Home / Kronika / Sociale / Matura/ Si duhet të veproni nëse nuk jeni të kënaqur me notën

Matura/ Si duhet të veproni nëse nuk jeni të kënaqur me notën

Qendra e Shërbimeve Arsimore ka publikuar gjatë ditës së djeshme notat e provimit të parë të maturës së 2017-ës, të zhvilluar në lëndën e gjuhës së huaj.

Menjëherë pas daljes online të rezultateve, të 37 mijë maturantët dhe kandidatët e testuar kanë mundur të mësojnë notat e marra në provimin e gjuhës së huaj, rezultatet e të cilit, sikundër edhe të provimeve të tjera, janë vendimtare për ata që duan të vijojnë më tej garën e konkurrimit për të fituar ndjekjen e studimeve të larta në një nga fakultetet publike të vendit.

Referuar rezultateve të dala, ekspertët vlerësues të kësaj qendre bëjnë me dije se pjesa dërrmuese e notave të marra në provimin e gjuhës së huaj i përkasin nivelit mesatar. Ka edhe nga ata maturantë që nuk do ta gjejnë veten e tyre në listë.

Kjo pasi testet e tyre janë klasifikuara si të dyshuara për kopje, dhe do t’u nënshtrohen verifikimeve nga një komision ekspertësh. Ky komision do të japë edhe vlerësimet përkatëse nëse maturantit do t’i njihet rezultati, ose jo.

Tërheqja e kopjes së testit të korrigjuar

Megjithatë, në rregulloren e provimeve të këtij viti konfirmohet edhe mundësia e tërheqjes së kopjeve të testeve të korrigjuara, në rast se dyshoni për vlerësimin që ju kanë dhënë gjatë procesit të korrigjimit. Në këto kushte, maturantët që janë të pakënaqur me notën mund të kërkojnë fotokopjen e testit të korrigjuar, por kjo nuk do të thotë se do të ketë rivlerësim të dytë të testit.

Në procedurat e shpjeguara nga MAS dhe QSHA në rregulloren e provimeve të maturës për 2017-ën, detajohet se maturantët mund të kërkojnë të shohin kopjen e testit të vlerësuar, së bashku me pikët e marra për çdo përgjigje të dhënë.

Por për të marrë këtë kopje të testit, ata duhet që të presin edhe mbarimin e provimeve me zgjedhje që do të zhvillohen ditën e premte të datës 23 qershor. Më pas, çdo kandidat do të mund të nisë zyrtarisht procedurat për dorëzimin e kërkesës për marrjen e kopjes së testit të korrigjuar të gjuhës së huaj.

Gjatë ditëve në vijim pritet të bëhet publike edhe procedura konkrete me afatet e dorëzimit të kërkesës, si dhe tarifën që do të paguajnë maturantët për të marrë një kopje të testit. Dorëzimi i kërkesave me shkrim në shkolla për testet e korrigjuara pritet të nisë pas datës 26 qershor.

Më pas do të jetë shkolla, e cila me Drejtorinë Rajonale të Arsimit do kryejë procedurat e tjera deri në tërheqjen e fotokopjes së testit të korrigjuar.

Procedurë, e cila maturantëve do t’u kushtojë shumë kohë pritjeje. Edhe pse mund të marrin një kopje të testit të korrigjuar, specialistët e arsimit sqarojnë më tej nuk do të ketë rivlerësim të testeve, sa i takon notës, pasi skema e korrigjimit dhe kalimi i çdo testi në duart e dy, apo tre veruesve garanton për një vlerësim të saktë.

Të vetmet ndryshime që mund të bëhen mund të jenë ndreqjet e gabimeve teknike. Bazuar në rregulloren e provimeve, QSHA nuk bën rishikim të notave, por vetëm të gabimeve teknike që kanë të bëjnë me sekretime të bëra gabim, pasaktësi në gjeneralitetet e maturantit, si dhe hedhje pikësh gabim. Aktualisht po vijon procesi i korrigjimit të provimeve të letërsisë dhe të matematikës në qendrat e ngritura në kryeqytet.

Të premten provimet me zgjedhje

Me datën 23 qershor maturantët do të kalojnë edhe provën e fundit të testimeve të maturës, që janë dy provimet me zgjedhje. Sipas rregullores, provimet me zgjedhje zgjasin 4 orë në rastet kur maturanti do testohet në dy lëndët e tij të preferuara.

Ndërsa për mbetësit e viteve të shkuara që do të testohen në një lëndë provimi do nisë më vonë. Testi për secilin nga provimet me zgjedhje do të përmbaje 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje do të jenë me përgjigje me alternativa, që vlerësohen me 1 pikë secila (10 pike gjithsej) dhe 10 pyetje me zhvillim të cilat vlerësohen me 30 pikë, sipas një skeme të përcaktuar. Maturantët apo kandidatët që do të japin provim të Maturës Shtetërore njërën nga lëndët me zgjedhje, do ta fillojnë provimin në orën 10:00 për ta përfunduar atë rreth orës 12:00.

Testi vlerësohet maksimalisht me 40 pikë, të cilat i korrespondojnë notës 10. Për të qenë kalues në këtë provim, maturanti duhet të mbledhë nga përgjigjet e dhëna detyrimisht 8 pikë. Sipas udhëzimit të miratuar nga MAS, referuar edhe aplikimeve të bëra në formularit A1Z, specifikohet se kandidati që mbart nga maturat e viteve 2006-2016 dy lëndë me zgjedhje, nuk do të japë më provime me zgjedhje për të hyrë sërish në garë për vijimin e studimeve të larta.

Ndërsa kandidati që mbart nga maturat e viteve të përmendura një lëndë, ka përcaktuar edhe lëndën që do të japë si provim me zgjedhje me 23 qershor, në përputhje me kushtin e krediteve. Kandidati që nuk ka mbartur lëndë me zgjedhje nga maturat para vitit 2015, është regjistruar në formularin A1Z, për të dhënë provim dy lëndë nga lista e lëndëve me zgjedhje.

Gara për të fituar shkollën e lartë nis në korrik

Mbyllja e provimeve të detyruara dh atyre me zgjedhje i hap udhë garës zyrtare të konkurrimit për vijimin e studimeve të larta në një nga degët e preferuara të universiteteve publike dhe atyre private, për çdo maturant që plotëson kushtin e vendosur nga qeveria, që të ketë mesatare të shkollës së mesme mbi notën 6. Garë kjo që do të zhvillohet nëpërmjet përzgjedhjes së dhjetë preferencave gjatë plotësimit të formularit online që nis rreth datës 20 korrik.

Ndërkohë që deri në këtë datë, shkollat  e mesme do të kenë përfunduar me hedhjen e të dhënave përkatëse të notave të marra nga maturantë përgjatë gjithë viteve të shkollës së mesme, si dhe provimeve të maturës, të cilat do të përdoren nga universitetet për shpalljen e fituesve, sipas kritereve specifike të pranimit të miratuara për secilin fakultet. Ndërsa nota mesatare për të qenë pjesë e garës për pranimet në institucionet e arsimit të lartë do përllogaritet si mesatare aritmetike e thjeshtë e dy treguesve që janë:

“Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë, si dhe mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të maturës shtetërore”.

Ndryshe nga të gjitha universitetet e tjera, për degët e mjekësisë kanë të drejtë të garojnë për të fituar studimet vetëm kandidatët që kanë notë mesatare të shkollës së mesme mbi 8. Ndërsa kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve dyvjeçare me karakter profesional nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar. Këta kandidatë do u nënshtrohen vetëm kritereve specifike të pranimit të përcaktuara nga vetë fakultetet që duan të ndjekin.

Leave a Reply

%d bloggers like this: