Opinion

Humor politik / Relaksi i presidentit Trump

Nga Bedri Islami

Për të tërhequr vëmendjen nga “Russiagate” presidentit Trump i duhej një gjetje tjetër, shumë më e rëndësishme politike, në mënyrë që e gjithë media botërore të përqendrohej diku tjetër dhe të humbiste vëmendja nga gjithë ajo që po ndodhte.

Fillimisht deshi të thërrasë të gjithë stafin e tij, por në fund të fundit, si edhe herë të tjera, vendosi të zgjidhë vetë gjithçka, por, sado që u mundua, asgjë nuk ishte edhe aq e lehtë.

Të thërriste kryeministrin kinez, sido që do e thërriste, ngjarja nuk do të kishte rëndësinë që priste. Dihej, dy vendet, herë miq e herë armiq, do të prodhonin të njëjtin lajm si edhe më parë, lëre që mund të ishte rreziku të ngatërronte atë me kryeministrin japonez. Me Zonjën Merkel nuk i hahej edhe aq muhabeti, shefja e qeverisë e Britanisë ishte në hallin e saj, deshën ia bënë exit-in të vetët; duhej gjetur diçka që të kishte jehonë të jashtëzakonshme.

– Po sikur të thërrasim Lulin,- i tha njëri nga njerëzit e tij, i cili, kur e kishte vizituar Shqipërinë kishte mbetur i mahnitur nga përdredhja e këtij të fundit. Askush nuk e luante belin aq bukur sa ai. Tre muaj në çadër, si beduinët dhe e kishte gjetur ujin në shkretëtirë sapo i ishin dhënë disa ministra e disa drejtori.

– Kush është Luli?- pyeti presidenti, sepse nuk i kujtohej edhe aq shumë se për çfarë luleje mund të flitej.

– Luli, Albania, e ka parë me sy të mirë zgjedhjen tënde si president. Në fakt, ai ishte në konventën e Demokratëve, por, sapo doli, na informoi se kishte qenë gabim. Kishte hyrë në sallën e gabuar.

Ardhja e tij këtu do të ishte një lajm më i madh se gjithçka tjetër.

Presidenti vendosi të thërrasë Lulin.

Iu duk interesant.

– Më fol,- i tha, ç’kemi nga Shqipëria?

– Fillimisht të përcjell të falat e fshatarëve të Korçës. Ma kanë lënë amanet të flas për qepët, patatet e mollët e tyre. Qepër e Bozhigradit të nxjerrin lot nga sytë, të përmallojnë. Nuk ka si qepët e fushës së Korçës dhe si hudhrat e Malësisë së Korçës. Ata kanë besim tek unë, se un kam besim tek ti, dhe ti ke besim te dikush tjetër.

– Lexova jetëshkrimin tënd,- i tha Trumpi. Ti mund të më ndihmosh. Pak vite punë, ke bërë shumë pasuri, por edhe i ke shkuar anash shumë gjërave. E di ti se është një prokuror special këtu në Amerikë, Robert Mueller quhet, i cili po heton këtë rastin tim, “Russiagate”. Ti e kishe një rast të tillë, atë të “Jonigate”, kur e fale Jonin tek grekët. Si ia hodhe?

– Lehtë fare. Unë kam mik Saliun. Saliu ka miq prokurorët. Kush lëviz, ia thyen brinjët. Gjej një Sali e mbyllet.

– Por tani që po bëni atë, Vettingun, mos hapet përsëri?

– Tani jam edhe më i sigurt, tani kam mik edhe Edin. Nuk e ke dëgjuar të thotë se jam djalë i mirë? Djemtë e mirë dërgohen herët për të fjetur, por jo në burg.

– Janë bërë shumë kundër meje, i tha presidenti. Kreu i NSA, Dan Coats, do të informojë para Komisionit të Inteligjencës në Senat. Ish-shefi i FBI-së, James Comey, desh i hapi të gjitha, budallai. Sikur është gjë e madhe. Ti kishe probleme qindra milionë dollarësh dhe i mbylle me procedurë. Bravo!

– Nuk ishte gjë ajo. Mos ia var. Vari trapin, themi ne. Prokuroria i sillte dosjet në gjykatë në mbrëmje, në mëngjes ia kthenim përsëri. U mbyll. Tash jam i sigurt që nuk hapen më. Sa të kem gjysmë vëlla Edi Ramën, as nuk i shkon kujt mendja se mund t’i hapë. Ai, si duket, do të rrijë edhe katër vite në pushtet. Edhe unë po i jap një dorë. Shtyj, të shtyjmë.

– Është një përvojë që nuk hidhet poshtë. Unë nuk kam kaq të bindur. Edhe ata që më binden i zbulon media. Media është kazan, kazan, kazan.

– Të gjitha?

– Të gjitha. Kazanë mediatikë.

– Kështu thotë edhe adashi im politik, Rama, por nuk e kam besuar.

– Mbaje mirë me të, qenka i mençur.

– Por ai ka fol kundër teje, shkatërroje, të lutem.

– Punë e madhe, edhe unë kam folur kundër vetes. Pse jemi në politikë? Gallatë?

Takimi zgjati më shumë se tri orë. Çështja kryesore mbeti ajo e qepëve të fshatarëve të Korçës, që e përlotën presidentin.

Ende pa ikur Luli nga vendi i takimit, të gjithë mediat botërore e harruan Rusinë dhe Trumpin. Kudo, me germa të mëdha ishte shkruar se Presidentit Trump iu bë një nder i madh. Vetë heroi i çadrës, Luli, denjoi të rrinte disa orë me të.

Në kohën kur Luli po ikte, presidenti u kthye nga shoqëruesi i tij dhe pyeti:

– Po ky, i ka paguar ato 20 mijë dollarët e fotografisë apo jo?

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button