Kronika

Notat, 1020 maturantë ngelën në testin e gjuhës së huaj

Nota jokaluese në testin e gjuhës së huaj lë jashtë garës konkurruese të raundit të parë mijëra maturantë. Sipas të dhënave të bëra publike gjatë ditës së djeshme nga zyrtarët e MAS, 1020 maturantë nuk kanë mundur të sigurojnë 10 pikët minimale për të qenë kalues në provimin e parë të detyruar të Maturës Shtetërore të këtij viti.

“Në provimin e gjuhës së huaj morën pjesë 36.159 maturantë. Nga këta, nota jokaluese morën 1020 maturantë që do të thotë 2.82 për qind e totalit të të testuarve. Nota kaluese morën 35.139 maturantë, ose thënë ndryshe kalueshmëria në provimin e parë të gjuhës së huaj është në rang kombëtar 97.18 për qind”, ka konfirmuar gjatë ditës së djeshme numri dy i MAS, Nora Malaj.

Këta kandidatë duhet të presin sezonin e vjeshtës për të ridhënë provimin e gjuhës së huaj, dhe vetëm më pas mund të garojnë për raundin e dytë të pranimeve, pjesë e të cilit nuk do të jenë më degët e preferuara, por programet që do të rezultojnë me kuota të paplotësuara nga pranimet fazës së parë. Ndërkohë, kjo shifër pritet të jetë shumë herë më e lartë në provimet e tjetra të detyruara, si dhe ato me zgjedhje që do të zhvillohen ditën e premte, kjo për shkak të nivelit të vështirësisë që mbartin këto teste krahasuar me lëndën e gjuhës së huaj.

Pavarësisht apelit të bërë, të shumtë kanë qenë edhe maturantët që kanë abuzuar me kopjet në provimin e matematikës, ku dhjetëra prej tyre kanë tentuar të mbajnë celularin me vete në ditën e provimit. Sipas zëvendësministres së Arsimit, rreth 90 maturantë janë penalizuar në ditën e provimit të matematikës, pasi thyen rregullat e mbarëvajtjes së provimit.

“Nga raportimi rezultuan se 90 maturantë janë kapur me kopje dhe me celularë. Në Bulqizë një nxënës u kap me celular, në Mat dy nxënës u kapën me celularë. Në Durrës, pa filluar provimi 5 nxënës janë kapur me celularë dhe janë pezulluar nga provimi. Në Pukë 3 nxënës u kapën me celularë, etj”, theksoi Malaj.

Që të gjithë këta maturantë janë të përjashtuar nga gara për studimet e larta, pasi nuk u njihet rezultati i provimit për pranimet e raundit të parë. Duke parë numrin e lartë të maturantëve të ndëshkuar për shkak të shkeljes së rregullores së provimit, autoritetet e arsimit u kërkojnë maturantëve që të bëjnë kujdes në dy provimet e mbetura të ditës së premte, që të mos rrezikojnë të mbeten jashtë garës për universitetin.

Sipas zyrtarëve të MAS, kandidatët që nuk mund të sigurojnë mesataren mbi 6 të shkollës së mesme, ndonëse nuk mund të pranohen në programet 3 vjeçare “Bachelor”, ata mund të ndjekin studime të larta, por të llojit profesional, programe të cilat do të ndihmojnë në formimin e specialistëve të duhur për plotësimin e kërkesave të paraqitura nga tregu i punës.

Në këto kushte, të gjithë ata maturantë që kanë notën mesatare mbi gjashtë, do të vijojnë me procedurat e aplikimit për të vijuar studimet në universitete, por pa humbur mundësinë edhe maturantët që kanë notën mesatare nën gjashtë, të cilët mund të aplikojnë për të vijuar studimet e tyre në kolegjet 2 vjeçare profesionale”, bëjnë me dije burimet zyrtare të MAS.

Kundrejt këtij kushti, maturantët dhe kandidatët e viteve të shkuara që kanë shlyer detyrimet me provimet e maturës, mund të ndjekin studimet në kolegjet profesionale, nëpërmjet të cilave do të certifikohen dijet e fituara në fusha të caktuara nëpërmjet vlerësimit deri në 120 kredite. Kolegji profesional i lartë është institucion i arsimit të lartë me orientim profesional, që përgatit profesionistë me aftësi praktike në një fushë dhe profesion të caktuar.

Ky institucion përfaqëson një strukturë të përbërë nga së paku dy departamente, dhe ofron veprimtari mësimore dhe trajnuese që zgjasin një, ose dy vite akademike, me ngarkesë përkatësisht 60, ose 120 kredite. Në përfundim të studimeve, këto programe finalizohen me lëshimin e një certifikate apo diplome profesionale në degën e ndjekur.

Vlerësimi i testeve të letërsisë dhe matematikës

Aktualisht po shkon drejt fundit procesi i korrigjimit të testeve të letërsisë, ndërsa tek matematika janë vlerësuar rreth gjysma e testeve të plotësuara nga maturantët. Korrigjimi edhe për këtë vit u është besuar arsimtarëve që kanë minimalisht 5 vjet përvojë pune në lëndën e letërsisë dhe matematikës. Kjo në mënyrë që vlerësimi të jetë sa më korrekt.

Sipas zyrtarëve të dikasterit të arsimit, çdo test do të kalojë në duart e dy mësuesve, e nëse ndërmjet tyre do ketë vlerësime të ndryshme, testi do t’i kalohet edhe një mësuesi të tretë, për të vendosur pikët finale dhe notën përkatëse që meriton maturanti, në varësi të përgjigjeve të dhëna.

Në rastin e pyetjeve me zhvillim, kur përgjigja e dhënë nuk është plotësisht e saktë nuk do ketë vlerësim me zero pikë. Për këto pyetje maturanti mund të mos marrë pikët totale të përcaktuara, por një pjesë të tyre, aq sa është edhe saktësia e përgjigjes së dhënë. Sipas afateve të vendosura në rregulloren e maturës, notat e provimit të letërsisë do të bëhen publike gjatë javës së ardhshme.

Po ashtu edhe maturantët që rezultojnë mbetës në këto dy provime, si dhe në ato me zgjedhje nuk do të mund të vijojnë garën për të fituar universitetin në degën e preferuar, pasi duhet të presin sezonin e vjeshtës për të dhënë sërish këtë provim

Duhet të regjistrohen maturantët e viteve të shkuara

QSHA: Tjetër afat për plotësimin online të formularit A1Z

Në nisje të javës së ardhshme, Qendra e Shërbimeve Arsimore do të çelë edhe një herë procedurat e aplikimit për garën e studimeve të larta, për të gjithë maturantët e viteve të shkuara që për arsye të caktuara nuk plotësuan dot në kohë formularin A1Z, çka legjitimon hyrjen e tyre në garë për të fituar studimet universitare.

Kështu, për të gjithë maturantët e viteve të kaluara, që nuk kanë aplikuar me formularin A1Z, bëhet me dije se portali i Maturës Shtetërore online do të hapet edhe një herë në periudhën 26-27 qershor nga ora 08.00, deri në orën 16.00. “Plotësimi online i formularit A1Z, për kandidatët e sipërpërmendur, bëhet në shkollat ku kanë kryer arsimin e mesëm të lartë ose në shkollën e përcaktuar nga Komisioni i Maturës Shtetërore i vendbanimit, nëse shkolla e mesme që kanë përfunduar është mbyllur.

Procesi i plotësimit të Formularit A1Z ndiqet nga një person i ngarkuar nga drejtoria e shkollës, që quhet “mbikëqyrës”. Përfaqësuesit e shkollës marrin kontaktet e kandidatit për ta njoftuar më vonë për paraqitjen në shkollë për futjen e të dhënave shkollore të tre viteve të arsimit të mesëm”, sqarohet nga ekspertët e Qendrës së Shërbimeve Arsimore.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button