Politika

Cani: Guvernator i huaj? Duhet një që di të bëjë punën

Bulqizë

Ministri i Financave shprehet se stabiliteti i Bankës nuk varet nga një person

caniMinistri i Financave, Shkëlqim Cani, shprehet se guvernatori i Bankës duhet të jetë një person që di të bëjë punën e tij. Pra sipas tij, nuk ka rëndësi nëse ai do të jetë i huaj apo shqiptar, por duhet që guvernatori i ri të jetë një njeri ekspert i fushës. “Kjo është çështje jashtë meje. Për mua shqetësim është të jetë guvernator i mirë. Të jetë një njeri që e njeh ekonominë, njeh bankat dhe do të zhvillojë Bankën Qendrore, pjesa tjetër është pa asnjë interes konkret”, u përgjigj kryefinanciari në lidhje me pyetjen për shtetësinë e kreut të ri të BSH-së. Kryefinancieri shqiptar komentoi edhe situatën në Bankën e Shqipërisë, duke theksuar se, pavarësisht arrestimit të Fullanit, stabiliteti Financiar nuk u prek. “Nuk është individi që trondit financat e shqiptarëve. Nuk them që shyqyr që ndodhi ngjarja. Nuk jam i gëzuar që u arrestua një guvernator apo zyrtar, por siguria e një sistemi nuk varet nga individi dhe për nga vetë instituiconi sistemi bankar në tërësinë e vet ka siguri”, deklaroi Cani. Këto qëndrime, ministri i Financave i bëri gjatë vizitës së tij në Burrel. Ai ka qenë i shoqëruar nga kryetarja e bashkisë, Adelina Farrici dhe deputeti Përparim Spahiu i LSI-së. Ata kanë kryer inspektime të investimeve në qytetin e Burrelit dhe të rifillimit të punës në uzinën e ferrokromit në Burrel. Pas kësaj vizite, Cani udhëtoi drejt Bulqizës, zonë elektorale, ku është zgjedhur si deputet i PS-së. Banka e Shqipërisë po drejtohet përkohësisht nga Elizabeta Gjoni, e cila u emërua me vendim të Këshillit Mbikëqyrës. Këshilli shkarkoi Ardian Fullanin pas arrestimit të tij. Pritet që këtë javë të zgjidhen dhe anëtarët për vendet vakante të ngelura në Këshillin Mbikëqyrës, i cili duhet të ketë 9 anëtarë, nga 5 që ka aktualisht. Disa prej anëtarëve duhet t’i propozojë qeveria, ndërsa pjesën tjetër Kuvendi i Shqipërisë. Me plotësimin e vakancave, Presidenti mund të propozojë emrin për postin e guvernatorit. Javën e ardhshme parashikohet që Kuvendi të propozojë dhe inspektorin e përgjithshëm, pas vendimit të Këshillit të Mbikëqyrës së Bankës për largimin e Elivar Golemit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button