahet në Turqi.

Kërkesa për mekanizëm financiar

Sejid Ali Muhamed Musavi, sekretari i përgjithshëm i Organizatës D-8 për Bashkëpunim Ekonomik, për Anadolu Agency (AA) thotë se fushë prioritare e veprimit janë aktivitetet ekonomike.

Musavi thekson se në kohën e themelimit të organizatës, vëllimi tregtar mes shteteve anëtare kishte qenë 20 miliardë dollarë. “Aktualisht, vëllimi tregtar mes vendeve anëtare është 120 miliardë dollarë. Në një periudhë, arritën deri në 150 miliardë dollarë, mirëpo për shkak të problemeve në rajon, tregtia jonë është në nivelin 120 miliardë dollarë”, shton më tej Musavi.

Duke rikujtuar se gjatë themelimit kishin synuar që deri në fund të vitit të ardhshëm ta rrisnin vëllimin tregtar në 500 miliardë dollarë, Musavi vë në dukje se aktivitetet e organizatës janë ndikuar negativisht nga problemet që ishin paraqitur në rajon me sanksionet e vendosura ndaj Iranit.

Musavi bën me dije se dhjetë vitet e parë të organizatës kishin kaluar me koordinim të politikës dhe se sekretariati i saj është themeluar në vitin 2009, ndërsa, siç thotë, ajo ka treguar zhvillim të mirë pas kësaj kohe.

Musavi nënvizon se për rritjen e bashkëpunimit mes shteteve anëtare, kanë nevojë për mbështetje më të madhe veçanërisht nga Turqia, ku edhe gjendet sekretariati.

“Ne si D-8 kemi nevojë për më shumë mbështetje. Kërkesa ime e veçantë nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan është të caktojë një datë dhe vend për samitin e nëntë të D-8-tës. Samiti duhej të mbahej në vitin 2014, por data u shty. Presim të caktohet një vend dhe datë për samitin tonë që do të mbahet në Turqi”, tha Musavi, duke e falënderuar qeverinë dhe popullin turk për mbështetjen.

Ai shton se te liderët e vendeve ende ekziston vullneti për përmbushjen e qëllimeve të themelimit të organizatës, kurse nënvizon se ka potencial pozitiv për sa i përket të ardhmes së D-8-tës.

Musavi shpreson që në samitin që do të mbahet në Turqi, organizata do të tregojë edhe më shumë zhvillim.

“Ajo që nevojitet për ta rritur bashkëpunimin është të krijojmë një mekanizëm burimor financiar që do t’i mbështeste projektet tona. Shpresoj që në të ardhmen liderët tanë vendosin për krijimin e këtij mekanizmi dhe që ne të shënojmë zhvillim edhe më të shpejtë”, thotë Musavi për AA.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button