Home / Rajoni / Maqedonia / Hahn, në Maqedoni për reformat urgjente

Hahn, në Maqedoni për reformat urgjente

Johannes Hahn qëndron të hënën në Maqedoni, i ftuar të ndjekë diskutimet mbi reformat urgjente që duhet të ndërmarrë qeveria e re në Shkup.

Komisioneri europian i Zgjerimit, një nga zërat më të fortë gjatë krizës politike për dorëzimin e mandatit, që presidenti Gjorge Ivanov zgjodhi të mbante peng, ka një axhendë dypalëshe me kryeministrin Zoran Zaev dhe disa ministra, si dhe me përfaqësues të opozitës.

Zaev do t’i paraqesë zyrtarit të lartë europian planin e veprimit të përgatitur nga qeveria. Kreu i ekzekutivit njoftoi gjithashtu se pret që deri në fund të vitit 2017, Maqedonia të rimarrë rekomandimin për fillimin e negociatave me BE-në, në mënyrë që negociatat e anëtarësimit të çelen përfundimisht vitin e ardhshëm.

Për zbatimin e reformave do të formohen grupe pune të veçanta, siç është grupi për reformën në drejtësi, ai për reformën e shërbimeve sekrete, administratën publike, sistemin zgjedhor, organet e pavarura, si dhe reformat në media.

Këto reforma janë inkurajuar edhe nga BE. Në deklaratën e Hahn, para ardhjes në Shkup, nënvizohet se “qeveria, bashkë me opozitën duhet të përqëndrohet në zbatimin e prioriteteve urgjente të reformave dhe të marrëveshjes së Përzhinos, që vendi të kthehet përsëri në rrugën e integrimit në BE”.

Sipas analizave nga Instituti i Politikave Europiane në Shkup, në dy vitet e fundit nuk është realizuar pothuajse asgjë nga lista e prioriteteve për reforma. Lista e publikuar nga ky institut ka pasur vetëm të dhëna dhe shifra mbi nëpunësit shtetërorë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.