Bota

Së bashku kundër terrorit

Presidenti francez organizon një konferencë ndërkombëtare kundër IS-it në Paris dhe ka sinjalizuar gatishmërinë e tij për të marrë pjesë në koalicionin e udhëhequr nga SHBA në luftë kundër IS-it.

Ai shkoi në Bagdad dhe Erbil, miratoi shitjen e armëve për kurdët e Irakut dhe premtoi ndihma të tjetra në luftën kundër milicisë terroriste “Shtetit Islamik” (IS): Kur është fjala për t’ju kundërvënë xhihadistëve në Lindjen e Mesme, Presidenti francez, François Hollande, është aktualisht mjaft i vendsur. Hollande dëshiron ta ndihmojë qeverinë e re të Irakut në luftën kundër IS-it. Sot me ftesën e tij zhvillohet në Paris një konferencë ndërkombëtare, ku marrin pjesë ndër të tjerë, presidenti irakian Fouad Masum dhe ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier.

Në sytë e shumë kryeminstrave dhe presidentëve lufta kundër ekstremistëve sunitë u bë përsëri urgjente gjatë fundjavës. Sepse prerja e kokës të pengut britanik nga IS-i ka shkaktuar tmerr në të gjithë botën.

Kryeministri britanik David Cameron tha në një deklaratë, vrasja ishte një akt i “së keqes absolute”. Presidenti i SHBA-së Barack Obama rikonfirmoi vendosmërinë e tij, që së bashku me partnerët nga e gjithë bota ta shkatërrojë organizatën terroriste. Ministri i Jashtëm gjerman Steinmeier e dënoi vrasjen si një “akt të urryer dhune barbare përtej të gjithë kufijve të qytetërimit njerëzor”. Për të tretën herë një anëtar i IS-it i preu para kamerave kokën një shtetasi perëndimor.

Koalicion kundër IS-it

Ky akt i vë qeveritë e Uashingtonit dhe Londrës nën presion, për shkak se viktimat janë nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe. Por tani po këmbëngul dhe Parisi. Presidenti francez ka sinjalizuar gatishmërinë e tij për të marrë pjesë në koalicionin e udhëhequr nga SHBA në luftë kundër IS-it. Por politika franceze në Lindjen e Mesme nuk ka qenë gjithmonë e një mendimi me atë amerikane. Kur në vitin 2003 ish-Presidenti Xhorxh W. Bush kërkoi aleatë për luftën e tij në Irak, udhëheqja franceze refuzoi të merrte pjesë. Tani presidenti francez mendon të marrë pjesë edhe në sulmet ajrore amerikane kundër IS-it. Prej 8 gushtit aviacioni amerikan ka ndërmarre sipas Pentagonit 150 sulme ajrore në Irak.

Aleatë në Perëndim dhe Lindje

Edhe dhjetë shtete arabe u premtuan Shteteve të Bashkuara mbështetjen e tyre në luftën kundër IS-it. Në to bëjnë pjesë Iraku, Arabia Saudite, Bahreini, Egjipti, Jordania, Kuvajti, Libani, Omani, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Ata premtuan, ndër të tjera, që do të ndalojnë burimet financiare të ekstremistëve dhe do të luftojnë kundër fluksit të luftëtarëve të huaj.

Kurse qeveria turke po tregohet e përmbajtur dhe në luftën kundër IS-it – ndoshta për shkak se 49 shtetas turq të rrëmbyer në qershor nga IS-i janë ende në duart e terroristëve. Turqia megjithatë akuzohet se është vend tranzit për xhihadistët e huaj. Ankaraja e mohon këtë.

Rrezik prej xhihadistëve

Për Francën xhihadistët radikalë janë aktualisht problem i madh. Së pari për shkak se disa qindra francezë po luftojnë si xhihadistë në Irak dhe Siri – ndoshta më shumë se nga çdo vend tjetër perëndimor. Shumë prej tyre janë kthyer sërish në Francë. Nga ana tjetër, për shkak se Libia konsiderohet që nga rënia e diktatorit Muamar Gadafi si strehë për ekstremistët. Nga atje ata përhapin terror dhe armë në vendet e Maghrebit dhe ka rrezik që të destabilizojnë edhe vende si Algjeria. Një skenar që shumë shpejt mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta për Francën – dhe që e bën Presidentin francez që të veprojë tani.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button