Opinion

Kosova apo Kosovo?

Nga Agim Vinca

Natën e fundit të qëndrimit në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë, që u mbajt këto ditë në Gjenovë të Italisë, ku unë merrja pjesë si përfaqësues i Kosovës, para se të më vinte radha për të lexuar, m’u afrua aktori që do t’i lexonte vargjet e mia në italisht, ndërkohë që poetët lexonin secili në gjuhën e vet amtare dhe më tha: “Zoti Vinca, në poezinë tuaj përmendet emri Kosovë, por me a në fund: Kosova. Unë mund ta lexoj edhe kështu, por askush nuk do të më kuptojë. Do të mendojnë se është gabim shtypi!”.

Kështu më tha aktori italian nga Gjenova (Andrea Gada), një njeri shumë i përzemërt dhe deklamues i shkëlqyeshëm i poezisë; artist i vërtetë. Fjala është për poezinë “Nostalgji për kohërat e rrezikshme”, në të cilën hasen edhe vargjet: “Në Kosovën tonë të lirë” (herën e parë) dhe “Në Kosovën tonë të lirë e demokratike!” (herën e dytë). Përkthyesja, Blerina Suta, i ka përkthyer këto dy vargje në italisht ashtu siç duhet: “Nella nostra Kosova libera” dhe “Nella nostra Kosova libera e democratica!”. U përpoqa t’ia shpjegoja shpejt e shpejt aktorit italian këtë çështje, duke i thënë se Kosova është trajta shqipe e emrit të vendit dhe se mbi 90% të njerëzve që jetojnë në të e përdorin këtë trajtë, kurse “Kosovo” është trajta sllave, të cilën e ka imponuar administrata serbe, si në kohën e ekzistimit të Jugosllavisë si shtet, ashtu edhe më vonë. Por, më kot, ai insistonte në të vetën. Me të drejtë, sepse, fundja, edhe në program dhe në bexhin tim shkruante: Agim Vinca (Kosovo).

Ishte data 11 qershor 2017. Atë ditë në Kosovë mbaheshin zgjedhjet parlamentare, të gjashtat me radhë në periudhën e pasluftës, kurse të tretat pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Kutitë e votimit tashmë ishin mbyllur, sepse po afrohej ora dhjetë e mbrëmjes. Dy-tri orë më parë në hotel më kot kisha ndjekur lajmet e televizionit të famshëm RAI 1 (Rai Uno) dhe të televizioneve të tjera italiane. Asnjë fjalë për atë që ndodhte në vendin tim. As të nesërmen në mëngjes jo! Asnjëri nga televizionet e shumta të Italisë nuk po e thoshte asnjë fjalë të vetme për atë që kishte ndodhur një ditë më parë në shtetin më të ri të Evropës, të cilin Italia si shtet, shteti italian, e njohu ndër të parët. (Për çudi, Italia po, por Vatikani, alias Selia e Shenjtë, që është brenda Italisë, kurse selinë e ka në zemër të Romës, as nëntë vjet pas shpalljes së pavarësisë, ende nuk po e njeh Republikën e Kosovës!). Me pult në dorë kërkoja ta dëgjoja emrin e vendit nga i cili vija dhe të cilin e përfaqësoja në atë takim të rëndësishëm ndërkombëtar letrar, qoftë edhe në trajtën me “o”, por më kot. Askund asnjë fjalë. “Mos qofsh i vogël!” – thashë me vete. Ndoshta edhe e shënova këtë fjali dikund në një nga defterët e mi që mbaj zakonisht me vete kur shkoj në udhëtim. Bota është e madhe dhe ne shqiptarët jo vetëm Kosova, por edhe Shqipëria, jemi një pikë e vogël në glob. Jemi të vegjël si popuj dhe si shtete, por e bëjmë veten edhe më të vogël e më të parëndësishëm me sjelljen dhe veprimet tona. Në radhë të parë të politikikës dhe të diplomacisë shqiptare.

