Home / Bota / Irani i akuzon SHBA-të për “përshkallëzim të situatës” në Siri

Irani i akuzon SHBA-të për “përshkallëzim të situatës” në Siri

Irani i ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për “përshkallëzim të rrezikshëm” në Siri, pasi Uashigntoni ka tërhequr vërejtjen se presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, ndoshta është në përgatitje të një sulmi tjetër kimik, për të cilin, në rast se ndodhë, Damasku do të paguante “çmim të rëndë”.

“Një tjetër përshkallëzim i rrezikshëm amerikan në Siri me pretekst të rrejshëm”, ka shkruar dje në rrjetin Twitter, ministri i jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, dhe ka shtuar se kjo do t’i “shërbejë vetëm grupit Shteti Islamik, kur ai po çrrënjoset nga populli irakian dhe sirian”.

Akuzat e Iranit janë bërë derisa presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i është bashkuar presidentit amerikan, Donald Trump, për përgjigje të përbashkët kundër çfarëdo sulmi të ri kimik nga Siria.

Së bashku me Rusinë, Irani është aleati më i madh i presidentit sirian, Bashar al-Assad. Rusia, po ashtu, e ka kritikuar atë që Kremlini thotë se janë “kërcënime të papranueshme” të Uashingtonit.

Irani e furnizon Assadin me ushtarë, ndërsa Rusia e mbështet me forcë ajrore, në luftën e Assadit kundër kryengritësve dhe ekstremistëve të Shtetit Islamik.

Dje më herët gjatë ditës, Shtetet e Bashkuara thanë se Qeveria e Sirisë duket se po përgatit sulm me armatim kimik dhe ka tërhequr vërejtjen se Siria do “të paguante çmim shumë të rëndë”, nëse diçka e tillë ndodhë.

Pentagoni tha se ky aktivitet është detektuar në bazën ajrore të ushtrisë siriane, Shajrat.

Shtëpia e Bardhë tha se aktivitete të ngjashme ishin parë edhe para se gazi helmues sarin, ishte hedhur në qytetin Khan Sheikhoun, më 4 prill. Ky qytet ishte nën kontrollin e kryengritësve.

Leave a Reply

%d bloggers like this: