Kronika

Zbardhen detajet/ Si u rrah me shkop bejsbolli aktivisti i LSI, autorët me maska e armë

Policia e Lezhës ka reaguar në lidhje me ngjarjen që ndodhi dje, ku 3 persona të maskuar dhunuan Gjovalin Gjinin, kryeplaku i fshatit Rraboshtë, njëherësh mbështetës i LSI-së. Ngjarja në fjalë ndodhi në orën 21:00.

Burime zyrtare pohuan se Gjini është goditur me sende të forta, ndërsa fatmirësisht ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

NGJARJA
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së premtes, ku tre persona të maskuar dhe të armatosur dhunuan kryeplaku i fshatit Rraboshtë, Gjovalin Gjini, i cili është mbështetës i LSI, për zgjedhjet e 25 qershorit. Burime për “BalkanWeb” bënë me dije se Gjini po blinte në dyqan në momentin kur tre persona të maskuar e kanë dhunuar duke e sulmuar me mjete të forta. I plagosuri u transportuar në spitalin e Lezhës për të marrë trajtimin mjekësor, ndërsa më pas u largua për në banesën e tij.

NJOFTIMI I POLICISE
Më datë 16.06.2017, rreth orës 21:09 është marrë njoftim se në vendin e quajtur fshati Rraboshtë, Njësia Administrative Kallmet në Lezhë, nga persona të pa njohur dhe të maskuar është goditur me sende të forta shtetasi Gj.Gj. 38 vjeç, banues në fshatin Rraboshtë Lezhë me detyrë Kryetar i fshatit Rraboshtë Lezhë, i cili është paraqitur pranë Spitalit Rajonal Lezhë, për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Me të marrë njoftim, nga ana jonë është formuar grupi hetimor që ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka filluar kryerjen e të gjitha veprimeve hetimore e proçeduriale , ku është konstatuar se rreth orës 21:00, në kohën që shtetasi Gj.Gj. ka zbritur nga automjeti tij është përballur me katër persona të pa njohur nga ana e tij, të cilët kanë qenë të maskuar në fytyrë për të mos u njohur dhe sipas deklarimit të personit kanë patur armë zjarri.

Pasi e kanë ofenduar shtetasin e lartpërmendur, kanë filluar që ta godasin me sende të forta (shkop bejzbolli) duke i shkaktuar dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit. Gjithashtu kanë goditur me mjete te forta edhe automjetin duke i thyer xhamin dhe shkaktuar dëmtime të tjera. Shtetasi Gj.Gj., pas marrjes së ndihmës mjekësore është larguar për në banesën e tij pa dëmtime të rrezikshme për jetën, si dhe ka deklaruar se personat autorët nuk i ka njohur dhe se nuk ka asnjë konflikt me ndonjë person konkret.

Nga ana jonë po punohet për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorëve të implikuar në këtë ngjarje si dhe sqarimin e plotë të motiveve, fakteve dhe rrethanave të kësaj ngjarje. Materialet proceduriale do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, per veprat penale të parashikuara nga nenet 89-150 dhe 25 “Plagosje e lehtë” “Shkatërrim prone” e kryer në bashkëpunim.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button