Është e vërtetë se atë ditë, pra më 11 qershor, Italia i kishte zgjedhjet e veta lokale për asambletë komunale dhe kryesuesit e tyre dhe se të gjitha mediet vendore informonin gjerësisht për këtë ngjarje të madhe. Është e vërtetë se të njëjtën ditë edhe Franca i kishte zgjedhjet parlamentare dhe mediat italiane informonin, natyrisht, edhe për këtë ngjarje, sikundër edhe për ngjarje të tjera në vend dhe në botë. Por, megjithatë, mendoja unë, ndoshta naivisht, diku në fund të emisioneve të lajmeve apo të rubrikave të gazetave, mund të thuhet ndonjë fjalë edhe për zgjedhjet në Kosovë, ku Italia, sikurse edhe shtetet e tjera që e kanë njohur Kosovën si shtet, ka ambasadën e vet, ashtu siç i ka edhe ushtarët e saj në kuadër të KFOR-it dhe nëpunës të profileve të ndryshme në EULEX etj.

Por, shtrohet pyetja: a janë vetëm të tjerët fajtorë për atë që na ndodh ne? A është fajtore Italia, fjala vjen, shtet me ndikim në Bashkimin Evropian, për heshtjen e mediave italiane lidhur me një ngjarje jo pa rëndësi që ndodh në një vend dhe shtet të vogël të Ballkanit dhe të Evropës, siç është Kosova? Jo. Natyrisht që jo. Kosova, sikurse edhe Shqipëria, ka qeveri, ka ministri të jashtme, ka president e presidencë, ka edhe ambasadën e saj në Romë (Tirana edhe në Vatikan), ka njerëz që paguhen për afirmimin e saj në botë etj. Në fushatën parazgjedhore apo në paraqitjet e tyre të shumta në mediet vendore, para dhe pas zgjedhjeve, politikanët tanë të mbysin me tirada për punën e madhe që bëjnë për popullin dhe shtetin e tyre; për prosperitetin e tij ekonomik, material e shpirtëror dhe për afirmimin e tij në botë. Herë-herë duke i dëgjuar se ç’thonë njeriu mund të fitojë përshtypjen se ne jemi të parët e dynjasë; se Evropa dhe Amerika (Amerika sidomos) vdesin për ne kosovarët dhe se presidenti Klinton dikur, kurse presidentët Bush e Obama më vonë (Trampit s’i dihet!), pyetjen e parë që shqiptojnë në mëngjes, posa hapin sytë, është: “Si e kam Kosovën?!”.

Njërëzit që rezonojnë e flasin kështu, dje dhe sot, disa prej të cilëve nuk janë më në mesin e të gjallëve, nuk e zotërojnë mirë as gjuhën amtare (ministrat tanë, me ndonjë përjashtim, ende thonë: kem në vendi të kemi, jem në vend të jemi dhe ishmi në vend se ishim, kurse mënyrën lidhore të foljes e ngatërrojnë me dëftoren: p. sh. koha do të tregon, vend se koha do të tregojë etj.). Atëherë, si mund t’i mbrojnë ata interesat e Kosovës dhe ta afirmojnë atë në botë, në gjuhët e mëdha botërore: në anglisht, në frëngjisht, italisht, spanjisht, rusisht, kinezisht etj.? Çfarë politike e diplomacie mund të bëjnë ata që s’e kanë përvetësuar gjuhën amtare dhe që nuk kanë lexuar asnjë libër për të qenë në jetën e tyre?

Po të isha ministër i jashtëm i Kosovës apo ambasador i saj në Romë, madje edhe pjesë e ministrisë dhe ambasadës përkatëse, do ta ndieja veten keq, shumë keq më 11 qershor!

Rastisi që atë ditë të isha në njërin nga qytetet më të lashta e më të kulturuara të Italisë, në Gjenovë, në ndërtimin e të cilit ka dhënë kontribut të madh edhe familja e lashtë shqiptare Duraci (famiglia Durrazzo), në një manifestim letrar në të cilin merrnin pjesë, pos nga vendi mikpritës, Italia dhe fqinja e saj, Franca, edhe nga Spanja, Algjeria, Maroku, Tunizia, Turqia, Irani, Izraeli (kryesisht nga vendet e Mesdheut), por edhe nga Meksika dhe Nikaragua e largët, krijues që shkruajnë në gjuhë të ndryshme dhe që u takojnë kulturave dhe qytetërimeve të ndryshme. Nuk më takon mua të flas, natyrisht, për nivelin me të cilin e kam përfaqësuar vendin, por më vjen mirë që dy ditë me radhë, më 10 dhe 11 qershor, emri Kosovë u dëgjua shumë herë në sens pozitiv. Dhe jo vetëm emri Kosovë, por edhe Shqipëri, gjuhë shqipe, letërsi shqipe dhe kulturë shqiptare, u dëgjuan me dhjetëra herë brenda dy ditësh në qytetin e bukur të Gjenovës, madje edhe në sallën madhështore të Pallatit Dukal (Palazzo ducale), ku vargjet e poezisë së një poeti shqiptar jehonin në sallën e mbushur përplot e tepër akustike, në shqip nga zëri i autorit, kurse në italisht nga aktori, që më kërkoi leje për ta shqiptuar emrin Kosovë në trajtën në të cilën ai ka depërtuar dhe vazhdon të depërtojë në botë edhe tani kur Kosova është shtet i pavarur: Kosovo e jo Kosova, siç do të duhej.

Në kthim nga Gjenova në Tiranë, duke pirë kafe me përkthyesen e shquar, zonjën Donika Omari, ia tregoj këtë episod dhe ajo më thotë se kur erdhi presidenti Klinton në Kosovë, në vitin 1999, paskësh pyetur: “Si duhet thënë: Kosovo apo Kosova?”, por askush s’i paskësh dhënë përgjigjen e duhur. Njeriu aq i merituar për çlirimin e Kosovës, që mbante mbi supe barrën e shtetit më të fuqishëm të botës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe njëherësh edhe të mbarë botës, interesohet për një detaj çfarë është emri i Kosovës dhe kujtohet të pyesë a duhet me “a” a me “o” në fund, po nga shoqëruesit e tij nuk merr përgjigjen e duhur.

Le të kujtojmë me këtë rast se ç’luftë bën Maqedonia njëzet e sa vjet me radhë për ta ruajtur të paprekur emrin e saj; se si i kundërvihet fqinjes së saj shumëfish më të madhe e më të fuqishme, Greqisë, për të mos e prekur emrin Maqedoni, të cilin e ka edhe një krahinë e Greqisë. Ne nuk çajmë kokën për gjëra të tilla. Përpiqemi të jemi çuna sa më të mirë përpara ndërkombëtarëve, për hir të karrierës sonë politike, prej së cilës dëshirojmë të nxjerrim sa më shumë përfitime materiale e të tjera. Tjetër punë pastaj që edhe po qe se duam, nuk dimë ta mbrojmë identitetin tonë etnik e shtetëror dhe t’i afirmojmë vlerat tona shpirtërore, përfshirë dhe ato kulturore e letrare, me të cilat mund të depërtojmë në botë.

Ne vazhdojmë të këndojmë këngë me çifteli për Kosovën, ndonjëherë edhe duke i bastarduar vlerat e vërteta të muzikës sonë folklorike, që është mirëpritur kudo në botë, por nuk interesohemi që bota ta quajë vendin tonë, Republikën e Kosovës, Kosovë-a e jo Kosovo!

Po shtoj me këtë rast se në një ligjëratë për letërsinë shqipe të mbajtur në Paris (në Universitetin Paris 8), në vitin 2002, në fillim fare e pata shpjeguar këtë problem: Kosova/ Kosovo, duke u thënë të pranishmëve se e drejtë është trajta e parë e jo e dyta e imponuar nga administrata serbe dhe duke shtuar se ne shqiptarët jemi tolerantë, prandaj mund të propozojmë edhe “zgjidhjen”: Kosov@, në mënyrë që secili ta lexojë në mënyrën e vet. Interneti atëbotë ende nuk e kishte forcën dhe përhapjen që ka sot dhe batuta qe mirëpritur nga të pranishmit në sallë, të cilët reaguan me buzëqeshje.

Qeveria e ardhshme e Kosovës, pavarësisht se nga cilat subjekte do të formohet dhe pavarësisht nga fakti se kush do të jetë në krye të saj, duhet të mendojë edhe për “cikërrime” si ky.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button