Kronika

Fiter Bajrami, Kreu i Komunitetit Mysliman uron besimtarët, ka një mesazh dhe për zgjedhjet

Nesër besimtarët myslimanë festojnë Ditën e Fiter Bajramit ose ndryshe Bajramin e Madh pas 30 ditësh agjërim të muajit të Ramazanit. E me këtë rast Skënder Bruçaj, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë u ka shpërndarë një mesazh urimi të gjithë shqiptarëve.

Ai ndalet tek kuptimi i kësaj dite për të cilën thotë se është dita kur mëritë, hatërmbetjet, dhe smira marrin fund, është dita kur falen gabimet e të tjerëve, është dita e unitetit shpirtëror që pasqyron ripërtëritjen e vëllazërisë, miqësisë dhe dashurisë për njeriun dhe njerëzoren.

Por kreu i komunitetit mysliman ka edhe një mesazh për zgjedhjet. Ai thotë se të gjithë do të përdorin të drejtën e votës por nuk duhet të harrojnë se jemi vëllezër pavarësisht rezultateve. Bruçaj kujton se përgjegjësia për vendin bie mbi të gjithë.

MESAZHI I KREUT TË KOMUNITETIT MYSLIMAN TË SHQIPËRISË

Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
Të nderuar besimtarë myslimanë shqiptarë, kudo që ndodheni!

Më lejoni që në këto çaste të gëzuara të festës se Fitër Bajramit, këtij momenti të gëzimit dhe të lehtësimit shpirtëror, t’ju përcjell mesazhet e mia më të sinqerta për një jetë sa më të lumtur, për shëndet dhe mirësi, për sukses në çdo sferë të jetës; me shpresën e madhe, që Zoti të na ketë falur mëkatet tona dhe të ketë pranuar adhurimet, lutjet dhe sakrificën tonë.

Festa e Bajramit është lehtësim i shpirtit, është kënaqësia e brendshme që buron prej shpresës së përmbushjes së adhurimit dhe përfitimit të faljes prej Allahut, Mëshiruesit Fuqiplotë.

Bajrami është dita e lehtësimit të brengave, është dita e shpresave të reja, është dita e të kujtuarit për njëri-tjetrin, është dita për të gëzuar fëmijët me dhurata dhe përkëdhelje, është dita për të respektuar të moshuarit me mirënjohje dhe dashuri, është dita për t’u gjendur pranë të gjithë atyre njerëzve që presin interesimin dhe vëmendjen tonë.

Bajrami është dita kur mëritë, hatërmbetjet, dhe smira marrin fund, është dita kur falen gabimet e të tjerëve, është dita e unitetit shpirtëror që pasqyron ripërtëritjen e vëllazërisë, miqësisë dhe dashurisë për njeriun dhe njerëzoren.

Zoti e ka veçuar Bajramin si moment gëzimi, prandaj neve na takon ta vlerësojmë në këtë mënyrë si ditën e gëzimit të zemrave.

Në këtë ditë Bajrami, të gjithë ne do të përdorim të drejtën e votës dhe nuk duhet të harrojmë në asnjë moment që të gjithë jemi vëllezër dhe pavarësisht rezultateve, Shqipërinë e kemi bashkë, pa dallime politike e fetare dhe përgjegjësia për zhvillimin dhe stabilitetin e vendit bie mbi të gjithë ne.

Duke përfituar nga përkujdesja e veçantë hyjnore, që Zoti i madh ka ndaj nesh në ditët e Bajramit, unë i lutem Atij për më shumë paqe, gëzim e harmoni.

I lutem gjithashtu Allahut t’i mbushë zemrat tona me ndjenja të dashurisë, dhembshurisë, respektit dhe mirënjohjes.

O Zoti ynë! Jepi begati, mirësi, paqe e qetësi dhe stabilitet shoqërisë sonë dhe atdheut tonë Shqipërisë, e bashkë me të, mbarë njerëzimit.
Gëzuar Fitër Bajramin dhe Zoti e begatoftë çdo ditë tuajën. Amin!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button