Home / Opinion / Absurdi i politikës dhe mallkimi i së Majtës

Absurdi i politikës dhe mallkimi i së Majtës

Nga Bedri Islami

 

Është një punë e vështirë, por e urtë ta ndalosh një fushatë përpara çastit kur fitorja e mundshme shndërrohet në rraskapitje.

Nuk ka ndodhur asnjëherë, në të gjithë këto vite pluraliste që “vëllezërit” e sapo ndarë nga pushteti të jenë hedhur kundër njëri tjetrit në këtë mënyrë.

Është fat i madh që gjithçka, deri tani të paktën, po mbetet vetëm në kupolat e epërme të politikës, më saktë, të një pjese të kësaj kupole dhe nuk po shtrihet marramendshëm edhe në fillesat e mbulimit politik, tek njerëzit e zakonshëm, pasi ajo që do të mund të ndodhte do të ishte njëra nga ngjarjet më të shëmtuara të para zgjedhjeve politike të një vendi.

PS dhe LSI, deri para pak javësh, në të njëjtin shtrat të politikës, ku secila palë e tërhiqte jorganin nga vetja për të lënë tjetrin zbuluar, tani nuk do të ishin kënaqur edhe nëse sytë ia nxjerrin njëra-tjetrës. Sulmet po shkojnë deri në verbëri politike, dhe dihet se krijesat që nguten, sidomos në politikë, përgjithësisht lindin të verbra.

Në harkun e më pak se një muaji, që nga 18 maji, befasisht shpejt, gjithçka ndryshoi në “vëllazërinë” e së majtës dhe tani, aty ku nuk ishin parë shenjat e një dallimi të madh, po shihen edhe diferencat më të pakta. Përbuzja politike për njëri tjetrin po shkon drejt absurdit, defterët e vjetër po hapen njëri pas tjetrit, aty ku nuk gjenden, si është traditë në politikën e ndarjes, po sajohen urrejtshëm shpejt dhe tani, për këdo është e qartë se e majta është ndarë përfundimisht dhe si duket, nuk ka zot ta bëjë përsëri bashkë.

Ka pasur edhe ndarje të tjera në politikën shqiptare, si ndodh kudo në botë, veçanërisht në trevat ballkanike. Politikanë që kanë mallkuar e ia kanë hedhur njëri tjetrit janë bërë përsëri bashkë, si ndodhi kohët e fundit në Kosovë; në Shqipëri ndarja e para katër viteve e LSI e PD nuk shkaktoi asnjë tërmet, veçse buzëqeshjet e hidhura dhe gjërat mbetën nën rrogoz; asnjëri nga përfaqësuesit e koalicionit 2009-2013 nuk e gjuajtën njëri-tjetrin me shkëmbinjtë e mallkimit, megjithëse në kohën e pushtetit të tyre kishin ndodhur ngjarje monstruoze, si 21 janari, që tashmë po harrohet; ishte kthyer Gërdeci në një komedi gjyqësore e tani po kthehet në një komedi njerëzore; kishte ndodhur shitje e detit, ku të dyja palët kishin qenë në një mendje; ishte krijuar humnera financiare, në të cilën e gjithë qeveria kishte pjesën e saj, ndërsa tani, të duket sikur në katër vitet e fundit të qeverisjes kemi qenë të mbuluar nën një kataklizmë.

Është Interesant: sa herë që është ndarë e djathta rrëshqitjet kanë qenë të avashta dhe gjërat kanë zënë vend më shpejt nga sa është pritur. U ndanë aleancistët, krijuan një grup drejtues, katër nga të cilët kishin qenë bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit, mallkuan Berishë e kushdo i kishte dalë përpara, kërkuan të hetohej ai se ishte bashkëpunëtor i shërbimit të fshehtë serb, por u shuan shumë shpejt, u kthyen kokë ulur nga ishin nisur dhe tani ndonjëri prej tyre është në listën e deputetëve. Ikën “reformistët” e Pollos, ikja më zgalaqe e politikës shqiptare; aferat e hedhura në tregun mediatik kundër Berishës ishin skandaloze, vetëm njëra prej tyre, nëse saktësohej do të thoshte vite të gjata burg, por u kthyen përsëri, shaluar bishtit dhe tani përsëri një grup prej tyre janë në listën e deputetëve.

Me të majtën nuk ka ndodhur kështu. Të jetë mallkimi i saj apo ka diçka më shumë se sa kjo?

E majta ka pasur ndarjet e saj të vogla, në të majtën anësore. Nga Gjinushi iku fillimisht i ndjeri Teodor Laço, rrëshqiti djathtas, më i sakti nga largimet; pastaj u zemërua Milo dhe krijoi partinë e tij.

Në PS ka pasur disa largime të vogla, që ende as vetë nuk e dinë përse kanë ikur dhe një çarje të madhe.

Të voglat janë kthyer de fakto në fillesën e tyre, çarja e madhe është ende aty, sot më e thellë se kurrë dhe nuk dihet se deri ku do të shkojë.

Kërcënimi i Metës që i tregon shefit të qeverisë vrimën e miut, edhe nëse preket një votë e vetme, është, pa asnjë dyshim, thellimi më i madh dhe paralajmërimi më i pazakontë që një politikan i bën bashkëqeverisësit të tij të deri para një muaji.

Braktisja që i bën shefi i madh i qeverisë, Rama, aleatit të tij të deri para katër javëve, është po ashtu njëra ndër thellimet e një ndarje që ishte paralajmëruar si mundësi, por nuk ishte konceptuar kaq thellësisht e urrejtshme.

Nga të gjitha ndarjet që kanë ndodhur në politikën tonë të dekadave të fundit, vetëm LSI mund të gjente një drejtues të fuqishëm, pragmatik dhe i zemëruar deri në fund. Njeriu që e dërgoi Sali Berishën, pa asnjë dhimbje, disa vite më pas gjeti mundësinë e relacioneve dhe pikave të dobëta me të dhe askush nuk e di se çfarë ka ndryshuar mes tyre. I fuqishëm në organizimin e strukturës politike që ende e drejton me dorë të hekurt, i zemëruar me mosmirënjohjen e dikurshme të Nanos dhe me largimin e befasishëm të Ramës, ai krijoi në pak vite jo një parti, por një detashment politik, i cili i bindet urdhrit të tij, përulet ndaj forcës së tij dhe sakrifikon për fjalën e tij. Duke pasur pranë një grua të ashpër si Kryemadhi, sulmuese edhe kur nuk ka shkak, jo më kur ka një shkak real, e cila edhe para katër viteve ishte kundër bashkëpunimit me Ramën, ai ka dalë tani në sheh për të përmbysur qeverinë ku ishte pjesë e rëndësishme dhe për të bërë qeverinë e tij, pavarësisht se ai e quan qeveria Vasili.

Në vitin 2005 ai rrëzoi Nanon, që edhe ashtu ishte në të rrëzuar, në zgjedhjet lokale të Tiranës, ku u vodhën votat ditën për diell dhe ai nuk reagoi e nuk i kujtoi askujt vrimën e miut, ai rrëzoi Ramën nga posti i deriatëhershëm; në vitin 2013 rrëzoi Berishën nga pushteti. Tani i ka hyrë rrugës për të rrëzuar për të dytën herë Ramën.

Normalisht, nuk ecën kungulli dy herë mbi ujë.

Kjo mund të jetë disfata e tij dhe duke e ndjerë këtë, ai ka zhveshur veten nga posti që do të mbajë së shpejti, është gati ta hedhë tutje atë; është kthyer edhe një herë në postin e kryetarit politik të strukturës që ngriti vetë, duke e ditur se ka ardhur koha: ose do të marrë gjithçka, ose do të humbë gjithçka.

Zgjedhjet e vitit 2005 dëshmoi se ndarja e parë e madje mes së majtës mund të sillte të djathtën në pushtet, pavarësisht se kujt i kishte besuar populli.

Zgjedhjet e vitit 2009 solli të vërtetën se një pushtet i egërsuar dhe despotik nuk lejonte as hapjen e numërimin e ri të kutive të votimit, ku vjedhjet kishin qenë spektakolare.

Qershori i vitit 2013 tregoi se Shqipëria nuk donte të ishte nën sundimin monarkik të një njeriu të vetëm.

Qershori i këtij viti do të tregojë nëse dehja me pushtetin është e besueshme për të tjerët apo synimi për të ndërtuar përmes dhimbjes shtetin është ende i pranueshëm.

Leave a Reply

%d bloggers like this: