Home / Ekonomia / Doganat zbulojnë kontrabandën e kafesë, është rritur konsumi, por importet kanë rënë

Doganat zbulojnë kontrabandën e kafesë, është rritur konsumi, por importet kanë rënë

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave së fundmi ka pranuar se është rritur kontrabanda në importin e kafesë.

Në një njoftim zyrtar që DPD ka nisur te bizneset e sektorit, thuhet se, konsumi i kafesë në pesëmujorin e parë të vitit 2017 është rritur, ndërsa importet kanë rënë me mbi 13 për qind.

Doganat kanë analizuar të dhënat ku rezulton se konsumi i këtij produkti për 5-mujorin 2017 është konform parametrave po ta krahasojmë me të njëjtën periudhë të vitit 2016, madje me një rritje prej 35 ton, ndërkohë që importet kanë rënë me 13 për qind.

Teksa është parë kjo lëvizje doganat kanë marrë masa të menjëhershme duke ndryshuar çmimet e referencës.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave  njofton importuesit e kafesë se çmimet e bursës për produktin e kafes, krahasuar me 5-mujorin e vitit 2016 kanë qenë më të larta, sidomos në muajt e parë të vitit, prandaj referencat kanë ndryshuar me tendencë rritëse.

Me çmimet e reja kafeja kokërr e papjekur (Arabica) nga BE do të zhdoganohet duke marrë për bazë një çmim 2943-2952 euro për tonë.

Kafeja kokërr e papjekur (Arabica) me origjinë importi nga vendet prodhuese do të zhdoganohet duke marrë në konsideratë një çmim 2740-2750 euro për tonë.

Kafeja kokërr e papjekur (Robusta) me origjinë nga BE do të zhdoganohet me çmimet 1940-1950 euro për tonë.

Kafeja e papjekur Robusta nga vendet prodhuese do të zhdoganohet me një interval çmimi ga 1940-1950 euro për tonë.

Kafe kokërr e papjekur (Rio Minas)  me origjinë nga BE do të zhdoganohet me 2857-2860 euro për tonë.

Ndërsa po kjo kafe me origjinë nga vendet prodhuese do të zhdoganohet me 2657-2660 euro për tonë.

Leave a Reply

%d bloggers like this: